Prishtinë, 18 mars 2011, NOA- Gjatë vizitës së tij në Prishtinë Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto vizitoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të saj.
Gjatë takimit që pati me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurtin, mes dy biseduesve u diskutua mbi situatën në të dyja vendet, bashkëpunimin e ngushtë ndërshqiptar, si dhe nevojën që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tepër si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor.
Kurti e informoi Haxhinaston mbi sfidat në të cilat po kalon Kosova dhe nevojën që pavarësisë së vendit t’i shtohet sovraniteti.
Ndërsa ministri Haxhinasto e uroi atë për hyrjen e subjektit politik që ai përfaqëson në Kuvend si dhe për angazhimet dhe aktivitetet e deritanishme, duke i uruar suksese të mëtejshme.
Ministri i Jashtëm shqiptar e vuri theksin e bisedës së tij edhe te proceset e integrimeve evopiane të shqiptarëve, ndërsa Kurti theksoi që integrimi në BE nuk është në kundërshtim me bashkimin kombëtar të shqiptarëve por edhe kurrsesi s’mund ta zëvendësojë atë.
Dëmet nga bisedimet aktuale me Serbinë ku në emër të çështjeve teknike Serbisë po i mundësohet që ta kontrabandojë përmbajtjen e autonomisë territoriale për serbët në Kosovë, ngjashëm si në Bosnje, ishte sërish fokusi i bisedës së Kurtit, i cili vazhdimisht është shprehur kundër këtyre negociatave.
a.y/NOA