English

Kapen 30 kg hashash në Kakavijë, trafikanti tentoi të korruptonte policin

Gjirokastër, 20 mars, NOA – Policia e Gjirokastrës ka arritur të sekuestrojë 30 kilogramë mariuanë e cila ishte destinuar për tregun grek të drogës. Gjithashtu forca e rendit kanë arrestuar dhe transportuesin e drogës Ilir Lalaj, 36-vjeç lindur në Fratar të Fierit, si dhe personin tjetër gjendje në makinë me të dhe kishte dieni për drogën, 23-vjeçarin Hekuran Mukaj.

Operacioni i policisë është zhvilluar orët e para të mëngjesi të sotëm, pas informacionit që kanë marrë në rrugë operative se një automjet tip “Benz” që drejtohej nga një person që ishte emigrant në Selanik Greqi do të transportonte lëndë narkotike në drejtim të shtetit Grek.

Ky informacion ka bërë që policia të shtojë numrin e kontrolleve dhe vigjilencën për çdo automjet që kalonte.

Sipas policisë rreth orës 05.30 të mëngjesit, në pikën e kontrollit në Kakavijë është Ilir Lalaj, i cili drejtonte automjetin tip “Benz” me targa greke BON 5112, ku ka paraqitur dokumentet për të marrë vulën e daljes.

Në momentin që Punonjësi i Policisë Kufitare i ka kërkuar këtij shtetasi që të hapte bagazhin dhe dyert e pasme të automjetit për të ushtruar kontroll , ky shtetas është mundur të joshë punonjësin e policisë kufitare duke i ofruar një shumë të konsiderueshme lekësh me qëllim shmangien e kontrollit.

Ndodhur në këto kushte punonjësi i policisë ka kërkuar ndihmë , dhe menjëherë forcat e policisë kanë prangosur drejtuesin e automjetit si dhe një shtetas tjetër që ishte pasagjer me të.

Më pas në prezent të drejtuesit të automjetit nga ana e Policisë Kufitare është ushtruar një kontroll i imtësishëm në automjet ku rezultoi se: në brendësi të ndenjëses e sediljes së pasme u gjetën dhe u skuestruan 14 pako, të mbështjella me letër natriban me peshë një kilogramë, ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar narkotike, hashash.

Kontrolli i forcave të policisë ka vijuar më tej ku në brendësi të mbështetëses së sediljes së pasme u gjetën dhe u sekuestruan edhe 8 pako të tjera me lëndë narkotike. Gjithashtu, nga kontrolli rezultoi se edhe në pjesën metalike ku vendoset mbështetësja e sediljes e pasme u gjetën dhe u sekuestruan edhe 7 pako të tjera me lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur edhe në pjesën e poshtme të automjetit në pjesën mbrojtëses plastike të tubove të naftës dhe dy pako të tjera me lëndë narkotike.

Në total droga e sekuestruar në këtë makinë arrinte peshën 30 kilogramë. Nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale , i automjetit dhe i lëndës narkotike , i sasi së lekëve prej 500 Euro dhe 400.000 lekë shqiptare. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër po punojnë në bashkëpunim edhe me homologët e tyre në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier për të kapur shtetasin që u ka shitur lëndën narkotike dy shtetasve të arrestuar. Sipas policisë lënda narkotike ishte blerë në Fier dhe do të shkonte në Selanik.

a.k/NOA

KOMENTE