English

I shitën për flori bizhuteritë false, kapen katër rumunët

Rrëshen, 18 mars 2011, NOA – Katër shtetas rumunë, të cilët i shitën bizhuteri false disa shtetasve shqiptarë janë arrestuar sot nga policia e Lezhës. Rumunët u arrestuan falë një operacioni në fshatin Reps në segmentin rrugor Rrëshen-Kukës, pas kallëzimit të shtetasve shqiptarë.

Sipas policisë së Lezhës katër rumunët i kishin mashtruar shqiptarët, duke u shitur me një vlerë prej 750 eurosh dhe 30 000 lekë një sasi bizhuterish gjoja se ishin prej floriri, të cilat i kishin me vete.

Porse, më pas bizhuteritë kishin rezultuar jo të florinjta, por false.

Falë informacioneve katër rumunët, që vinin nga Otestani i kishin mashtruar shqiptarët duke u thënë se kishin nevojë për monedha, pasi kishin mbetur pa karburant.

Dhe në këmbim të 750 eurove dhe lekëve të dhëna nga shqiptarët ata u dhanë bizhuteritë që kishin me vete.

Policia e Lezhës pas arrestimit të katër rumunëve sekuestroi bizhuteritë dhe monedhat në euro e lekë që ata kishin përfituar.

Katër rumunët po ndiqen penalisht nga prokuroria e Lezhës për mashtrim.

mit/NOA

KOMENTE