Tiranë, 18 mars 2011, NOA- Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ishte i pranishëm ditën e sotme në Konferencën e XI të Anestezistëve dhe Reanimatorëve.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet ministri i Shëndetësisë u shpreh se, anestezia e reanimacioni në Shqipëri janë kuptuar drejt dhe operojnë me koncepte dhe ide te kohës.
Ai theksoi se raporti i shëndetësisë politikbërëse, asaj qe drejton apo menaxhon dhe shërbimit vetë është një raport shumë pozitv e komunikativ dhe investimi i vazhdueshëm që po bëhet ka qenë gjithmonë i prirur të orientojë qartë në mjekësinë shqiptare idenë që për reanimacionin , terapinë intensive, kurimin ndaj dhimbjes të përbëjnë një prioritet të padiskutueshëm që reflektohet edhe nëpërmjet investimeve që bëhen qoftë në infrastrukturë ashtu edhe në teknologji.
“Pavarësisht nga investimet madhore sikurse ai në Spitalin e ri në Tiranë i cili ka një qendër të re tërësisht bashkëkohore por edhe investimet e bëra në reanimacionin e Spitalit Infektiv, në Spitalin e ri të Kavajës, në Vlorë, Shkodër dhe në Elbasan më së fundi, jemi përpjekur dhe kemi bërë të pamundurën që njësitë e reanimacionit të jenë sa më të kompletuara dhe mesazhi të jetë i vazhdueshëm që ky shërbim është një shërbim që ne e konsiderojmë strategjik në pikëpamje të shërbimit klinik që ofrohet për popullatën”, deklaroi Vasili.
Ai vlerësoi edhe veprimtarinë e përditshme të mjekëve dhe reanimatorëve që sipas tij është e tëra një histori suksesi dhe nga komunikimet që janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme edhe me kolegë të huaj të cilët kanë pasur mundësinë të konsultojnë rastet të cilët kanë ardhur nga Shqipëria gjëja që është vënë në dukje ka qenë se cilësia e reanimacionit të dhënë ka qenë mjaft e mirë dhe bashkëkohore dhe ka mundësuar jo vetëm zgjatjen e jetës së të sëmurit por ka krijuar premisë edhe për ndërhyrje të mëvonshme.
Ministri Vasili vlerësoi edhe traditën shumëvjeçare të krijuar dhe konsolidimin e këtij komuniteti profesionistesh që sipas tij përbëjnë një garanci që jo vetëm e tashmja është e mirë por edhe e ardhmja e mjaft reanimatorëve të rinj që formohen në mënyrë të vazhdueshme, të mundësojnë gjithnjë arritje të pandalshme.
a.y/NOA