Tiranë, 20 mars 2011, NOA- Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku ka reaguar lidhur me qëndrimin e ministrit të Financave Ridvan Bode lidhur me faljen fiskale.
Sipas tij, falja fiskale, duke pasur parasysh veçoritë e ekonomisë kombëtare, në radhë të parë duhet ti drejtohet qytetarëve shqiptare dhe kryesisht atyre, që jetojnë jashtë vendit.
“Koha e humbur prej pothuaj 2 vitesh me çështjen e shumëpërfolur të faljes fiskale, qartësisht ul ndjeshëm mundësitë e të hyrave financiare në ekonominë shqiptare nga të ardhurat e emigrantëve tanë si pasojë e veprimeve të shpejta të vendeve konkurrente tona në rajon dhe më gjerë. Shqetësimi i mësipërm i Konfindustrisë vjen ndërkohë, që vendet e tjera konkurente të rajonit kanë vepruar me shpejtësi deri në veprime të dëshpëruara për tërheqjen e flukseve financiare ndërkombëtare drejt ekonomive të tyre”, thuhet në deklaratën e Buxhukut.
Ai ka shtuar se kthimi i emigranteve me rastin e pushimeve të verës 2011 duhet të shoqërohet me një strategji të qartë ligjore dhe teknike të përgatitur me kohë nga ana e ekzekutivit, me qëllim që të bëhej e mundur ndërgjegjësimi, sqarimi dhe zbatimi në praktike i faljes fiskale për qytetarët.
Sakaq Buxhuku thekson se, do të ishte me ndikim të ndjeshëm për mirë në ekonominë kombëtare hyrja e flukseve financiare nga jashtë në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore janë ende të prekshme.
a.y/NOA