Tiranë, 20 mars 2011, NOA- Admir Tafili, i shumëpërfoluri i ditëve të fundit, për vrasjen e dy vëllezërve Pjetrushi nga Malësia e Madhe, është vendosur zyrtarisht mbrapa hekurave, pas masës së sigurisë së dhënë ndaj tij.
“Arrest me burg” ka qenë masa e dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë e Tiranës, e cila mesditën e sotme është shprehur ndaj tij.
Ditën e sotme ai u la mbas hekurave vetëm për akuzën “armëmbajtje pa leje”, pasi vetëm pas disa ditësh pritet që Prokuroria të dorëzojë provat për vrasjen e vëllezërve Gjovalin dhe Nik Pjetrushi.
Tafili masën e sigurisë do e vuajë në ambientet e burgut 313 në kryeqytet, ku dhe u transferua, pas përfundimit të seancës.
Ndërkohë po sot u përcollën për në banesën e fundit dy vëllezërit Pjetrushi, të cilët u ekzekutuan ditën e premte nga Admir Tafili.
Dyshohet se arsyeja që ka shtyrë autorin të kryejë këto vrasje ka qenë, akuza ndaj Prel Pjetrushit, vëllait të viktimave, se i kishte vrarë babanë Bahri Tafili, gjatë një operacioni të organizuar nga policia e Shkodrës ku dhe mbeti i vrarë drejtori i Policisë Arben Zylyftari, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2000.
a.y/NOA