Tiranë, 18 mars 2011, NOA - Pushuesit do të jetojnë një verë edhe më të gjallëruar falë teknologjisë 3G. Këtë e ka bërë publike sot Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Haris Broumidis, i cili deklaroi në një konferencë për shtyp se “Jam i lumtur t’ju informoj se mbas prezantimit të teknologjisë 3G në kryeqytet, tashmë kemi avancuar me shtrirjen e rrjetit 3G në Durrës, Elbasan, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë dhe në një numër zonash rreth këtyre qyteteve”.
Zoti Broumidis bëri me dije se Vodafone ka plane të qarta për të ofruar shërbimet në zonat me popullsi më të dendur brenda verës 2011.
“Brenda pak javësh rrjeti 3G do të jetë aktiv në Shkodër, Lezhë, Krujë dhe në zonat rreth tyre. Kemi planifikuar që të mbulojmë me sinjal 3G të gjitha qytetet kryesore të vendit, përfshirë zonat e populluara bregdetare, brenda verës 2011”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone.
Sipas Broumidis, teknologjia 3G e ofruar nga Vodafone është e nivelit më të avancuar, me shpejtësi të internetit 3G deri në 14.4 Mbps.
“Ne po sjellim në Shqipëri teknologjinë superiore 3G që lejon shpejtësi interneti deri në 14.4 Mbps në fazën fillestare, e që shumë shpejt, ndërsa rritet kërkesa e konsumatorit, mund ngrihet në nivele shpejtësie akoma dhe më të larta. Ne besojmë se shqiptarët meritojnë që të kenë një nga teknologjitë 3G më të avancuara në rajon”, nënvizoi Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania. Teknologjia 3G, e pranishme në Shqipëri që prej muajit Janar 2011 pritet që t’i japë një zhvillim të mëtejshëm komunikimit të konsumatorëve individualë, bizneseve si dhe vizitorëve të huaj që përdorin shërbimin roaming në Shqipëri.
Tashmë abonentët kanë mundësinë që nga aparatet e tyre celularë apo kompjuterat personalë të aksesojnë aplikime që kërkojnë nivel të lartë të shpejtësisë së internetit.
Teknologjia 3G mundëson internet të shpejtë përmes të cilit navigimi, shkarkimi dhe shikimi i përmbajtjeve media bëhet më i lehtë se kurrë.
NOA