Problemet rreth centralit bërthamor në Fukushima, të shkaktuara nga tërmeti dhe cunami që goditi Japoninë, kanë ngjallur debate për sigurinë bërthamore.
Radio Evropa e Lirë thotë se ndër problemet e centralit në Fukushima mund të jetë vjetërsia e uzinës, por edhe mungesa e një parashikimi për tërmet dhe cunami njëkohësisht.
Pas Çernobilit, dhe tani Fukushima, mbetet e paqartë nëse energjia bërthamore është e sigurt.
Bashkimi Evropian ka arritur marrëveshje për të kryer teste në centralet bërthamore të kontinentit.
Shefi i energjisë, Gunter Oetinger, tha se testet do të bëhen në baza "vullnetare" dhe do të vërtetojnë nëse 153 reaktorët e vendosur në Evropë mund t'u rezistojnë tërmeteve, cunamit apo sulmeve terroriste.
Komisioni Evropian bëri njoftimin pas bisedimeve emergjente me ministrat dhe udhëheqësit e industrisë bërthamore, që u zhvilluan si pasojë e incidenteve atomike në Japoni, të shkaktuara nga tërmeti.
Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel njoftoi për mbylljen e përkohshme të shtatë reaktorëve bërthamorë.
Vendimi do të ndikojë në shtatë reaktorë, të cilët janë vënë në veprim qysh para viteve ‘80. Ata do të qëndrojnë të mbyllur për të paktën tre muaj.
Sipas sondazheve, shumica dërrmuese e gjermanëve janë kundër energjisë bërthamore.
Ndërsa, edhe në Rusi u dha urdhri për një rishikim urgjent të sektorit bërthamor të vendit.
Mirëpo, presidenti rus, Dimitri Medvedev, tha se stacionet bërthamore në Rusi janë ndërtuar në vendin e duhur dhe se ato janë projektuar dhe menaxhuar siç duhet.
Ndërkohë, Turqia nënshkroi marrëveshje me Rusinë për ndërtimin e stacionit të parë bërthamor në vend. Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, tha se planet e Ankarasë për centralet atomike mbeten të pandryshuara.
Shqetësimet për energjinë bërthamore janë rritur pas incidenteve atomike në Japoni, të shkaktuara nga tërmeti i javës së kaluar.
I shqetësuar thellë lidhur me krizën, nëpër të cilën po kalon vendi, pas tërmetit të javës së kaluar, është shprehur edhe perandori i Japonisë, Akihito.
Të mërkurën, punëtorët në centralin bërthamor të Fukushimës u detyruan ta ndërpresin punën përkohësisht, për shkak të niveleve të larta të rrezatimit.
Impianti në veri të Tokios është goditur nga disa shpërthime dhe zjarre pas dëmtimeve që ka pësuar nga tërmeti dhe cunami.
Helikopterët ushtarakë vazhdojnë të bartin ujë mbi reaktorët me sisteme të dëmtuara të ftohjes.
Autoritetet qeveritare thonë se rrezatimi nuk përbën rrezik të menjëhershëm shëndetësor për njerëzit jashtë zonës 20-kilometërshe të uzinës, e cila tashmë është evakuuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qeverive aziatike të ndalojnë “thashethemet” për përhapje të rrezatimit përtej Japonisë.