Tiranë, 20 mars, NOA – Dy persona kanë rënë nën prangat e policisë pasi dyshohen si autorë të falsifikimit të dëftesave të shkollës së mesme. Personat e arrestuar janë
Bashkim Demo Canaj, 57 vjeç, banues në Tiranë, me profesion arsimtar në shkollën e Mesme të Përgjithshme “Kostandin Kristoforidhi” në Tiranë dhe Petrit Ilmi Asllani, 49 vjeç, banues në Tiranë.
Në këmbim të 200 mijë lekëve, dy personat u jepnin personave të interesuar dëftesa fallso. Sipas policisë dy të arrestuarit u kanë lëshuar dokumente shkollorë, shtetasve të ndryshëm, të cilët nga hetimi i kryer rezultojnë se, nuk kanë qenë të regjistruar kurrë më parë, si nxënës apo studentë të arsimit të mesëm dhe të përgjithshëm në Tiranë.
Dëftesat e shkollës së mesme janë lëshuar kryesisht në emër të shkollës së mesme të përgjithshme “Kostandin Kristoforidhi”. Ndërkohë që në listë kanë qenë edhe shkolla të tjera të arsimit të mesëm në zonat rurale në Tiranë.
Sipas policisë kapja dhe më pas arrestimi i tyre u krye pas një hetimi i cili ka zgjaur disa kohë. Sipas policisë janë përdorur edhe metoda speciale hetimi.
a.k/NOA