Libi, 20 mars, NOA - Në invazionin më të madh ndërkombëtar në botën arabe, që nga ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Irak më 2003, forcat perëndimore kanë kryer sulme nga ajri dhe deti, në përpjekje për të detyruar trupat e udhëheqësit libian, Muamer Gadafi, të ndalojnë sulmet kundër civilëve dhe forcave opozitare.
Autoritetet qeveritare thonë se të paktën 48 veta janë vrarë dhe rreth 150 janë plagosur nga sulmet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës, ndonëse këto pohime nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Në një audio-mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror, Gadafi u zotua se do të mbrojë Libinë kundër asaj që e ai e quajti “agresion kolonial”.
“Tani është e nevojshme të hapen të gjitha depotë dhe të armatosemi me të gjitha llojet e armëve për të mbrojtur pavarësinë, unitetin dhe nderin e Libisë”, tha Gadafi.
Presidenti Barak Obama tha se ka autorizuar forcat e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në një “aksion të kufizuar”, në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të mbrojtur civilët libianë.
“Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur një tiran i thotë popullit të tij se nuk do të ketë mëshirë, kur forcat e tij shtojnë sulmet në qytetet si Bengazi dhe Misrata, ku burra dhe gra të pafajshëm përballen me brutalitetin dhe vdekjen nga duart e qeverisë së tyre. Pra, ne duhet të jemi të qartë: veprimet kanë pasoja dhe urdhri i bashkësisë ndërkombëtare duhet të zbatohet”, u shpreh Obama.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, të enjten e kaluar, ka miratuar një rezolutë, e cila bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve të nevojshme për të mbrojtur civilët libianë.
Në takimin e së shtunës të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, Ligës Arabe dhe Shteteve të Bashkuara u dakordua për ndërhyrje ushtarake në shtetin e Libisë.
NOA/RFE