English

Haxhinasto: Si mund të bëhet Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

“Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të bëhet, vetëm në Bashkimin Evropian. Teza për bashkim, shkëmbim territoresh janë të dëmshme dhe nuk i shërbejnë shqiptarëve të cilët fatmirësisht kanë qenë kohët e fundit në anën e duhur të historisë, kane përqafuar ato vlera qe qëndrojnë ne themel te civilizimit perëndimor, organizma të tilla siç është Bashkimi Evropian”

Prishtinë, 18 mars 2011 NOA – I gjithë rajoni, përfshirë edhe ato vende ku jetojnë shqiptarët, do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kjo është perspektiva e tyre integruese. Teza për bashkime, për shkëmbime territoresh janë teza të dëmshme që nuk shërbejnë aspak, e aq më pak u shërbejnë shqiptarëve, të cilët fatmirësisht kanë qenë kohët e fundit në anën e duhur të historisë, kanë përqafuar ato vlera, të cilat qëndrojnë në themel të civilizimit perëndimor, qëndrojnë në themel të organizatave të tilla, siç është Bashkimi Evropian”.

Këto pohime i bëri sot shefi i diplomacisë së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili gjendet në Kosovë për një vizitë dyditore.

Haxhinasto ka mbështetur dialogun e nisur mes Kosovës dhe Serbisë: “Negociatat me Serbinë do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve”.

Po ashtu ai ka premtuar vazhdimin e mbështetjes nga Shqipëria në procesin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka biseduar për forcimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë, në funksion të rritjes së numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës.

Kryeministri Thaçi shprehu vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve kosovare për një politikë të jashtme proaktive, të koordinuar me miqtë e Kosovës, duke përmendur në mënyrë të veçantë rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe po luan Qeveria e Republikës së Shqipërisë në mbështetje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka falënderuar ministrin Haxhinasto dhe Qeverinë shqiptare për kontributin e madh që i kanë dhënë Republikës së Kosovës në procesin e njohjeve për shtetin e Kosovës dhe afirmimit të të arriturave të shtetit të ri në botë.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto shprehu edhe njëherë gjithë gatishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë shqiptare për thellimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve diplomatike me Qeverinë e Republikës së Kosovës, në funksion të shtimit të numrit të njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

KOMENTE