English

Berisha: Ishmi, frymëzim për piktorë të mëdhenj, jo bojaxhinj

Ishëm-Durrës, 19 mars 2011, NOA – Në vijim të inaugurimit të rrugëve të reja, kryeministri Sali Berisha zbriti sot në fshatin Ishëm të qytetit të Durrësit ku inauguroi rrugën 13.4 km të gjatë Bubq-Ishëm, e ndërtuar me një investim të qeverisë prej 342 milion lekësh. Kjo rrugë e ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore lidh komunat Bubq dhe Ishëm dhe u vjen në ndihmë 7 mijë banorëve të zonës. Fshatrat që përfitojnë nga ky investim janë Bubqi, Mazhë e Madhe, Mazhë e Vogël, Mallkuc, Gjuricaj, Kapedane dhe Ishëm.

Kryeministri Berisha në krye të inaugurimit të rrugës së re u takua me banorë të Ishmit, duke u shprehur atyre se rruga e re Bubq-Ishëm është një prej rrugëve më panoramike të vendit.

Sipas tij kjo rrugë që lidh fshatra të mbjella me frutikulturë, do të lehtësojë ndjeshëm punën e përditshme të fermerëve të zonës.

Duke iu referuar Ishmit, vendit ku u lind piktori i madh i artit modern Ibrahim Kodra, e cilësoi një fshat frymëzues për piktorë të mëdhenj e vizitorë të rëndësishëm të kohërave.

“Kodrat e Ishmit marrin infrastrukturën evropiane që meritojnë”, vlerësoi kryeministri.

Duke folur për projektet në infrastrukturë shefi i ekzekutivit bëri të ditur se shumë shpejt do të përfundojë rruga e Shën-Pjetër- Draç -Shetaj-Kisha e Skënderbeut me një gjatësi rreth 12 km, që sikundër tha ai do të jetë një investim tjetër madhor për komunat e kësaj zone.

Ai theksoi se vetëm në komunën e Ishmit gjatë këtij mandati janë përfunduar dy herë më shumë rrugë se sa çka ndërtuar kryetari i bashkisë së Tiranës për kryeqytetin e vendit.

E duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 8 majit, Kryeministri garantoi se “Ju garantoj se në mandatin që vjen kryetarët e të gjitha komunave të gjithë trajektoren e saj do ta ndriçojnë tërësisht. Drita në kodër, në mënyrë që mos ta shijoni vetëm ju, port a shijojnë nga larg të gjithë shqiptarët bukurinë impresionuese të zonës suaj”, tha shefi i qeverisë.

mit/NOA

KOMENTE