Ishëm (Durrës), 19 mars, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë takimit me banorët e zonës së Ishmit, se qeveria është e vendosur të investojë edhe më shumë për zhvillimin e kësaj zone.
Në fjalën e tij, Berisha është ndalur edhe në fushatën elektorale dhe qëndrimin e Partisë Socialiste. Berisha u shpreh se Rama kërkon që të shtyhet edhe debati me kundërshtarin e Partisë Demokratike.
“Këtë fushatë do t’a përqendrojmë tërësisht në projekte për ju. Ai që nuk vë përpara interesat e qytetarëve del e bërtet se do bëjë fushatë politike. Sigurisht se përveç sharjeve nuk ke ç’i thua qytetarëve të Tiranës që ke bërë për ta. Nuk mund të përballoje debatin. Ndaj i dërgon mesazh kundërshtarit politik që të heqim dorë nga debati. Jo, jo. Zotëria që dy vitet e fundit ka bërë vetëm kutinë nuk ka ç’i thotë qytetarëve të Tiranës ndaj ka vendosur të bëjë fushatë sharjesh. Eterit bijve do ja u kishin zili”, tha sot Berisha.
Kryeministri shtoi se 8 maji do të jetë një festë për qytetarët dhe jo një demonstratë siç thotë kreu i PS-së.
“Alternativa jonë e vlerave është jetike. Zotëria e tij kërkon të shndërroje zgjedhjet e 8 majit në demonstratë. Ne në festë. Do shndërrojmë 8 majin në ditën e dinjitetit tonë njerëzor. Ftoj komisionerët socialiste të mos dëgjojnë akuzat e tij. Punën e tyre ja kanë vlerësuar vëzhguesit ndërkombëtar. Dyshimin atij s’ia heqim dot. Ta lënë Mr. Dyshimin”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë u shtoi se në qendër të debatit do të jenë problemet e qytetarëve dhe do të investohet për zhvillimin urban.
“Le t’i lëmë ata. Gjatë mandatit që vjen të gjithë trajektoren e rrugës do ta ndryshojnë tërësisht. Drita në Kodër. Qeveria do të financoje çdo drurë frutorë, serat e diellit, do të nxisë shtimin e prodhimeve tuaja”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “kodrat e Ishmit kanë frymëzuar piktorë. Kanë tërhequr vizitorë. E ka vizituar Maksimiliani i Parë. Por Ishmi nuk kishte infrastrukturë. Sot zona juaj merr
infrastrukturën evropiane që meriton. Së shpejti inaugurojmë rrugën Shën Pjetër -Drac
-Shetaj, Rrugën e Skënderbeut”.
Kreu i qeverisë tha se këtë mandat do të inaugurojmë dy herë më shumë rrugë se ç’ka inauguruar Kryetari Bashkisë së Tiranës. “Rama nën moton se më duhet politika dhe jo qytetari, lekët që në i dhamë për rrugët e Tiranës i shndërroi në rroga për bashkinë. Po ecim drejt një fushate elektorale, e cila është fushate e lidhur me interesat tuaja, familjeve tuaja, me infrastrukturën, shkollat etj. Do të asfaltojmë çdo rrugë, çdo rrugicë të fshatrave tuaja njëlloj si në qytete”, tha Berisha.
a.k/NOA