Uashington, 20 mars 2011, NOA - Algjeria dhe Kuvajti kanë dhënë mbështetjen e tyre ndaj vendimit të Këshillit të Sigurimit për ndërhyrje ushtarake ndaj forcave të kolonel Gheddafit. Mbështetja e dy vendeve për sulmin ajror mbi Libi erdhi pas kërkesës së zv/presidentit amerikan Joe Biden, i bërë publik nga zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë. Në njoftimin për shtyp të Shtëpisë së Bardhë thuhet se “zv/presidenti Biden zhvilloi gjatë paradites bisedime me kryeministrin algjerian Ahmed Ouyahia si dhe me emirin e Kuvajtit, Sabah al-Ahmad al-Sabah.
Në fokus të bisedës mes tyre ishte ndërhyrja ushtarake e vendeve perëndimore kundër forcave qeveritare libiane të Muammar Gheddafit.
“Zv/presidenti Biden bisedoi me kryeministrin algjerian dhe emirin e Kuvajtit, të cilët i shprehën mbështetjen e tyre për zbatimin e plotë të vendimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në mbrojtje të popullit libian”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Pas Katarit, Algjeria dhe Kuvajti janë dy vende të tjera të botës arabe që kanë aprovuar ndërhyrjen ushtarake në Libi, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe një përfshirje e tyre në operacionin “Agimi i Odisesë”.
mit/NOA