Prishtinë, 18 mars 2011, NOA – Forcimi i bashkëpunimit dhe politikës së jashtme e diplomacisë mes Kosovës dhe Shqipërisë me lajtmotiv shtimin e numrit të njohjeve të shtetit të ri ishin në qendër të takimit që pati në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto. Kryeministri Thaçi shprehu vizionin e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve kosovare për një politikë të jashtme proaktive, të koordinuar me miqtë e Kosovës, duke përmendur në mënyrë të veçantë rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe po luan Qeveria e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi falenderoi ministrin Haxhinasto dhe Qeverinë Shqiptare për kontributin e madh që i kanë dhënë Kosovës në procesin e njohjeve për shtetin e Kosovës dhe afirmimit të arritjeve të shtetit më të ri në botë.
Nga ana e tij, ministri Haxhinasto e garantoi kryeministrin Thaçi se qeveria shqiptare është e vendosur për thellimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve diplomatike me Qeverinë e Kosovës, në funksion të shtimit të numrit të njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
mit/NOA