Tiranë, 18 mars 2011, NOA- Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho përshëndeti simpatizantët e kësaj partie për mbështetjen e dhënë me rastin e çeljes së fushatës për Tiranën.
Gjatë fjalës së saj ajo tha se tashmë janë filluar dëgjesat me qytetarët për çdo shqetësim në çdo lagje, në çdo rrugë kjo në mënyrë që të evidentohen problemet e vërteta të çdo komuniteti.
“Këto dëgjesa po na ndihmojnë për hartimin e një programi sa më përfaqësues dhe serioz që do të përçojë zërin e çdo komuniteti dhe në këtë mënyrë do të mund t’i japë zgjidhje shumë çështjeve që janë thënë shumë herë, por askush nuk i ka dëgjuar”, u shpreh Xhixho.
Në emër të LSI-së ajo e cilësoi ofertën e partisë si një ofertë që mund t’i japë zgjidhje problemeve të qytetarëve dhe jo të krijojë probleme të reja për qytetarët.
Ndër të tjera nënkryetarja e LSI-së, por edhe kandidate në zgjedhjet e 8 majit, për zonën e Komunës së Parisit, lëshoi edhe thirrjen e parë si kandidate: “Ne besojmë që Tiranës i duhen politikanë që dëgjojnë dhe më pas veprojnë në bazë të atyre që dëgjojnë”.
a.y/NOA