English

Shkrirja e KQZ, Rama: Pse tërhiqem

Tiranë, 18 Mars 2011 NOA – Partia Socialiste dhe kreu i saj Edi Rama, tërhiqen nga kërkesat e shumta të ditëve të fundit që lidheshin me shkrirjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe largimin e kreut të saj Ristani.

Në një bashkëbisedim me gazetarët sot pasdreke, Kryetari i PS Edi Rama e pohoi këtë tërheqje të radhës nga kërkesat opozitare të dy viteve të fundit.

I pyetur nëse ai dhe PS tërhiqen nga kushti për riformatimin e KQZ-së, z.Rama u përgjigj: “Ne KQZ-në dhe çdo institucion tjetër e lëmë tërësisht të qetë të punojë por nuk do ta lëmë kurrë të qetë të manipulojë”, duke nënkuptuar se nuk ka asnjë pretendim më për të riformatuar KQZ.

Nga ana tjetër z.Rama tha se këto ditë ka ndarë “një sërë shqetësimesh me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara dhe me ambasadorin e OSBE-së sot, shqetësime që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e garantimit të procesit zgjedhor”.

Këtu Rama pohoi se “ne procesin zgjedhor e konsiderojmë të pa garantuar dhe vazhdojmë të mbrojmë fort bindjen që gjithçka e nevojshme për të pasur një proces zgjedhor që të mos i ngjajë farsës së herës së shkuar, por që të jetë një hap i konsiderueshëm përpara dhe që zgjedhjet të jetë të standardeve plotësisht europiane, mbase nuk mund të plotësohet në këtë kohë të mbetur, por ka disa aspekte që janë plotësisht të realizueshme dhe për këto aspekte plotësisht të realizueshme unë kam ndarë këto shqetësime”.

A keni ju pretendime lidhur me listat e zgjedhësve?

Vazhdon mungesa e transparencës me procesin e përgatitjes së listave, vazhdojnë problemet në lista. Ekipi i ekspertëve tanë që është ngarkuar me këtë çështje informon që ndoshta nesër do të jemi gati të bëjmë publike gjetjet e hetimit mbi listat që janë shqetësuese. Megjithatë do t’i vëmë në dispozicion të publikut dhe të drejtorisë në fjalë për ti përmirësuar. Ndërkohë që ka filluar një mësymje mbi administratën, që nga ministritë deri tek trupat mësimore në qytete të ndryshme të vendit, ku u kërkohen nëpunësve të administratës informacione shumë të çuditshme, mbi kartën e identitetit, mbi vendbanimin, mbi të tjera aspekte që krijojnë shumë shqetësim në këtë fazë ku ndodhemi. Dua të theksoj me shumë qartësi dhe fort faktin se ka një përpjekje përditë e më evidente për të përfshirë në një mënyrë të organizuar dhe të jashtëligjshme rrogëtarët e shtetit për nevojat e fushatës së pushtetit.

Por ne kemi informacion të mjaftueshme dhe të besueshëm se kjo nuk është e gjitha. KQZ-ja është përfshirë në një operacion të paligjshëm, kriminal, duke fotokopjuar për nevojat e pushtetit dhe të fushatës së pushtetit materiale zgjedhore që ju mohuan thuajse dy vjet me radhë publikut dhe deputetëve të opozitës që kërkuan transparencën mbi to. Ky është një veprim tërësisht i dënueshëm dhe përtej të dënueshmes ky është një veprim që kërcënon hapur zgjedhjet që kemi në prag. Rinxjerr në pah fizionominë e kësaj KQZ-je të diskretituar deri në palcë.

Askush ndër ne nuk ka pritur dhe nuk pret që Saliu dhe oborri i kusarisë që quhet gabimisht Qeveria e Republikës së Shqipërisë të sillet ndryshe me procesin zgjedhor dhe të mos bëjë çdo përpjekje për të rivjedhur zgjedhjet dhe rindaluar shqiptarët të zgjedhin ata që duan. Por nga ana tjetër ne jemi tërësisht të vendosur që të kundërpërgjigjemi në mënyrë adekuate ndaj gjithë kësaj përpjekje deformuese dhe realisht kërcënuese për zgjedhjet. Kjo përpjekje tregon edhe njëherë tjetër nëse është nevoja për ndokënd që ta shohë edhe njëherë tjetër, se pse u vodhën zgjedhjet e shkuara. Se pse shqiptarët gjenden thuajse çdo ditë përballë skandalesh të përmasave që shpeshherë kalojnë kufijtë e imagjinatës edhe për vetë një regjim kusarësh. Dhe sepse të gjitha trajtohen nga regjimi në raport me publikun, si çështje që s’kanë të bëjnë me interesat e vendit, të publikut apo edhe s’kanë të bëjnë me ata vetë. Për faktin e thjeshtë se kush i vjedh zgjedhjet nuk ndihet më i detyruar ti japi llogari zgjedhësve, sepse në vend se të varet prej zgjedhësve i ka kthyer ata në skllevër dhe jo e kundërta.

A keni ju komente mbi aferat e dyshuara të naftës virgin?

Dua ta nënvizoj përsëri historinë e tmerrshme të kontrabandës me naftën virgin. Është një ngjarje brenda së cilës lexohet i gjithë regjimi. Rrugë të hapura për një bandë që qartësisht i shërbente këtij oborri dhe drejtpërdrejtë Saliut. Një bandë që nuk gjente asnjë pengesë nga grabitja e naftës deri tek nxjerrja e fitimeve marramendëse duke mashtruar të tërë qytetarët e këtij vendi, në makinat e të cilëve futej një prodhim që është shkatërrues për makinën, shkatërrues për mjedisin. I gjithë ky cikël kusarie është me pasoja shkatërruese për vetë ekonominë e vendit, për vetë buxhetin e shtetit, pavarësisht dokrrave që publikon lidhur me çështjen e ashtuquajtura Ministria e Financave.

Ç’ka mbetet sot dramatike edhe njëherë tjetër për një tjetër skandal me përmasa dramatike, për një vend në mes të Europës është fakti se prapa hekurave është banda që ekzekutonte procesin e kontrabandës dhe në tryezën e qeverisë janë orkestruesit dhe përfituesit e këtij procesi, e pas tyre janë oborrtarët, familjarë e shërbëtor të atyre që e orkestruan procesin. Pra të qeveritarëve të këtij vendi me në krye Saliun.

Dua po ashtu të nënvizoj se mbeten rast pas rasti, radhë pas radhe, bashkë me këtë kontrabandë të zbuluar dhe për të cilën janë arrestuar një numër i tërë personash, që e përsëris janë ekzekutorët, jo urdhëruesit e përfituesit e mëdhenj edhe të gjitha rastet e tjera të patolerueshme në një vend europian që përbëjnë, arsye pas arsyesh, një numër të mjaftueshëm dhe madje të tepërta argumentesh për ta zbuar këtë pushtet dhe për ta çliruar Shqipërinë nga kthetrat e këtij oborri.

Si do t’i përgjigjeshit deklaratave të ambasadorëve që kanë shprehur se nuk ka më kohë për ndryshimin e kushteve dhe kreu i KQZ tha se nuk do të ndryshohen anëtari i katërt që i përkiste PS, do t’i çoni emrat e komisionerëve në KZAZ?

Nuk besoj që janë të barazvlefshëm dhe shpreh keqardhjen për ambasadorët që u përfshin në një pyetje bashkë me atë kryetarin e KQZ-së, i cili herët ose vonë do të duhet të dal përpara drejtësisë për një sërë shkeljesh të rënda të ligjit dhe për faktin se ka urdhëruar dhe lejuar fotokopjimin e materialeve zgjedhore në llagëmet e KQZ për t’ia vënë në dispozicion fushatës së PD.

Për sa i përket deklaratave të ambasadorëve ato janë deklarata që nënvizojnë mungesën e kohës për një reformë në Kodin Zgjedhor, por që nuk kanë të bëjnë me ato garanci të domosdoshme e plotësisht të realizueshme për të cilat ne flasim.

Ju tërhiqeni nga kushti juaj për riformatimin e KQZ-së?

Ne KQZ-në dhe çdo institucion tjetër e lëmë tërësisht të qetë të punojë por nuk do ta lëmë kurrë të qetë të manipulojë.

Janë shtuar ditët e fundit zëra nga elektorati socialist për një dëshirë për rikandidimin tuaj, a do ta plotësoni këtë dëshirë? Duke i konsideruar zgjedhjet e 8 majit si betejë politike mos po harroni synimin administrative që kanë ato për prezantimin e planin e zhvillimit të qytetit?

Zgjedhjet e 8 majit për sa na takon do të jenë një demonstratë e madhe e mbarë popullit opozitar, e çdo qytetari që kërkon ti çoj mesazhin e tij me votë Saliut. Në ndërkohë ky popull opozitar do të jetë i gatshëm të përballet, ashtu siç thonë hebrenjtë, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë me çdo lloj trupe dhe me çdo lloj forme të organizuar për të cënuar vullnetin e popullit të shprehur me votë.

Lidhur me pyetjen e parë, besoj që ditën e hënë do kemi përgjigjen e qartë, të plotë dhe të shtjelluar lidhur me çështjen.

Nëse fitoni dihet që do të kërkoni largimin e Berishës dhe zgjedhjet e parakohshme, por nëse humbni do të jepni dorëheqjen tuaj?

Mendoj që nëse-t, nuk janë pjesë e të folurit politik. Ndërkohë që besoj se largimin e Saliut u bë shumë kohë që e kemi kërkuar dhe nuk do ketë asnjë arsye në botë që të rreshtim së kërkuari, pavarësisht çdo vështirësie, çdo pengese, çdo mjegulle që do të ndeshim rrugës.

Është shprehur nga mazhoranca dje keqardhje për kërkesën për mocion për debat, nisur nga kjo është tërhequr PS nga kërkesa e saj për mocion për zonjën Topalli?

Keqardhja e Jozefinës më shton vetëm keqardhje për Jozefinën.

Cilat janë kushtet që garantojnë këtë proces zgjedhor sipas jush? A do vazhdojnë protestat e PS duke qenë se ndodhemi vetëm pak ditë larg nga fushata zgjedhore?

Janë të pandara nga njëra-tjetra, në kuptimin që ne jemi përballë. Ne do të vazhdojmë të përballemi me këtë regjim kusarësh, ashtu siç e kemi thënë, me çdo formë e mjet demokratik.

KOMENTE