English

Albin Kurti: Bashkimin e duan shqiptarët e dy shteteve, politikanët ta pranojnë

Prishtinë, 20 Mars 2011 - “Jam i bindur se, po qe se do të organizoheshin referendume në Kosovë dhe në Shqipëri, populli edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, si pjesë të të njëjtit komb që jemi, do të deklarohej për bashkim”. Pohimin e bëri sot për radion Evropa e Lirë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai shtoi se “në këtë kuptim, edhe politikanët do të duhej të jenë në këtë vijë” Pas raundit të parë të bisedimeve Prishtinë – Beograd, pritet që së shpejti të organizohet edhe takimi i dytë. Ju në vazhdimësi e keni kundërshtuar këtë dialog. Ku qëndrojnë arsyet kryesore për këtë kundërshtim? Bisedimet me Serbinë janë të padrejta, të pabarabarta dhe të dëmshme. Ne konsiderojmë se nga këto bisedime, Serbia do të përfitojë në dy rrafshe. Së pari, në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast ajo synon që, duke qenë para nesh, të na e vështirësojë më pas neve ecjen drejt integrimeve evropiane.

Në rrafshin e dytë, Serbisë, me këto bisedime po i mundësohet që ta sajojë një entitet autonom territorial serb brenda Kosovës, ngjashëm sikurse në Bosnje, me ç’rast Kosova përfundimisht do të bëhej një shtet jofunksional.

Bisedimet me Serbinë po zhvillohen brenda kornizave të gjashtëpikëshit famëkeq të Ban Ki-munit dhe jemi të bindur se gjashtëpikëshi i Ban Ki-munit është hallka që e lidh Planin e Ahtisarit në njërën anë me një entitet serb, ngjashëm sikurse në Bosnje.

Serbia do të duhej të plotësonte një mori kushtesh para se të bëhet e denjë që të bisedojë me Kosovën. Ajo duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, ajo duhet ta ndryshojë Kushtetutën ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, ajo duhet të na i kthejë 1800 të pagjeturit dhe të na japë informacione për ta.

Ajo duhet të na i kthejë librat kadastralë, fondin pensional dhe depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës si dhe artefaktet kulturore.

Mandej, ajo duhet të pushojë së financuari strukturat ilegale të saj në Kosovë. Duhet ta ndërprejë shtypjen, diskriminimin dhe terrorin që ushtron mbi shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, përmes ekspeditave të saj ndëshkuese, policore.

Serbia po ashtu duhet të kërkojë falje dhe të na i paguajë dëmet e okupimit dhe të luftës.

E përmendët planin gjashtëpikësh... Nëse iu referohemi institucioneve të Kosovës, ato thonë se këto janë bisedime kryekëput teknike. Ku e shihni ju rrezikun që ato të devijojnë dhe të shtrihen në çështje të brendshme të Kosovës?

Të gjitha temat që po diskutohen atje, janë pak a shumë në kuadër të këtyre gjashtë pikave të Ban Ki-munit, të cilat e rrisin ndikimin e Serbisë brenda Kosovës dhe e zgjerojnë territorin ku ajo dirigjon brenda Kosovës.

Ne jemi të bindur se politikanët kryesorë në Kosovë, që janë bartës të këtij dialogu, janë të korruptuar e të shantazhuar, prandaj vetëm e vetëm për të mbetur në pushtet, ata po i pranojnë këto bisedime, të cilat e afrojnë Serbinë me Brukselin dhe veriun e Kosovës dhe enklavat serbe me Serbinë.

Ndërkohë kishte edhe një ide, propozim nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, që bisedimet të prekin sidomos çështjen e statusit të veriut. A shihni ju mundësi që bisedimet të orientohen kah kjo çështje? Grupi Ndërkombëtar i Krizave po tregon se cila do të jetë faza e dytë e këtyre bisedimeve. Është e qartë që dimensionet e vulave të doganave janë çështje teknike, mirëpo kurrsesi ajo që shkruan në ato vula.

Serbia do të synojë që zinxhiri komandues në Policinë e Kosovës dhe hierarkia e gjykatave e prokurorëve në Kosovë, në majat e sistemit të jetë e ndarë për serbët dhe shqiptarët. Përderisa zyrtarët më të lartë shqiptarë në institucionet e sistemit do t’i referohen Qeverisë së Kosovës, ata serbë do të jenë të lidhur me EULEX-in dhe UNMIK-un.

Jemi kundër çfarëdo statusi special, autonomie apo çfarëdo privilegjesh për serbët në Kosovë. Ne mendojmë se ata duhet të jenë qytetarë të barabartë para ligjit me të gjithë qytetarët e Kosovës dhe çfarëdo privilegjesh për serbët, në fakt janë shpërblim për Beogradin, për dhunën e tij dhe krimet e kryera në Kosovë.

Nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër... Ditëve të fundit, pamë një valë arrestimesh dhe fletarrestimesh për ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë dhe deputetin Fatmir Limaj. Si i shihni ju këto zhvillime, marrë parasysh se disa nga këto raste tashmë kanë kaluar një herë nëpër gjykata, kryesisht ato të UNMIK-ut? EULEX-i nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe aq më pak e njeh luftën çlirimtare të UÇK-së. Ata e pranojnë që në Kosovë ka pasur luftë vetëm atëherë kur bëjnë akuza për krime lufte ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.

Jam i bindur se prej hetimeve që i ka zhvilluar dy vjetët e fundit EULEX-i në Kosovë kundër Fatmir Limajt dhe ministrisë që ai drejtonte, ka ardhur në përfundim se krimet e korrupsionit të shkallës së lartë, kanë shpjerë gjithsesi te kryeministri Hashim Thaçi.

Prandaj edhe janë ndërprerë hetimet në atë drejtim dhe u gjet kjo mënyra tjetër që të akuzohet e ndëshkohet Fatmir Limaj pa u prekur kryeministri Hashim Thaçi, i cili EULEX-it po i nevojitet shumë për bisedime me Serbinë, në mënyrë që edhe një herë ta forcojë dhe mishërojë doktrinën për rëndësinë shumë më të madhe të stabilitetit në Serbi, sesa të demokracisë dhe të drejtësisë në Kosovë.

Mendoni se kishte një orkestrim me politikën këtu?

Mendoj se kryeministri Hashim Thaçi nuk brengoset kur arrestohen pjesëtarët e UÇK-së, përderisa këto arrestime nuk e arrestojnë atë personalisht. Ndërkaq, ai është brengosur shumë për hetimet e EULEX-it kundër Fatmir Limajt për çështjet e korrupsionit, për shkak se këto hetime doemos e kanë cenuar edhe atë personalisht si kreu i qeverisë. Mendoj se tashmë nuk bëhet fjalë as për interesa partiake e as për interesa klanore, por vetëm për interesa rigorozisht personale.

Vetëvendosje tashmë është një parti në Parlamentin e Kosovës dhe vizioni i saj i shprehur ishte për unitet, integrim të shqiptarëve. Ndërkohë, e dëgjuam edhe shefin e displomacisë së Tiranës të thotë se një integrim i tillë është i dëmshëm për shqiptarët dhe preferonte integrimin përmes BE-së. Keni biseduar ju me z.Haxhinasto dhe çfarë i keni thënë? Edhe unë e vërejta që ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, ishte i influencuar prej deklaratave të politikanëve kosovarë që kishte takuar para nesh. Ne ia shpjeguam gjerë e gjatë se si bashkimi kombëtar është çështje e vullnetit tonë, çështje e interesit tonë dhe duhet të jetë një e drejtë e jona. Besoj që t’ia kemi ndryshuar mendjen në një masë.

Ne e kemi elaboruar çështjen e bashkimit kombëtar si çështje tërësisht racionale. Besoj se në të ardhmen, edhe politikanët kryesorë në Shqipëri do të bëhen pjesë e ndryshimit të madh në politikën shqiptare, ku njerëzit që udhëheqin me institucionet, nuk do të flasin me gjuhën e frikës së tyre personale, por me gjuhën e vullnetit të qytetarëve, që duhet t’i përfaqësojnë siç duhet.

Jam i bindur se, po qe se do të organizoheshin referendume në Kosovë dhe në Shqipëri, populli edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, si pjesë të të njëjtit komb që jemi, do të deklarohej për bashkim. Në këtë kuptim, edhe politikanët do të duhej të jenë në këtë vijë.

KOMENTE
  • Bledar Hasa01:59 - 21 Mars 2011
    po te mos bashkohemi do te benim nje autogol te madh qe sic e dime jemi te kapur mat vete dhe kush na e don te miren vetem i vellai yt nje gjaku nje gjuhe nje tradite .armiqte tane duan te na marrin te gjithe pasurin tokat tona qe kemi lindur por kjo sdo te ndodhe me kurre shqiperia kosova duhet te bashkohet sa me pare dhe te hyjme ne evrope ne komunitetin evropian si nje shtet shqiptar i forte dhe me barazi te njejte dhe me ekonomi te mire te jemi te gezuar qe si ne kosove shqiperi te jetojme me te drejta
  • Bledar Hasa01:28 - 21 Mars 2011
    bashkimi i shqiperise me kosoven do ishte gjeja me e bukur per te gjithe shqiptaret pasi ne e dime historine e mire te fqinjeve tane si serbia e greqia dhe shume shtete evropiane qe sot perfaqesojne komunitetin shqiptar nuk e kane deshur kurre popullin shqiptar dhe nuk e duan akoma sot duan te bejne dy shtete shqiptare qe te jemi te dobet si popull shqiptar pa bashkim te shqiperise dhe kosoves une nuk e dua qe shqiperia te marre statusin e hyrjer ne bashkimin evropian se do bejme gabimin me te madh qe koso http://m.facebook.com