Tiranë, 18 mars 2011, NOA – Askush ndër ne nuk ka pritur dhe nuk pret që Saliu dhe oborri i kusarisë që quhet gabimisht qeveria e Republikës së Shqipërisë të sillet ndryshe me procesin zgjedhor dhe të mos bëjë çdo përpjekje për të rivjedhur zgjedhjet dhe rindaluar shqiptarët të zgjedhin ata që duan. Por nga ana tjetër ne jemi tërësisht të vendosur që të kundërpërgjigjemi në mënyrë adeguate ndaj gjithë kësaj përpjekje deformuese dhe realisht kërcënuese për zgjedhjet....
Nga Edi Rama
Desha të komunikoj me ju lidhur me disa aspekte që kanë të bëjnë me javën që po mbyllet, duke filluar nga ndarja e një sërë shqetësimesh me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara dhe me ambasadorin e OSBE-së sot, shqetësime që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e garantimit të procesit zgjedhor.
Ne procesin zgjedhor e konsiderojmë të pagarantuar dhe vazhdojmë të mbrojmë fort bindjen, që gjithçka e nevojshme për të pasur një proces zgjedhor që të mos i ngjajë farsës së herës së shkuar, por që të jetë një hap i konsiderueshëm përpara dhe që zgjedhjet të jetë të standardeve plotësisht europiane, mbase nuk mund të plotësohet në këtë kohë të mbetur, por ka disa aspekte që janë plotësisht të realizueshme dhe për këto aspekte plotësisht të realizueshme unë kam ndarë këto shqetësime.
Ndërkohë dëshiroj të nënvizoj se vazhdon mungesa e transparencës me procesin e përgatitjes së listave, vazhdojnë problemet në lista. Ekipi i ekspertëve tanë që është ngarkuar me këtë çështje informon që ndoshta nesër do të jemi gati të bëjmë publike gjetjet e hetimit mbi listat që janë shqetësuese. Megjithatë do t’i vëmë në dispozicion të publikut dhe të drejtorisë në fjalë për t’i përmirësuar.
Ndërkohë që ka filluar një mësymje mbi administratën, që nga ministritë deri tek trupat mësimore në qytete të ndryshme të vendit, ku u kërkohen nënpunësve të administratës informacione shumë të çuditshme, mbi kartën e identitetit, mbi vendbanimin, mbi të tjera aspekte që krijojnë shumë shqetësim në këtë fazë ku ndodhemi.
Dua të theksoj me shumë qartësi dhe fort faktin, se ka një përpjekje përditë e më evidente për të përfshirë në një mënyrë të organizuar dhe të jashtëligjshme rrogëtarët e shtetit për nevojat e fushatës së pushtetit.
Por, ne kemi informacion të mjaftueshëm dhe të besueshëm se kjo nuk është e gjitha. KQZ-ja është përfshirë në një operacion të paligjshëm, kriminal, duke fotokopjuar për nevojat e pushtetit dhe të fushatës së pushtetit materiale zgjedhore që ju mohuan thuajse dy vjet me radhë publikut dhe deputetëve të opozitës që kërkuan transparencën mbi to. Ky është një veprim tërësisht i dënueshëm dhe përtej të dënueshmes ky është një veprim që kërcënon hapur zgjedhjet që kemi në prag. Rinxjerr në pah fizionominë e kësaj KQZ-je të diskretituar deri në palcë.
Askush ndër ne nuk ka pritur dhe nuk pret që Saliu dhe oborri i kusarisë që quhet gabimisht qeveria e Republikës së Shqipërisë të sillet ndryshe me procesin zgjedhor dhe të mos bëjë çdo përpjekje për të rivjedhur zgjedhjet dhe rindaluar shqiptarët të zgjedhin ata që duan. Por nga ana tjetër ne jemi tërësisht të vendosur që të kundërpërgjigjemi në mënyrë adeguate ndaj gjithë kësaj përpjekje deformuese dhe realisht kërcënuese për zgjedhjet.
Kjo përpjekje tregon edhe njëherë tjetër, nëse është nevoja për ndokënd që ta shohë edhe njëherë tjetër, se pse u vodhën zgjedhjet e shkuara. Se pse shqiptarët gjenden thuajse çdo ditë përballë skandalesh të përmasave që shpeshherë kalojnë kufijtë e imagjinatës edhe për vetë një regjim kusarësh. Dhe, sepse të gjitha trajtohen nga regjimi në raport me publikun, si çështje që s’kanë të bëjnë me interesat e vendit, të publikut apo edhe s’kanë të bëjnë me ata vetë.
Për faktin e thjeshtë se kush i vjedh zgjedhjet nuk ndihet më i detyruar ti japi llogari zgjedhësve, sepse në vend se të varet prej zgjedhësve i ka kthyer ata në skllevër dhe jo e kundërta.
Dua ta nënvizoj përsëri sot historinë e tmerrshme të kontrabandës me naftën virgin, që është një ngjarje brenda së cilës lexohet i gjithë regjimi. Rrugë të hapura për një bandë që qartësisht i shërbente këtij oborri dhe drejtpërdrejtë Saliut. Një bandë që nuk gjente asnjë pengesë nga grabitja e naftës deri tek nxjerrja e fitimeve marramendëse duke mashtruar të tërë qytetarët e këtij vendi, në makinat e të cilëve futej një prodhim që është shkatërrues për makinën, shkatërrues për mjedisin.
I gjithë ky cikël kusarie është me pasoja shkatërruese për vetë ekonominë e vendit, për vetë buxhetin e shtetit, pavarësisht dokrrave që publikon lidhur me çështjen e ashtuquajtura Ministria e Financave.
Ç’ka mbetet sot dramatike edhe njëherë tjetër për një tjetër skandal me përmasa dramatike, për një vend në mes të Europës është fakti se prapa hekurave është banda, që ekzekutonte procesin e kontrabandës dhe në tryezën e qeverisë janë orkestruesit dhe përfituesit e këtij procesi, e pas tyre janë oborrtarët, familjarë e shërbëtor të atyre që e orkestruan procesin. Pra të qeveritarëve të këtij vendi me në krye Saliun.
Dua po ashtu të nënvizoj se mbeten rast pas rasti, radhë pas radhe, bashkë me këtë kontrabandë të zbuluar dhe për të cilën janë arrestuar një numër i tërë personash, që e përsëris janë ekzekutorët, jo urdhëruesit e përfituesit e mëdhenj edhe të gjitha rastet e tjera të patolerueshme në një vend europian që përbëjnë, arsye pas arsyesh, një numër të mjaftueshëm dhe madje të tepërta argumentesh për ta zbuar këtë pushtet dhe për ta çliruar Shqipërinë nga kthetrat e këtij oborri.
*Deklarata e kryesocialistit Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët