Kryeparlamentari Krasniqi priti zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Haxhinasto
Prishtinë, 18 mars 2011 NOA/ Raportim i plotë - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Pas takimit, ministri i Jashtëm shqiptar, u ka deklaruar gazetarëve se me z. Krasniqi janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet dy vendeve.
Ai ka vlerësuar tepër të rëndësishme bashkëpunimin në lëmin e legjislacionit, sidomos për sa përket përafrimit me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian. “Pse të mos bëhemi model për rajon për liberalizimin e marrëdhënieve tregtare”, është shprehur Haxhinasto, duke folur për mundësitë e gjera të bashkëpunimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kurse zyra e Krasniqit, zyrtarisht tha se në takim është biseduar për zhvillimet në Kosovë e rajon, me theks të veçantë për thellimin përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Krasniqi e ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën, të cilën e ka quajtur shumë të rëndësishme për zhvillimet në vend.
Ai është shprehur i bindur se me përfundimin e Autostradës së kombit shtohen shumë mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat e jetës, si ekonomi, arsim, kulturë, e pse jo edhe në lëmin e legjislacionit.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka vlerësuar zv.kryeministrn dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Haxhinasto. ndër mbështetësit e Kosovës, cili e shtron, gati në të gjitha takimet ndërkombëtare që ka, nevojën e njohjes nga sa më shumë vende të shteti të ri të Kosovës. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka shprehur konsideratat e tij më larta për rolin e z. Krasniqi si kryetar i Kuvendit dhe si ushtrues i detyrës së president Kosovës, por edhe për rolin që ka pasur për konstituimin organeve të reja të vendit, të dala nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar. a.b/NOA