English

Edi Rama: Do rikandidoj apo ..., do e mësoni në 21 mars

Tiranë, 18 mars 2011, NOA – Kur mbeten më pak se dy muaj nga zgjedhjet vendore të 8 majit, dilema nëse do të rikandidojë Edi Rama për të katërtën herë për Bashkinë e Tiranës, apo jo, është një nga pyetjet që kanë lindur duke ditur se kryebashkiaku Rama është edhe lideri i opozitës që në krye të protestave të opozitës ka kërkuar largimin e qeverisë Berisha prej zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Por, kjo ndërdyshje do të marrë fund në 21 mars, pasi ka qenë vetë Kryetari Partisë Socialiste, njëherësh kryebashkiaku Rama që në një bashkëbisedim me mediat konfirmoi se “ditën e hënë do të kemi përgjigjen e qartë, të plotë dhe të shtjelluar lidhur me çështjen”.

Lideri i opozitës duke folur për zgjedhjet i cilësoi ato si një betejë politike mes opozitës dhe mazhorancës, kur në 8 maj populli opozitar do t’i japë një mesazh me votë kryeministrit Berisha.

“Zgjedhjet e 8 majit për sa na takon do të jenë një demonstratë e madhe e mbarë popullit opozitar, e çdo qytetari që kërkon t’i çojë mesazhin e tij me votë Saliut”, tha shefi i selisë rozë.

Ai ritheksoi se “populli opozitar do të jetë i gatshëm të përballet, ashtu siç thonë hebrenjtë, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë me çdo lloj trupe dhe me çdo lloj forme të organizuar për të cënuar vullnetin e popullit të shprehur me votë”, deklaroi kryesocialisti Rama.

mit/NOA

KOMENTE