English

Tradhti politike

Hija e tradhtisë në politikën shqiptare të post-diktaturës

Nga Pirro Prifti

Në politikën shqiptare të post-diktaturës e deri në ditët e sotme, kur Shqipëria është në prag të integrimit në Evropë duke realizuar disa nga parametrat kryesorë, si futja në NATO, heqja e regjimit të vizave, stabilitetin makro-ekonomik dhe përpjekjet për të luftuar treshen më malinje që po dëmton rëndë situatën ekonomiko-sociale-politike të vendit si: korrupsioni, varfëria dhe papunësia, kanë shkuar në përpjesëtim deri diku të zhdrejtë me stabilitetin shtetit shqiptar, i cili në jo më pak së 4 herë është gjendur në prag të katastrofave. Këto kanë qenë vitet 1991-1992 të fillimit të fitores së demokracisë, vitet 1997 të luftës ‘të gjithë kundër të gjithëve’, me pretekstin e dështimit të firmave piramidale, viti 1998 kur u vra Azem Hajdari, viti 2002 kur qeveria socialiste qeverisi me 2 ministra mangët, për më shumë se 6 muaj, viti 2007 kur shpërtheu Gërdeci, viti 2010 demonstrata e grevës së urisë dhe 2011 demonstrata e 21 janarit. Ka pasur dhe shumë aspekte të tjera në formën e çrregullimeve që në dukje kanë qenë të vogla, por potencialin zjarrvënës e kanë pasur të madh dhe arsyet se përse nuk kanë shpërthyer, kanë qenë pikërisht ndjekja me kujdes nga ana e faktorit ndërkombëtar për të shuar ashpërsimin e krizës dhe këto kanë qenë sigurisht: të gjitha zgjedhjet parlamentare, përveç vitit 2005 që nuk u kontestuan, si dhe të gjitha zgjedhjet lokale ndaj të cilave ka pasur gjithmonë kontestime të vogla me potencial të madh. Gjithashtu, jeta politike e Shqipërisë ka qenë dhe është e mbushur plot mëri të vjetra e të reja, të konstatuara gjatë qeverisjeve si të politikës së majtë, e cila kur kishte pushtetin përdorte Parlamentin për të bërë ligje thjesht vetëm, për të përkrahur aspekte ekonomike e sociale që shkonin në favor të krahut të majtë por që dëmtonin opozitën, ashtu dhe kur e djathta merrte pushtetin përdorte të njëjtën monedhë; rezultati ishte ashpërsimi i situatës politike dhe për pasojë duhej ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për të stabilizuar situatën. E djathta në fakt, për sa i përket aspektit ekonomik dhe financiar ka qenë më e qartë në reformat e saj, sidomos pas vitit 2005 e këndej, kurse për sa i përket reformave në bujqësi, arsim e shëndetësi ka qenë edhe ajo e paqartë. Aq të paqarta janë këto reforma, sa që po të shohësh ligjet e miratuara nga të dyja palët gjatë 20 viteve, do të shohësh se janë ligje që janë amenduar disa herë gjatë qeverisjeve përkatëse, ose mund të themi “ligje me arna” dhe ky aspekt interesant tregon dy përfundime. Së pari ligjet janë përgatitur nga njerëz të paaftë dhe prandaj nuk kanë rezistuar më shumë se gjysmë apo dhe 1 legjislaturë komplet. Së dyti ligjet janë bërë për interesa të veçanta dhe personale e kjo mund të tregohet me shembullin më të mirë që di, atë të ligjeve për Arsimin e Lartë , ligje që janë amenduar 5 herë gjatë 8 vjetëve, bile një nen i këtij ligji është bërë vetëm për kancelarin e Fakultetit të Mjekësisë, kurse në të njëjtin ligj nuk përmendet fare vjetërsia në punë për të marrë titujt shkencorë, gjë që ka bërë që të shkatërrohet hierarkia akademike brenda një kohe fare të shkurtër, ose për të përkrahur një kategori të caktuar njerëzish politikë, në mënyrë që të marrin tituj të pamerituar për një kohë fare të shkurtër. Të çarat e ligjit për Arsimin e Lartë, janë aq të mëdha dhe me pasoja, sa që nuk janë vënë kufizime përkatëse për titujt shkencorë-akademikë të fakulteteve profesionale të cilët mund të marrin doktoratura dhe profesor-atura të njëjta me fakultete që janë jo profesionale (?!) ; ose në rastet e mosrespektimit të programeve politike, karakteristikë e moszbatimit, janë programet për reformat në shëndetësi të cilat jo vetëm nuk janë zbatuar por janë lënë në dorë të ministrave përkatës, duke shkaktuar dështime të vazhdueshme të reformave në vite (këtu bëjnë përjashtim reformat shëndetësore të suksesshme të viteve 1992-1996). Pasojat janë: vonesat në integrim, zgjatja e tranzicionit, largimi i vazhdueshëm i njerëzve nga vendi, korrupsioni galopant, varfëria ekstreme e një pjese të popullatës (sepse këtu kaun dështuar reformat e vendosjes me ligj të minimumit jetik të punonjësve duke krijuar artificialisht forma abuzivizmi dhe keqpërdorimi të fondeve), etj, etj. Duke parë këto luhatje të gjëra në jetën e një vendi, si nga ana ekonomiko-financiare ashtu dhe në aspektin socialo-politik, duke konstatuar raste të shumta të destabilizimit të vendit gjatë këtyre 20 viteve, duke analizuar se sa lehtë dhe se sa i brishtë është shteti shqiptar gjatë këtyre 20 viteve të pas diktaturës, duke parë historinë 99-vjeçare të shtetit shqiptar, që pas 1912 në të cilën vihet re gjithashtu një stabilitet fare i brishtë apo më mirë të themi është destabilizuar disa herë, në të cilën janë vënë re dëmtime të rënda të shtetit shqiptar dhe të institucioneve të tij të paktën çdo 7-12 vjet ( shiko shkrimin e botuar në gazetën ‘Sot’ me titull ‘Shqipëria dhe Izraeli –vendet ‘stigmata’- përpara Zotit’, 8/7/2010), - mund të them se e parë në këtë aspekt ka diçka më të rëndë që shkakton humbjen e ekuilibrit të shtetit shqiptar diçka që gjendet brenda institucioneve të shtetit shqiptar, por dhe nga ana tjetër mund të shihet herë fare qartë e here i fshehur, ndikimi i jashtëm mbi Shqipërinë. Atëherë lind natyrshëm pyetja: përse Shqipëria nuk arrin të bëhet një shtet i stabilizuar? Përse Shqipëria është problematike dhe duhet gjithmonë ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të stabilizuar gjendjen? Dhe së treti, përse nga Shqipëria largohen herë pas here (d.m.th, sa herë që ndërrohen sistemet ka emigracion të paparë) nga vendi me qindra dhe mijëra vetë?

Këto pyetje kanë disa përgjigje që ndoshta mund të jenë të hidhura për ata që i lexojnë. Përgjigjet sipas meje mund të jenë:

Shqipëria që në fillimet e saj të pavarësisë, shihet si një model suksesi diplomatik përsa i përket formimit të saj. Dihet që kufijtë përfundimtare të Shqipërisë u miratuan pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (dihet se u përvijuan më 1913-1915 nga Konferenca e Ambasadorëve) në Konferencën e Paqes në Paris më 1921, në të cilën Shqipërisë iu la vetëm ½-1/3 e territorit të saj. Ky ishte një shkak destabiliteti në të ardhmen, sepse ky territor përmbante një popullatë të vogël me tre fe e tradita të ndryshme e për më tepër i prapambetur tërësisht. Arsyeja e ndarjes si e kemi thënë dhe më parë ishte se Evropa nuk dëshironte një shtet të madh shqiptar mysliman, e aq më pak pro-turk.

Brenda Shqipërisë ishin dy grupe të mëdha politike të papajtueshme me njëra-tjetrën përsa i përket ardhmërisë së Shqipërisë por që pajtoheshin në një pikë: pasjen e një Shqipërie me territor sa më të madh. Njëri grup ishin pro-turqve dhe kripto-turqve që përfaqësonin shumicën myslimane të vendit, grupi tjetër ishte grupi përparimtar pro-perëndimor që përfaqësohej kryesisht nga ortodoksët-katolikët-dhe disa intelektualë myslimanë të nderuar pro-perëndimorë. Këto grupime politike ishin pak a shumë totalisht të varura financiarisht e për pasojë politikisht nga fuqitë e huaja nga të cilat përkraheshin. Grupimet politike të papajtueshme me tjetri tjetrin vazhduan të jenë të tilla edhe pas Konferencës së paqes aq sa më 1924 ndodhi revolucioni demokratike i qershorit dhe pas 6 muajsh kundërrevolucioni i dhjetorit me rivendosjen e Zogut si një mysliman pro-perëndimor në krye të shtetit. Pas fitores së komunizmit në Shqipëri fitoi grupimi i majtë politik pro-sllav, në fakt një grupim pa eksperiencë i cili luftoi vetëm për mbijetesën e vet në krye të shtetit shqiptar për 45 vjet. Grupimi i kundërt u arratis nga vendi. Pra shihet se sa të ashpra ishin kontradiktat. Pas rivendosjes së sistemit demokratik, përsëritet historia me emra të ndryshëm por mendime e opinione të njëjta. Njëri grup pro-lindjes në të cilin kishte tashme ateiste por dhe kristianë ortodoksë e pak katolikë, kurse grupimi tjetër i djathtë ishte shumica ateiste e kryesisht të përzierë myslimanë-ortodoksë e katolikë. Divergjencat ishin dhe mbeten të papajtueshme por dhe më të ashpra sepse në asnjë rast (përveç rastit të luftës së Kosovës) ata nuk kanë pushuar luftën politike e cila ka shkaktuar jo pak pasoja për popullin shqiptar dhe për shtetin shqiptar. Kjo luftë ka dobësuar shtetin shqiptar së pari dhe së dyti institucionet shqiptare të cilat vazhdojnë të jenë jo-cilësore. Dëmtimi i shtetit shqiptar shihet në lëshimet ekonomike&financiare e për pasojë dhe politike që kanë bërë koalicionet politike gjatë këtyre 20 viteve ndaj të huajve dhe fqinjëve, duke vënë në rrezik integritetin e vendit në potencë.

Mos përfaqësimi i drejtë i komuniteteve fetare në drejtimin e shtetit, mospërfaqësim i cili ka krijuar ashtu si dhe gjatë 99 viteve të këtij shteti, një stabilitet të dobët të shtetit shqiptar. Vetëm njëherë gjatë 99 viteve shteti shqiptar ka qenë i përfaqësuar proporcionalisht e pikërisht gjatë viteve 92-96 kur President ishte Berisha, kryeministër Meksi, dhe kryetar Kuvendi, Pjetër Arbnori (megjithëse dhe ata nuk ishin përfaqësues të mirëfilltë të komuniteteve nga dhe kishin emrat). Shkatërrimi i teknokracisë dhe meritokracisë në drejtimin e vendit duke vendosur në vend të tyre intelektualë jo-profesionistë kryesisht të zonave rurale thjesht për interesa partiake e përfitimi personal.

Mbajtja në drejtimin politik të partive të pinjollëve të ish-nomenklaturës së kuqe dhe të shërbyesve të tyre. Realizimi i politikave jo të sakta dhe i ligjeve jo të mira për drejtimin e vendit, duke mos realizuar një pavarësi të mirëfilltë të tre pushteteve, për shkak përfitimi politik dhe personal në dobi të klaneve favorizuese të koalicioneve respektive,

emigrimi masiv, korrupsioni masiv, varfëria, migrimi i keq-menaxhuar brenda vendit duke shkaktuar kaos, informalitet, dhe kalimin e pasurive kombëtare në dobi të individëve të panjohur, duke mos kaluar kjo pasuri e shitur e gjitha në arkën e shtetit, si dhe për pasojë duke mos u tatuar pasuritë e individëve të pasuruar. Rotacionet partiake me zgjedhje të diskutueshme, të cilat bëheshin ashtu dhe për mos realizimin e ‘inventarizimit’ të saktë të popullsisë dhe të pronës. Pseudo-patriotizmi dhe hipokrizia e intelektualëve që kanë drejtuar dhe drejtojnë vendin, pra dyfytyrësia e tyre për të realizuar qëllimet e tyre personale në dëm të politikave të ndershme dhe të favorshme për shtetin, duke shkaktuar jo pak herë probleme kombëtare dhe ndërkombëtare. Karakteristike është sjellja e Esat Toptanit, Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, dhe ndonjë tjetri pas 90, duke vërtetuar dhe njëherë se drejtuesit shqiptarë në të gjitha kohërat nuk e kanë pasur problem shitjen e idealeve të kombit dhe të fesë, për para, pushtet dhe nam. VIP-ëria e shumë intelektualëve në vite ka kaluar nëpërmjet dëmtimit të Shqipërisë ekonomikisht, financiarisht por dhe politikisht, duke rrezikuar shtetin shqiptar.

Të gjitha këto aspekte të thëna më sipër që favorizojnë në një farë mënyre destabilizimin lehtësisht të vendit, nuk do të mund të jepnin rezultatin e plotë negativ sikur të mos kishin lidhje gjithashtu me shitjen e disa individëve politikanë shqiptarë të ditëve të sotme (ashtu sikundër dhe në të kaluarën) tek të huajt thjesht për qëllime përfitimi material dhe politik. Sot mund të shihet se si individë- politikanë të ndryshëm, por dhe parlamentarë që votojnë si në kohën e Enver Hoxhës, pushtete të pavarura por që janë të varura realisht, nuk e kanë për gjë që të ushtrojnë presion të hapur ose të fshehtë në ndryshimin e disa ligjeve, mund të gëlltisin ‘lugën e çorbës’ si pa të keq vetëm e vetëm që të riciklojnë në pushtet e politikë, dhe disa kanë guximin që të bëjnë dhe pazare politike (sigurisht fshehurazi) me të huajt në dëm të vendit. Të gjitha këto kanë krijuar përshtypjen (dhe jo pa baza) tek të huajt se, politikanët shqiptarë të sotëm nuk janë patriotë të vërtetë por janë thjesht janë disa rrogëtarë që kërkojnë të marrin më shumë duke mos u ndalur para asgjëje. Gjendja duhet të ndryshojë nëse duhet që shteti shqiptar të integrohet në Evropë me dinjitet dhe pa kushte. Shembull dinjiteti është Maqedonia, e cila për të ruajtur interesat e saj kombëtare refuzon të integrohet edhe në BE, dhe ky aspekt është për t’u lavdëruar sepse dihet që një shtet i vogël kalon nëpër sakrifica dhe presione të mëdha për të realizuar aspiratat e tij kombëtarë dhe ato të integrimit. Deri më sot nuk ka asnjë tryezë kombëtare për realizmin e disa konsideratave kombëtare me qëllim që të integrohemi në Evropë me dinjitet dhe të fortë ekonomikisht dhe politikisht. Grindjet e vazhdueshme politike duhet të pushojnë nëse kërkojmë integrim sepse duket që këto grindje kanë dhe një shkak tjetër paradoks: politikanët për tu pasuruar sa më shumë dhe për të mbajtur pushtetin sa më shumë nga njëra anë hiqen si flamurtarë të flaktë të integrimit, por fshehurazi punojnë për të kundërtën. Atëherë duke parë këto probleme serioze, si mund të quhet kjo klasë politike e vënë në drejtim nga PPSH? Klasë politike patriote, apo tradhtarë politikë që dëmtojnë interesat e vendit?

KOMENTE