English

Një furtunë në gotë

“Dokumenti i përfolur si një plan komplotist kundër qeverisë dhe Presidencës, në gjithë tërësinë e tij, është gjëja më normale në një shoqëri demokratike. Kudo në botë shoqëria civile ka të drejtë të mos pajtohet e të kundërshtojë fenomene, politika dhe institucione që sipas saj bien ndesh me interesat e qytetarëve. Pavarësisht nëse qëndron ose jo një kauzë e caktuar, kundërshtimi civil është një e drejtë e pamohueshme në çdo shoqëri normale”

Nga Armand Shkullaku

Nëse do të vije prej ndonjë vendi tjetër e do të shihje titujt dhe lajmet e para do ditëve në Kosovë, do të besoje se diçka e rëndë është duke ndodhur. Plan për rrëzimin e qeverisë, komplot dhe skenar për dhunë e pastaj dështim i rebelimit, hakmarrje e qeverisë, intrigë për goditje ndaj shtypit të lirë dhe kritikëve të pushtetit. Prej disa ditësh, mediat kryesore në vend, autoritetet më të larta shtetërore dhe opinioni publik janë përfshirë në një debat të zjarrtë mbi një të ashtuquajtur plan për veprim të shoqërisë civile për integritet të institucioneve shtetërore, plan që deri tani mban, de jure, vetëm autorësinë e Hajrulla Çekut, hulumtues në Klubin për Politikë të Jashtme. Por si mundet që një dokument i tillë të shkaktojë një varg reagimesh të përmasave kombëtare, nga Presidenti i Republikës e deri tek individë të ndryshëm që përmendeshin me emër si mbështetës të mundshëm të një strategjie kundër institucioneve të dala nga Kuvendi i fundit? Çfarë përmbante materiali i Çekut për të shkaktuar një furtunë të tillë?

Në thelb, kjo që ndodhi e vazhdon ende të ketë jehonë nuk është gjë tjetër veçse një furtunë në gotë. Dokumenti i përfolur si një plan komplotist kundër qeverisë dhe Presidencës, në gjithë tërësinë e tij, është gjëja më normale në një shoqëri demokratike. Kudo në botë shoqëria civile ka të drejtë të mos pajtohet e të kundërshtojë fenomene, politika dhe institucione që sipas saj bien ndesh me interesat e qytetarëve. Pavarësisht nëse qëndron ose jo një kauzë e caktuar, kundërshtimi civil është një e drejtë e pamohueshme në çdo shoqëri normale. E drejtë është edhe protesta, mosbindja, solidarizimi me organizata të tjera, grevat, fushatat sensibilizuese e madje edhe grupi në Facebook. Në këtë kuptim, dokumenti që tashmë i mbeti në dorë vetëm Hajrulla Çekut nuk kishte asgjë për të vënë alarmin e për t’u distancuar prej tij si djalli prej temjanit. Madje edhe përmendja aty e disa emrave të shoqatave joqeveritare apo disa individëve të caktuar nuk është ndonjë tragjedi. Ato përmenden në dokument thjesht si partnerë apo mbështetës të mundshëm të strategjisë në fjalë. Secili ka të drejtë të pranojë ose jo të bëhet pjesë e një projekti të caktuar pa pasur nevojë të bërtasë me të madhe se i kanë përmendur emrin. Dhe secili i ka të afishuara qëndrimet e veta publike dhe nuk është se një dokument i tillë po i dekonspiron e po i vë në shënjestër të pushtetit. Nëse dikush kërkon ta përdorë këtë për t’u vetëviktimizuar për të disatën herë, kjo pastaj është diçka tjetër. Pra, nga të gjitha anët po ta shohësh, i ashtuquajturi plan për veprim nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë ilegale dhe, për rrjedhojë, asnjë arsye për të shkaktuar ato reagime që erdhën pas publikimit të tij.

Dokumenti i Çekut (përderisa zyrtarisht autorësia i mbeti atij), u fry në radhë të parë nga qeveria. I gjendur gjithnjë në një moment të vështirë, kryeministri Hashim Thaçi pati nevojë ta zmadhojë e t’i japë përmasat e gati një grushti shteti një letre të kundërshtimit korrekt dhe legal të politikave të caktuara të pushtetit. Kryeministri, madje, tha se askush nuk duhet të pretendojë që përmes dhunës të uzurpojë apo të marrë pushtet. Ai shkoi më larg duke evokuar indirekt Shqipërinë kur tha se shembujt e përcjellë në vendet përreth Kosovës nuk do të lejohen të barten në Prishtinë. Nëse do të merrej si shembull Shqipëria, do të vlente vetëm në rastin e kundërt, domethënë atëherë kur pushteti, për të dalë nga një situatë e ndërlikuar, ndërton skenarë për dhunë, puçe, jep idenë se gjendet i rrethuar nga armiq, të cilët nuk ia duan të mirën vendit të tyre etj. Në kohët e sotme këto taktika nga njëra anë janë krejtësisht të dala boje dhe, nga ana tjetër, dëshmojnë standardin e dyfishtë të atyre që qeverisin. Nëse Thaçi do të kishte qenë në opozitë, sigurisht do ta kishte vlerësuar dokumentin në fjalë dhe do ta mbështeste atë. Të njëjtën pati bërë edhe Berisha me disa organizata joqeveritare dhe media që mbështetën lëvizjen “Nano ik”. Pra kuptohet që trajtimi si komplot i një materiali normal bëhet vetëm për qëllime politike. Madje hiperbolizimi i tij gati e shndërroi në qesharak reagimin zyrtar.

Dhe do të kishte qenë vërtet për të qeshur ky skenar komploti sikur të mos kishte reaguar me një lloj kompleksi inferioriteti një pjesë e mirë e shoqërisë civile, mediave dhe organizatave të tjera të përmendura në dokument. Të gjithë nxituan të distancohen nga diçka mëse korrekte, vetëm nga frustrimi që të mos quhen pjesë e një plani për rrëzimin e qeverisë. Nëse dikush beson se një qeveri apo politikë e caktuar duhet ndërruar, këtë duhet ta thotë pa pasur drojë nga paragjykimet. Ideja e një shoqërie civile neutrale apo të paanshme është shterpë, për më tepër kur qëndrimet e saj dihen botërisht. Edhe sikur Hajrulla Çeku ta kish hartuar me kokë të vet atë plan veprimi, nuk duhej lënë i vetmuar, por duhej mbështetur nga ata që pretendojnë se mendojnë njëlloj me tekstin e famshëm. Jo thjesht për hir të Hajrulla Çekut si individ, por për të mos vrarë idealizmin, entuziazmin dhe besimin e atyre që ende besojnë te veprimi, angazhimi dhe solidariteti për të ndryshuar një realitet që nuk e pranojnë. Duke u kompleksuar nga gjuha ekstreme e qeverisë, në rastin Çeku u dha shembulli i kundërt. Atij i mbeti në dorë një tekst, për të cilin deri dje besonte se do ta nënshkruanin të gjithë. Një tekst i thjeshtë dhe i qartë, por që prodhoi një tërmet të stisur.

KOMENTE