Tiranë, 19 Mars 2011 NOA – Kryeministri Sali Berisha i dërgon një telegram Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.
Berisha i shpreh Obamës ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-sekretari amerikan të Shtetit, Uoren Kristofer, i cili sot ka ndërruar jetë në moshën 85 vjeçare.
Ndërmjetësuesi i paqes në Bosnjë dhe negociatori për lirimin e pengjeve amerikane në Iran ka vdekur në një spital të Kalifornisë. Ai vuante nga komplikimet në veshka.
Në telegramin e tij, z.Berisha shprehet:
I dashur zoti President,
Me keqardhje te thelle kam mesuar per ndarjen nga jeta te politikanit dhe diplomatit te shquar amerikan por edhe mikut të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, ish-Sekretarit te Shtetit Warren Christopher.
Më lejoni që në këtë çast dhimbjeje në radhë të parë për familjarët e Warren Christopher por edhe për ju, qeverinë tuaj dhe popullin mik amerikan t’ju shpreh, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e këtij personaliteti e miku të shquar.
Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë kontributin sekretarit Warren Christopher në mbështetje të konsolidimit të reformave demokratike në Shqipëri por edhe kontributin e tij për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor në një periudhë shumë të dhimbshme të historisë së tij, ndaj ndajnë sot me familjen Christopher me ju dhe kombin mik e të madh amerikan hidhërimin për humbjen e këtij amerikani e diplomati të madh dhe i bashkohen lutjeve tuaj që shpirti i tij të gjej paqen e amëshuar”, - përfundon mesazhi i z.Berisha.
e.t/NOA