Bularat-Gjirokastër, 18 mars 2011, NOA – Mbetet mister vjedhja e sotme në kishën e fshatit Bularat në komunën e Dropullit të Sipërm në Gjirokastër, e cila është bërë shënjestra e vjedhjes por pa u dëmtuar aspak dera e kishës. Ka qenë vetë kryeplaku i fshatit Bularat që ka bërë kallëzimin e ngjarjes në policinë e Gjirokastrës, pas konstatimit se dera e kishës ishte e shqyer.
Sipas policisë dera e shqyer e kishës ishte konstatuar sot në orën 08.20 të mëngjesit nga kujdestari i kishës.
Policia vërejti se kujdestari i kishës pa lajmëruar më parë policinë për ngjarjen kishte lënë të hynin në mjediset e kishës besimtarë, të cilët po kryenin ritet fetare.
Policia konstatoi se në derën e jashtme të kishës, por edhe në atë të brendshme e te ikonostasi nuk kishte asnjë shenjë dhune.
Sipas pretendimeve të kujdestarit të kishës në kishë ishin vjedhur një kazan ku vaftisen apo pagëzohen fëmijët dhe dy ikona me vlerë të papërfillshme.
Sipas policisë në asnjë kishë nuk ka inventar të materialeve të kishës.
Blutë e Gjirokastrës bëjnë me dije se kujdestari i kishës nuk ka pranuar të denoncojë vjedhjen duke deklaruar se nuk ka pretendime dhe nuk do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
Megjithatë grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, pasi dyshohet se dera është hapur me çelës.
Sipas të dhënave kisha e fshatit Bularat është vjedhur një herë në vitin 2004 dhe në vitin 2007 dhe autori i vjedhjeve është arrestuar në vitin 2008.
Gjithashtu gjatë muajit shkurt të këtij viti Komisariati i Policisë së Gjirokastrës ka zbardhur vjedhjen e gjashtë kishave në vitin 2010, për të cilat janë ndaluar dy shtetas si autorë të dyshuar për vjedhjet.
mit/NOA