Halkidha, Greqi, 20 Mars 2011 NOA – Organizatë kriminale që merrej me shfrytëzim prostitucioni u zbulua sot në Greqi me protagoniste një grua të re shqiptare e cila ishte koka e “bandës”.
E dyshuara është arrestuar por në kërkim janë shpallur dhe dy të tjerë që ishin pjesë e grupit trafikant, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Sipas të dhënave të Policisë greke, 28-vjeçarja shqiptare, ka shfrytëzuar për prostitucion një 26-vjeçare rumune. Kjo e fundit, ishte blerë për pesëmijë euro nga një tjetër grup trafikantësh dhe prej disa javësh ishte nën kontrollin e bandës shqiptare.
Nga hetimet policore të antitrafikut në Halkidha, gjithashtu u mësua se rumunes i ishin mbajtur pasaporta dhe çdo mjet identifikimi e po ashtu nuk i lejohej të mbante celular. Dhe në këtë vorbull trajtimi, ajo nxirrej në rrugë për të shitur trupin e saj me qëllim nxjerrjen e fitimit për 28-vjeçaren shqiptare dhe për dy shokët e saj gjithashtu shqiptarë, një 31 vjeç dhe tjetri 28 vjeç.
Policia tha se në sajë të një operacioni që erdhi pas përgjimeve disaditore, arriti të kapë gruan shqiptare e po ashtu të çlirojë nga kthetrat e prostitucionit edhe të renë rumune e cila u dërgua në një qendër rehabilitimi për gratë e dhunuara seksualisht.
Policia tha se me kapjen e 28-vjeçares shqiptare, tani është në kërkim edhe të dy shqiptarëve të tjerë të dyshuar si pjesë e organizatës trafikante.
n.s/e.t/NOA