English

Behgjet Pacolli për herë të parë si President, nesër në Tiranë

Prishtinë, 20 mars 2011, NOA – Për herë të parë si president, mbërrin nesër në Tiranë për një vizitë zyrtare presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, i ftuar nga presidenti Bamir Topi. Kjo është e para vizitë zyrtare jashtë Kosovës e Presidentit Pacolli.

Gjatë vizitës dyditore në Shqipëri në 21-22 mars Presidenti Pacolli do të shoqërohet nga disa ministra të Qeverisë së Kosovës dhe nga përfaqësues të biznesit në Kosovë.

Zyra e Presidentit Pacolli bën me dije se Presidenti i Kosovës do të pritet në takime zyrtare nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar e përfaqësues të spektrit politik.

Gjithashtu, Presidenti Pacolli do t’i drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Ai do të vizitojë Universitetin Evropian të Tiranës, ku do t’i jepet titulli i nderit “Doctor Honoris Causa”.

Presidenti i Kosovës gjatë qëndrimit të tij në Tiranë do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Kosovë-Shqipëri dhe një varg aktivitetesh të tjera.

Në përmbyllje të vizitës, Presidenti Pacolli do të vizitojë edhe qytetet e Krujës e të Lezhës.

mit/NOA

KOMENTE