Tiranë, 18 mars 2011, NOA- Policia e Shtetit dhe Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat nënshkruan një akt-Marrëveshja të përbashkët.
Nëpërmjet nënshkrimit të saj synohet plotësimi i kërkesave dhe detyrimeve të ndërsjella, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutiv, me synim parandalimin e veprimeve kundërshtuese apo kriminale, mbrojtjen, ndihmën e ndërsjellë, si dhe sigurinë e personelit gjatë kryerjes se detyrës në përputhje me ligjin, duke ruajtur secila palë pavarësinë institucionale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë nënshkrimit deklaroi se, “Nënshkrimi i kësaj Akt-Marrëveshje ka për qëllim unifikimin dhe standardizimin e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe përmbaruesve gjyqësore privat, gjatë veprimeve procedurale, për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutiv, duke garantuar standarde të etikës dhe rritjen e efikasitetit gjatë kryerjes së detyrës”.
Ndërsa Kryetari i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë, Petrit Qarri, tha: “Kombinimi i veprimeve operative midis Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat dhe Policisë së Shtetit, besoj se do ta çojnë më përpara punën e përmbaruesve gjyqësorë privat. Në këtë mënyrë do të bëjë të mundur edhe zbatimin e motos në punën tonë që është : “Një vendim i paekzekutuar është një drejtësi e vonuar. Mendoj se për qytetarët shqiptarë ka ardhur momenti për ta prekur drejtësinë që e kanë fituar përmes procesit gjyqësor ”.
a.y/NOA