Bengazi, 19 mars 2011 - Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se forcat aleate ajrore kanë arritur mbi Libi për të parandaluar trupat e Muamar Gadafit nga bombardimi i Bengazit. Duke folur pas takimit në Paris të liderëve evropianë, amerikanë dhe arabë, Sarkozi tha se komuniteti ndërkombëtar do të ndërhyjë për të ndaluar "çmendurinë vrasëse" të Gadafit.
Burimet ushtarake citohen të kenë thënë se disa avionë francezë po fluturojnë mbi Libi, ndërsa avionët danezë dhe amerikanë kanë arritur në bazën ajrore në Itali.
Mijëra njerëz janë larguar nga Bengazi, pasi trupat qeveritare sulmuan periferinë perëndimore të qytetit. Një zëdhënës i protestuesve tha se forcat besnike të Muamer Gadafit po sulmojnë me artileri dhe tanke.
Tripoli këmbëngul se ushtarët e tij po veprojnë në vetëmbrojtje nga sulmet e kryengritësve, ndërsa hedh poshtë akuzat për prishje të armëpushimit.
Në mesazhet e lexuara nga zëdhënësi i qeverisë, Musa Ibrahim, udhëheqësi libian, Muamer Gadafi, paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar kundër ndërhyrjes.
“Libia nuk është e juaja. Libia është e libianëve. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit është e pavlefshme”, tha ai në mesazhin drejtuar liderëve të Francës dhe Britanisë, si dhe kreut të OKB-së.
“Kjo është padrejtësi, është një agresion i qartë dhe është një rrezik i paparashikueshëm për pasojat në Mesdhe dhe Evropë. Ju kurrë nuk keni të drejtë të ndërhyni në punët tona të brendshme. Kush ju jep juve të drejtën për të ndërhyrë në punët tona? Ju do të zhgënjeheni nëse ndërmerrni hapa drejt ndërhyrjes në punët tona të brendshme”, ka thënë Ibrahim.
Mesazhi i Gadafit drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, kishte një ton më të butë. Ai thotë se Libia po lufton kundër forcave të Al-Kaidës.
“Çfarë do të bënit ju nëse zbuloni se ata kontrollojnë qytetet amerikane me fuqinë e armëve? Na tregoni se si do të silleshit ju, në mënyrë që ne ta ndjekim shembullin e juaj”, ka përcjellë Ibrahim mesazhin e Gadafit, citon radio Evropa e Lirë.
Presidenti Obama ka paralajmëruar udhëheqësin libian se do të përballet me ndërhyrje ushtarake nëse nuk vepron në përputhje të plotë me rezolutën e Kombeve të Bashkuara. Obama tha se Gadafi duhet ta respektojë plotësisht armëpushimin e shpallur nga autoritetet.
“Më lejoni të jem i qartë: këto kushte nuk janë të negociueshme. Këto kushte nuk janë subjekt i negociatave. Nëse Gadafi nuk vepron në pajtim me rezolutën, komuniteti ndërkombëtar do të zbatojë masat dhe zgjidhja do të arrihet përmes veprimit ushtarak”, ka thënë Obama.
Por, përfaqësuesit e Kongresit amerikan thanë se presidenti Obama duhet të marrë miratimin e këtij institucioni për operacionet ushtarake.
"Fakti që Shtetet e Bashkuara duan të reagojnë ushtarakisht, nuk paraqet vetëm vendimin e OKB-së. Në Kushtetutë ekziston neni rreth angazhimit të forcave tona të armatosura", tha përfaqësuesi demokrat, Denis Kuciniç.
"Presidenti nuk duhet të lejojë veprimin ushtarak në Libi pa votën e përfaqësuesve të popullit", tha kryetari republikan, Riçard Lugar.
Ky i fundit përkujtoi se ish-presidenti Roland Regan, 25 vjet më parë, ka kërkuar miratimin e Kongresit për bombardimin e Libisë.
Sot në Paris, përfaqësuesit e fuqive botërore diskutojnë mundësitë e ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare në Libi.
Në takim marrin pjesë zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Lidhjes Arabe dhe Unionit Afrikan. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, janë gjithashtu të pranishëm.