Tiranë, 20 mars 2011, NOA- Sërish vijojnë akuzat nga ana e partisë Socialiste për korrupsionin e përfolur në lidhje me naftën në ditët e fundit.
Nëpërmjet Sekretarit të Këshillit Ekonomik, Ervin Bushati selia rozë akuzoi se, 63 milion Euro është vlera minimale e trafikut masiv me naftën bruto të hedhur në treg nga skema e organizuar mirë dhe me fitime kolosale për pushtetin.
Sipas Bushatit këtë fakt e dëshmoi edhe vala e arrestimeve e cila shfaqi para shqiptareve “tsunamin” e korrupsionit me lëngun vrasës, që shkatërron shëndetin dhe djeg xhepin e çdo qytetari në vend.
“63 milionë Euro është vlera e tregut, vetëm me kaq sa dimë sot, të këtij trafiku në mes të ditës me lëngun vrasës, 63 milionë Euro është vetëm vlera e përfitimit për një qarkullim minimal prej 50.000 tonësh për trafikantët, që “çuditërisht” nuk i ka parë dhe nuhatur asnjë segment i policisë apo i shtetit. Shqiptarët janë mësuar tanimë me çuditë e përsëritura që bëjnë shumë biznese, dhe që prodhojnë shumë lekë për dikë ... diku aty lart në qeveri”, deklaroi Bushati.
Ai shtoi gjithashtu se përfitimet dhe trafiku nga kjo naftë ka qenë njësoj si në Gërdec, madje shtoi se në këtë trafik me lëngun vrasës ishin të përfshirë: tatimet, doganat, ministria e Financave, institucione të kontrollit të karburanteve, transportit, ministria e Ekonomisë, Policia e Shtetit, ministria e Brendshme, pra vetë shteti.
Bushati theksoi gjithashtu se dëmi ekonomik dhe shëndetësor është tepër më i madh se 63 milion Euro, madje ai është paguar me para dhe me sëmundje nga çdo qytetar normal, që blen me besim në treg naftën “Virgin” si të ishte karburant normal.
Ndërkaq ai shtoi se, “Skema, megjithëse gjigande dhe me shumë njerëz, funksiononte çuditërisht “si në vaj”, pikërisht sepse lubrifikohej nga përfitimet përrallore që pushteti ndante për vete. Kryeministrit i leverdis të mos dijë në këto raste, i leverdis shumë!!”
Ai e cilësoi qeverinë si kokën e një monopoli hajdut e vrastar që kënaqet me bishtin i një mafie që ka kapur shtetin me morsën e trafikut.
a.y/NOA