English

Kryeprokurori: Limaj nuk ka imunitet, akuzat ndaj tij në kohën kur nuk ishte deputet

Prishtinë, 19 mars 2011, NOA- Dilemat lidhur me imunitetin e të akuzuarit të EULEX për krime lufte, Fatmir Limaj i ka hequr kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi.

Ai ka thënë se ish-ministri i Transportit, i cili është i akuzuar, nuk ka imunitet pasi veprimet e tij janë kryer në kohën kur nuk ishte deputet.

Këtë deklaratë të tijën ai e ka mbështetur në pikën 1 të nenit 9 të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, ku thuhet se deputetët e Kuvendit të Kosovës, gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre gjatë kryerjes së funksionit si deputetë dhe nuk gëzojnë imunitet për veprat penale të ushtruara para se të zgjidhen në këtë post.

Kjo sipas Kabashit do të thotë se imuniteti është i pavlefshëm për vepra që mund të jenë kryer para zgjedhjeve të fundit.

Ka qenë pikërisht kjo çështja që ka frenuar misionin EULEX të veprojë ndaj Limaj, por tashmë nuk dihet ende se cila do të jetë rruga që do të ndiqet lidhur me të.

a.y/NOA

KOMENTE