Tiranë, 19 mars 2011, NOA- (Update) Policia e Shtetit pak minuta më parë në një deklaratë për mediat ka saktësuar emrat dhe akuzat e nëntë personave të arrestuar.
Ky arrestim ka ardhur pas 1 vit hetimi, dhe si rrjedhojë e tij kanë rënë në pranga Presidenti i klubit të futbollit të Rubikut Paro Laçi, i moshës 45 vjeçare, i njohur si ish-presidenti i klubit të futbollit të Partizanit.
Krahas tij në prangat e policisë kanë rënë edhe 8 persona të tjerë:
1-Edmond Gjergj Temali 42 vjeç, banues në Shkodër
2-Agron Gjon Arusha, 36 vjeç, banues në Velipojë Shkodër
3-Bledar Bashkim Kume, 25 vjeç , banues në Laç, Kurbin,
4-Kozma Lazri Kule, 52 vjeç, banues në Berat.
5-Shkëlqim Jashar Balliu, 45 vjeç, banues në Berat, gjyqtar sportiv.
6-Endri Ali Dimo, 20 vjeç, nga Elbasani
7-Altin Mehmet Xhura, 34 vjeç, nga Dibra, me aktivitet privat në fushën e tregtimit të gomave të automjeteve.
8- Agron Faik Laçi, 34 vjeç, banues në Tiranë
Sipas policisë, Paro Laçi u kap në flagrancë pasi kishte marrë 40 mijë euro për dhënien e një licence minerare në kundërshtim me ligjin.
Ndërkohë mbi të ndaluarit e tjerë rëndojnë edhe akuzat e marrjes së shumave të konsiderueshme të parave për lirimin e një të dënuari për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.
Ndërkohë një tjetër akuzë që rëndon ndaj tij dhe tetë të ndaluarve të tjerë është edhe trukimi për ndeshjet e futbollit.
I ndaluari Paro Laçi ishte shoqëruar sot në mesditë në ambientet e policisë dhe vetëm pak më parë u urdhërua arrestimi ndaj tij.
Këto arrestime u bënë nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore “Task Forcë” kundër Korrupsionit dhe Krimit Financiar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
a.y/NOA