English

Antikultura e lulëzuar Shqiptare

Kemi, prej disa kohësh, mundësinë e “pakufizuar” që të shohim filmat mediokër shqiptarë të para viteve `90. Pamvarësisht një nostalgjie që ata realisht përçojnë për ata që i kanë jetuar ato vite, bindemi në distancë kohore, se më e shumta jo vetëm që nuk i qëndron kohës, por janë shkolla më e mirë se si nuk duhet bërë arti. Realizimi i dobët, i kushtëzuar nga metoda e realizmit socialist bën që të perceptohet fare mirë, antikultura e thellë që del n`sipërfaqe nga pothuaj cdo pore e realitetit në të cilën kemi qënë të shtrënguar për të jetuar, atë palo jetë, që jetohej ato vite.

Tek ke mundësi ta shohësh e ta rishohësh, ta dëgjosh e ta ridëgjosh atë mizerabilitet të dialogëve, të këtyre filmave të shumtë, ato fytyra të cfytyruara dashnorësh pa dashuri, ata sekretarë partie me zë të butë, mendim të “thellë” e me cingar të dredhur, atë antioksidentalizëm “burrnor” dhe shpifarak, kupton edhe njëherë në një refleksion të ripërsëritur, djepin e antikulturës që ka nanurisur pinjollë të shumtë, që dje, por edhe sot, japin tonin e tyre mediokër në shoqërinë rrëmujaxheshë shqiptare.

Kur sheh e risheh, se sa të “poshtëra” konsideroheshin ato koncepte dhe gjëra, që sot janë normë e zakonshme jete, kur mjerohesh tek kujton se sa shumë pavërtetësi dhe hipokrizi stisej në filma, romane e vargëzime për Partinë dhe të ashtuquajturin “Njeriu i Ri”, të rizgjohet dyshimi për produktin e kësaj antikulture, produktin e saj të sotshëm, vetëkuptohet.

Dhe megjithëse kanë kaluar mjaft vite, sot, stafetën e një pjese të politikës dhe të një pjese të opinionbërjes, e kanë në dorë produkte ose nënprodukte të kësaj antikulture me lidhje të qarta me origjinën fillestare burimore: doktrinën e hipokrizisë universale, ose shqip, shkollën e shpifjes për shpifje.

Sepse nuk ka se si shpegohet që është kaq sëmundje e përhapur dhe kaq gjerësisht, debateve dhe ekraneve, foltoreve dhe kafeneve.

Dhe është krijuar kësisoj një tip dërdërllitësi “modern“, me brendi të vjetër dhe kostum francez të ri apo zhaqetë italiane të prerjes së fundit. Një tip hibrid dhe pa personalitet, shtiranak profesionist pa identitet, të rritur dhe të nanurisur në parazitizëm të plotë, që flasin në emër të vlerave të larta abstrakte, mbushur vetë, deri në fyt me jovlera dhe mbi të gjitha me shterpësi të thellë dhe të pakorrigjueshme.

Shoqëria paguan para në dorë dhe nën dorë për ata, në mënyrën më absurde, duke blerë me flori, fjalën e tyre të rreme, e cila buron nga boshllëku dhe shkon në boshllëk. Qëllimi është vetëm hutimi dhe krijimi i një shoqërie të hutuar, të pështjelluar dhe kaotike, që nuk gjen dot zgjidhje dhe nuk bën dot një zgjedhje midis më pak të keqes dhe të keqes, midis më pak të mirës dhe të mirës.

Në këndin tjetër, ndeshim në mungesën e thellë të dominimit të shpirtit rebel, me mesazh të qartë dhe njëkohësisht konkret e të angazhuar.

Kjo shihet në debatet e porsa lindura për Zgjedhjet Lokale për qytetet dhe komunat e Shqipërisë. Ca e ca, duke mbajtur një baraslargësi nga Rama dhe Berisha, japin nën rrogoz mbështetje të tërthortë ose njerit ose tjetrit.

Ata, duke stisur një prototip dhe model utopik inegzistues, e pra një skulpturë të vdekur prej mermeri fjalësh të arnuar nga citime librash të famshëm, ata, të dënuarit e të qënit të pafamshmit e përjetshëm, ngrenë një peshore virtuale, ku në njerën pjatë të së cilës, venë skulpturën e vdekur dhe në pjatën tjetër, personat e gjallë të shoqërisë.

Dhe gjithmonë sipas tyre, gjithmonë skulptura peshon më shumë se cilido dhe se cdokush, në pjatën tjetër. Mirëpo nuk kënaqen me kaq, hipin edhe vetë mbi pjatën e peshores dhe bërtasin për të bindur kuc e mac, se edhe byth` e tyre, peshon më shumë se kushdo tjetër! Një modesti rrënqethëse dhe vrastare apo jo?

Një palo shfaqje, që kutërbon mediokritet dhe përbëhet nga një rrjetë kompleksesh që mpleksen në korridoret e errata e pa rrugëdalje, të ca shpirtrave të vegjël e të pashërueshëm nga vogëlsia.

Mirëpo, nëse nga njëra anë, politika dhe opinonzhbërësit, e tërheqin për hunde shoqërinë tonë të nënshtruar, nga ana tjetër, të nënshtruarit, nuk i nënshtrohen dot vullnetarisht rregullave më minimaliste të bashkëjetesës, në një qytet, në një godinë, një një studio televizive apo në një autobus.

Kjo antikulturë e rrënjosur thellë, stimulon arrogancën e atyre politikanëve që ndjehen si pushtetarët e dikurshëm, të pagjykueshëm, të pandëshkueshëm dhe të gjithëditur. Përkundrejt, apo më saktë nën këmbët e tyre, qëndron klani mediokër i opinionzhbërësve kritikues zanatcinj, sidhe shoqëria - turmë, që ushqehet; me kotheret e dijes së tyre, të grumbulluar por të patretur, me telenovela dhe telekomunikim informativ më së shumti të manipuluar.

E pra një antikulturë corientuese rrënjëthellë dhe mjerisht me të ardhme jetëgjatë në këtë Vend, ku klima që kemi, bën të rritet e të lulëzojë cdo lloj ferre, vetëm ferrë të jetë.

Ata që Punojnë dhe Bëjnë, duhet të heshtin.

KOMENTE