English

“Shqipëria është Kulturë” 2011, Malta, Kalabria dhe “Show Cooking” në Apoloni

Malta, Kalabria dhe gatimet delikate pulieze me “Show Cooking”, në Apoloni për edicionin e dytë të Festivalit mbarëkombëtar “Shqipëria është Kulturë” 2011. Nënshkruhet në prani të mediave në bashkinë e Fierit marrëveshja për organizimin e eventit, nga prof. Dr. Salvatore Messina, rektor i Universitetit Europian për Turizmin dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo

Fier, 19 Mars 2011 NOA – Nënshkruhet marrëveshja për organizimin e edicionit të dytë të Festivalit mbarëkombëtar “Shqipëria është Kulturë” 2011. Ky eveniment do të zhvillohet në datat 26-29 maj 2011 në Apoloni të Fierit dhe më 30 maj në Tiranë.

Ky është një projekt i Universitetit Europian për Turizmin në bashkëpunim me bashkinë e Fierit dhe Parkun e Apolonisë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera.

Projekti synon nxjerrjen në pah të talenteve të rinj në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës dhe shërben për promovimin e traditave dhe kulturës shqiptare dhe zhvillimin e turizmit në vendin tonë.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të mediave në bashkinë e Fierit nga prof. Dr. Salvatore Messina, rektor i Universitetit Europian për Turizmin dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo.

Më pas, në konferencën për shtyp, u dhanë hollësi mbi këtë eveniment dhe risitë që sjell ai këtë vit.

Kryetari i Bashkisë së Fierit, z. Baftjar Zeqo tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje synohet që edicioni i dytë të jetë edhe më i mirë nga ai i vjetshmi dhe të afrojë sa më shumë të rinj e të reja dhe familjarë të tyre në këtë shpalosje të talenteve në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës.

Z. Zeqo vuri në dukje faktin se edicioni i kaluar që u zhvillua në datat 6-9 maj në Apoloni dhe më tej më 10 maj në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ku u organizua në konferencë ndërkombëtare për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri, sollën vlera të reja dhe evidentim të talenteve. Ai veçoi dhe faktin se të paktën 12 mijë vetë ndoqën këtë eveniment në Apoloni. Kurse pohoi se “gjatë ditëve të fundit të majit, Apolonia dhe qyteti i Fierit do të shndërrohen në kryeqytet i kulturës dhe turizmit mbarëkombëtar”.

Dr. Messina, tha se me moton “Të rinjtë pushtojnë Apoloninë”, edhe sivjet do të ketë risi të shumta. Kështu ai përmendi faktin se për herë të parë evenimenti do të mirëpresë miq nga Malta, të cilët do të demonstrojnë traditat e popullit maltez.

Po ashtu në eveniment do të vijnë një grup arbëreshësh të Italisë, nga Kalabria. Me kostume popullore të kohërave ata do të spikasin vlerat kombëtare shqiptare në edicionin e dytë të festivalit mbarëkombëtar “Shqipëria është Kulturë”.

Drejtori artistik i evenimenti, Agron Xoxa, ftoi djemtë dhe vajzat nga mosha 16 deri në 25 vjeç që të marrin pjesë në audicionet që po zhvillohen në të gjitha shkollat publike të vendit. Z.Xoxa shpjegoi se audicionet e këtij viti do të bëhen përmes seleksionimit të të rinjve dhe të rejave në shkolla për çdo qytet dhe më tej, një audicion përzgjedhës në formë koncerti në mjedise artistike të çdo qyteti. Prej këtyre përzgjedhjeve të organizuara në formë programi artistik do të seleksionohen dhe finalistët që do të shkojnë në katër ditët e festivalit.

Marin Haxhimihali, drejtor i Parkut Kombëtar të Apolonisë, tha se është i lumtur të afrohen sivjet sërish, mijëra vajza dhe djem në evenimentin që gjallëron si asnjëherë tjetër këtë park kombëtar me vlera të larta kombëtare.

Risi tjetër e këtij evenimenti është dhe mbërritja posaçërisht për festivalin e një grupi artistik nga rajoni i Pulias në Itali.

Surprizë e festivalit në maratonën katër ditore në Apoloni është dhe organizimi i panairit të eventit. Atje, do të zhvillohet edhe Show Cooking. Mjeshtra të kuzhinës pulieze do të bëjnë gatime tradicionale tipike italiane për të pranishmit.

Një tjetër risi i evenimenti është dhe organizimi i festës së Diellit dhe po ashtu edhe loja e famshme “Gjuetarët e thesarit”.

Po ashtu, në bashkëpunim me agjenci udhëtimi, po përgatiten paketa turistike në shkollat evropiane që të marrin pjesë në maratonën katërditore në Apoloni.

e.t/NOA

KOMENTE