English

Arben Nika: Unë, shqiptari që do fitojë “Greek Idol”

Athinë, 20 Mars 2011 NOA – Është jo më shumë se 21 vjeç, por adoleshencën e ka nisur dhe po e mbyll në Greqi. Bash në Katerini, mes maleve dhe të ftohtit që shijohet vetëm në verë kur moti i freskët ua bën zili athinasve të zhuritur nga vapa.

E në atë klimë të ftohë, dëshira më e nxehtë e Arbenit është të këndojë. Ndaj vendosi të lërë punën e tij të përditshme, larjen e makinave dhe të shkojë në Athinë, në evenimentin më të rëndësishëm artistik të vitit, “Greek Idol”.

Një spektakël me patentë botërore që njihet shumë në SHBA si “American Idol” dhe në shtete të ndryshme të Evropës është përhapur shumë.

Arben Nika, 21 vjeç nga jugu i Shqipërisë, ka vendosur të jetë ndër finalistët, pse jo edhe fituesi i shout të famshëm që mbërthen çdo fundjavë teleshikuesit e Greqisë para ekranit të Alpha.

Mbrëmjen e kësaj fundjave, Arbeni arriti të kualifikohet tek për të vazhduar audicionet e spektaklit.

“Ajo që unë bëj në jetë, është e lidhur me pasionin tim dhe pasioni im i vetëm është kënga ndaj çdo gjë që bëj e bëj për këngën, ndaj dua të eci përpara”, - tha Arbeni pasi u konfirmua në Top 100 të spektaklit “Greek Idol” që ka një audiencë tejet të lartë në televizionet greke.

Nga ana tjetër, Arbeni ka rrëfyer dhe më shumë për jetën e tij. Ai ka pohuar se në Katerini punon si larës makinash dhe jeta që bën është e vështirë, por e mban gjallë dëshira për të kënduar.

Kurse juria, u shpreh mjaft e kënaqur me talentin e të riut shqiptar: “Kualifikohesh. Sigurisht që ka ende për të bërë, por njeh shumë mirë greqishten, më mirë dhe se aktorë dhe futbollistë të njohur shqiptarë që shumë vite kanë në Greqi dhe në jetën sociale greke. Për më tepër ke një zë shumë të mirë, melodioz dhe emocionues, i qartë në të shprehur dhe plot pasion”.

Përzgjedhja nga juria dhe votat e shumta me sms dhe online, bënë që ai të kualifikohet.

Kështu Arbeni, me interpretime gjithnjë nga këngët popullore greke, do të vazhdojë rrugën deri në finalet e “Greek Idol” ku aspiron të jetë.

n.s/e.t/NOA

KOMENTE