English

Berisha takon romët: Të dënohen autorët e aktit të shëmtuar

Tiranë, 18 mars, NOA - Kryeministri Sali Berisha dënoi sot aktin e dëbimit të rreth 45 familjeve rome dhe djegien e banesave të tyre, pak ditë më parë në periferi të Tiranës.

Deklarata e kreut të qeverisë u bë sot gjatë takimit me një përfaqësi të komunitetit rom. Takim, që siç tha kreu i qeverisë, e kishte kërkuar pasi e ka ndjekur në mënyrë konstante atë ngjarje shëmtuar, të papranueshme nga qeveria dhe nga shoqëria.

“Ju thirra t’ju takoj dhe ju siguroj se e kam ndjekur në mënyrë konstante atë ngjarje të shëmtuar të një zhvillimi negativ, të papranueshëm nga qeveria dhe nga shoqëria. Vlerësoj shumë përpjekjen tuaj për të ndërtuar jetën që meritoni. Kam kërkuar menjëherë të gjenden autorët e atij akti të qartë racist dhe që nuk mund të pranohet. Policia e Shtetit i ka identifikuar dhe i ka ndalur ata. Jam i bindur se drejtësia do të thotë fjalën e saj” u shpreh Berisha.

Në takimin me kryeministri Berisha merrnin pejsë, kryetari i Unionit të Romëve të Shqipërisë "Amaro-Drom" Skënder Veliu dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave në mbrojtje të këtij komuniteti.

Përfaqësuesi i komunitetit rom në këtë takim, Ardian Nuredini, shprehu shqetësim për ngjarjen e ndodhur ndërsa tha se në atë zonë banonin prej 11 vjetësh dhe asnjëherë nuk kishin pasur probleme të tilla. Ai e falënderoi Kryeministrin për vëmendjen e kushtuar dhe kërkoi që qeveria të siguronte strehim për këto familje.

Kryeministri Berisha e siguroi atë se qeveria është angazhuar tashmë për strehimin e tyre dhe se do të bëj gjithçka që mbarë komuniteti rom në Shqipëri të ketë një jetë më të mirë.

“I kam dhënë porosi Ministrisë së Punëve Publike dhe Entit Kombëtar të Banesave që familjet që kanë qenë aty dhe që kanë humbur strehimin e tyre të sistemohen dhe të strehohen në kushte normale. Procesi i zhdukjes së pasojave të diskriminimit shekullor që ka vepruar mbi ju është një proces i domosdoshëm, jo i lehtë, por ju garantoj se kjo qeveri është e vendosur të bëj gjithçka për ta shtyrë përpara këtë proces dhe të krijojë të gjitha lehtësirat e mundshme”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë ka dhënë garanci duke theksuar se qeveria është shumë e vendosur të punojë për të integruar këtë komunitet gjithnjë e më shumë.

Ai shtoi se do të punohet për të normalizuar jetën e tyre dhe “për të kapërcyer pasojat e rënda të një diskriminimi të pamerituar shekullor që ka rënë mbi komunitetin tuaj, në kundërshti me kontributin dhe lumenjtë e djersës që ju keni derdhur për ketë vend dhe këtë shoqëri. Të gjitha aspektet që ju trajtuat këtu janë në axhendën e qeverisë, regjistrimi, strehimi, shkollimi, punësimi. Të gjitha këto do të njohin thellime të mëtejshme”,

Kryeministri Berisha vlerësoi se roli i shoqatave të romëve është i pazëvendësueshëm edhe për shmangjen e fenomeneve negative.

“Të bëjmë gjithçka edhe kundër trafikut. Për këtë roli juaj, i shoqatave, është më i pazëvendësueshëm. Çfarë do që të bëjmë ne, siç jeni shkrirë ju në veprimtarinë e këtij komuniteti, mund të jepni kontribut vërtetë shumë të madh. Të regjistrojmë këta fëmijë, të mbrojmë këta fëmijë, të hapim kopshte kudo. Aty ku jeni ju, ne me përparësinë më të madhe hapim kopshte për fëmijët tuaj. Ministria e Arsimit ka marrë porosi të prerë që të hapë mensa në shkollat ku mësojnë fëmijët tuaj, në mënyrë që të ketë një nxitje më të madhe për shkollimin e tyre. Para një jave ne morëm një vendim ku librat për fëmijët tuaj të mos bëhen me mekanizmat e rimbursimit, por të jepen direkt falas. Edhe kjo të shërbejë si një nxitje ”, tha Berisha.

Kryetari i shoqatës së romëve, Skënder Veliu falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen që u rezervoi, si dhe për prezencën e tij në shumë aktivitete domethënëse për komunitetin rom, si në ditën ndërkombëtare të romëve, etj, duke u shprehur se kjo pjesëmarrje ka qenë një mesazh, jo vetëm për këtë komunitet, por për mbarë qytetarinë shqiptare.

Ai shprehu mirënjohjen në emër të komunitetit rom, për vëmendjen e qeverisë dhe të kryeministrit personalisht, në trajtimin e problematikave të ndryshme të ngritura nga ky komunitet, si dhe në marrjen e vendimeve nga ana e qeverisë, të cilat ndikojnë në proceset integruese të komunitetit rom.

Në këtë kontekst, Kryetari i shoqatës së romëve, Veliu falënderoi për masat e qeverisë, lidhur me arsimimin e fëmijëve romë, veçanërisht në arsimin e lartë, i cili shënon këtë vit 12 studentë romë të regjistruar në universitet publike dhe 10 në universitet private.

Ai e informoi kryeministrin lidhur me situatën e regjistrimit të fëmijëve romë dhe përpjekjet e bashkërenduara me qeverinë, në kuadrin e luftës kundër trafikimit, si dhe me gjendjen e strehimit, punësimit, infrastrukturës, së këtij komuniteti. Ai i shprehu kryeministrit shqetësimin dhe keqardhjen, për dhunën e ushtruar ndaj banorëve romë, duke e cilësuar atë, si akt një të shëmtuar, i shkaktuar nga një grup të rinjsh huliganë ndaj një komuniteti të barabartë me të gjithë të tjerët.

a.k/NOA

KOMENTE