English

DR merr pjesë, PDSH refuzon takimin e liderëve

Shkup, 19 mars 2011, NOA- Demokracia e Re bëri të ditur sot se do të marrë pjesë në takimin e nesërm të liderëve të thirrur nga presidenti Ivanov, derisa PDSH ka refuzuar pjesëmarrjen.

Presidenti Gjorgje Ivanov si organizator i këtij takimi liderësh ka theksuar se ka thirrur takimin e liderëve me pjesëmarrje më të zgjeruar, por deri tani ftesat janë konfirmuar nga dy partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI, si dhe partitë opozitare LSDM, DR, por jo edhe nga PDSH-ja.

Zëdhënësi i DR-së, Arjanit Hoxha ka theksuar se lideri i tyre do të jetë i pranishëm në takimin e liderëve, për të ofruar sugjerimet dhe ofertën konkrete të DR-së për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Ai theksoi se të gjitha kërkesat dhe oferta e DR-së do ti shpaloset liderëve dhe presidentit, ndërsa ato do të jenë publike edhe për opinionin e gjerë.

Nga ana tjetër, në PDSH kanë theksuar se nuk do të marrin pjesë në takimet e formatit të tillë, pasi që presidenti Ivanov nuk është legjitim për partinë e tyre dhe ai nuk njihet si president shteti. Në takimin e nesërm pritet të arrihet zhbllokimi i krizës politike, ndërsa në asistim indirekt janë të kyçur edhe diplomatë euro-perëndimor për të gjetur një zgjidhje të krizës politike, drejt arritjes së një marrëveshje për të përmbushur kërkesat e opozitës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

(INA)/ NOA

KOMENTE