English

LSI: Zëdhënësi i Ramës flet si djali i Gadafit

Tiranë, 19 mars, NOA - Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizje Socialiste për Integrim, Luan Rama tha sot se sulmet e Partisë socialiste ndaj KQZ-së kërkojnë të përgatisin justifikimin e humbjes së saj. Në një deklaratë për mediat, Rama u shpreh se edhe fokusimi i fushatës çështje politike përpiqet të fsheh dështimin e kreut të PS.

“Që kryetari i PS-së, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, të dalë në Tiranë, pranë Sheshit “Skënderbej” dhe të thotë fajin e ka Berisha për gropën e shëmtuar që ka hapur në qendër të Tiranës, për betonizimin skandaloz që i ka bërë Tiranës, për trafikun skandaloz në të cilin gjenden qytetarët e Tiranës, për vrasjen, djegien dhe shkatërrimin e çdo hapësire të gjelbër në qytetin e Tiranës as më pak e as më shumë e gjitha kjo ngjan me një kloun tepër qesharake që natyrisht do të marrë përgjigjen dhe vlerësimin e duhur më 8 maj”, tha Rama.

Ai ka akuzuar dhe personazhet e tjerë të opozitës, të cilët sipas Ramës flasin me të njëjtën gjuhë si familjarët e liderit të Libisë.

“Si për të thënë që nuk është vetëm kryetari i PS-së, por është i gjithë enturazhi i tij që mban të njëjtin qëndrim, dëgjojmë edhe zëdhënësin më të spikatur politik të kryetarit të PS-së, që sulmon aktorët, partnerët ndërkombëtarë, përfaqësuesit e nderuar të trupit diplomatik që gjendet në Shqipëri, duke na kujtuar që as më pak e as më shumë edhe ai i shkreti flet njësoj si të ishte djali i Gadafit”, tha sot Rama.

Rama u shpreh se për herë të parë në historinë e saj, PS po paraqitet në zgjedhje pa një program.

“Është hera e parë në këto 20 vjet që PS-ja shfaqet përpara qytetarëve pa një projekt, pa alternativë, pa program konkret dhe real zhvillimi dhe prezantohet për fat të keq me një slogan jo vetëm të pavend dhe pa asnjë vlerë, por e shndërron të gjithë atë që po bën PS-ja në një parodi qesharake”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE