Tiranë, 18 mars 2011, NOA- Ministri i Financave Ridvan Bode në tryezën e mbajtur për amnistinë fiskale tha në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë amnisti të plotë fiskale si pasojë e kushteve në vend.
Bode theksoi se, në asnjë rast nga kjo nismë nuk duhet të përfitojnë personat dhe kapitali që janë brenda fushës së veprimit të ligjit “Antimafia” si dhe nuk duhen përfshirë pasuritë e personave që kanë pasur një pozicion zyrtar dhe kanë pasur detyrimin për deklarimin e pasurisë sipas ligjit.
Ai tha se në Shqipëri nuk është realizuar asnjëherë një amnisti e plotë fiskale pasi në kushtet kur vendi edhe pse ka kaluar nga një ekonomi e centalizuar në një ekonomi tregu dhe ka kaluar ngjarje të shumta që kanë treguar pamundësi dhe dobësinë e shtetit në raport me implementimin e ligjit për të tilla si viti 1997, të cilat nuk i kanë shërbyer forcimit të kulturës tatimpaguese të individit.
Sipas tij aftësia shtrënguese e organeve tatimore, por jo vetëm dhe lufta ndaj evazionit fiskal e informalitetit është rritur ndjeshëm dhe ka dhënë e jep impakt të qartë pozitiv.
Ai e vlerësoi këtë vit si të parin ku bëhet aplikimi i deklaratës individuale të të ardhurave personale.
“Në këtë drejtim, është e nevojshme që të merren disa vendime të rëndësishme politike që kanë të bëjnë me elementë të tillë si, subjektet që do të përfitojnë, garancitë e subjekteve përfituese, fushën e kësaj iniciative, tarifën që do paguajnë bizneset për legalizimin, periudhën e vetëdeklarimit, kohëzgjatja e amnisitisë etj’, deklaroi ministri i Financave.
a.y/NOA