Si dy djem amerikanë u bënë tregtarë të fuqishëm të armëve -deri në kohën që Pentagoni iu kthye kundër
Reportazhi i plotë i gazetarit amerikan për tregtinë e armëve nga dy djelmosha amerikanë. Në komentet e bëra për këtë shkrim, lexuesit e revistes "Rolling Stone" thonë se është një histori mahnitëse, që mezi presin të bëhet film
Nga Guy Lawson
Publikuar nga revista amerikane "Rolling Stone"
Lexoni dhe versionin anglisht: The Stoner Arms Dealers
E-maili e konfirmonte një gjë të tillë: gjithçka po shkonte sërish sipas axhendës pas javësh të tëra çmenduri dhe vonesash të pashpjegueshme. Një avion 747 transporti sapo ishte ngritur nga aeroporti në Hungari dhe po i drejtohej Detit të Zi për nga Kirgistani, rreth 3 mijë milje në lindje. Pasi të ndalonte për furnizim me karburant aty, fluturimi do të vijonte në Kabul, kryeqytetin e Afganistanit. Në aeroplan ishin rreth 5 milionë fishekë kallashnikovi, të armëve të periudhës sovjetike, të destinuara për ushtrinë kombëtare afgane.
Pasi lexoi e-mailin në Miami Beach, David Packouz mori frymë i çliruar. Ngarkesa ishte pjesë e një kontrate prej 300 milionë dollarë, që Packouz dhe partneri i tij, Efraim Diveroli, kishin fituar nga Pentagoni për t’u shitur armë aleatëve të Amerikës në Afganistan. Ishte maj 2007 dhe lufta po shkonte keq. Pas gjashtë vitesh luftime, Al Kaeda vijonte të ishte një kërcënim, talebanët ishin rebeluar dhe humbjet në jetë nga ana e NATO-s po rriteshin ndjeshëm. Për administratën e Bushit, municioni ishte pjesë e një përpjekje të dëshpëruar për të shtyrë përpara luftën për shkak se po afronin zgjedhjet presidenciale. Për Packouz dhe Diverolin kjo dërgesë ishte pjesë e një marrëveshje të madhe armësh, që premtonte t’i bënte ata shumë të pasur.
Pasi u sigurua përmes e-mailit, Packouz hyri në makinën e tij Audi A4 blu, të re flakë, dhe u nis drejt shtëpisë në orët e mbrëmjes, me dritare të hapura dhe kasetofonin në maksimum. Në moshën 25 vjeçare, ai nuk ishte mësuar ende me presionin e të qënit një tregtar ndërkombëtar armësh. Një muaj më herët, ai bënte punën e tij si masazhator- studimet e tij në shkollën e masazhit nuk përfshin leksione për kontratat ushtarake dhe për gjeopolitikën. Por Packouz nuk i kishte rezistuar dot joshjes kur Diveroli, miku i tij 21 vjeçar, me të cilin kishin qenë bashkë në gjimnaz, i ofroi atij që të hynte në biznesin e armëve. Duke punuar vetëm me një lidhje interneti, disa celularë dhe ca cigare hashash, ata të dy kishin arritur të mposhtnin edhe gjigandë të tillë si General Dynamics për të marrë kontratën e madhe të armëve. Me një marrëveshje të vetme, dy tipat nga Miami Beach ishin kthyer në tregtarët e fundit të vdekjes në histori.
Mbërriti në shtëpinë e tij me pamje nga gjiri dhe u bë gati për të shkuar në restorant për darkë. Ishte shumë i lumtur: avionë nga mbarë Europa Lindore po fluturonin tani drejt Kabulit të ngarkuar me miliona dollarë armë e granada. Por sapo nisi darkën, i ra telefoni. Ishte një person që e kishte punësuar për të garantuar që municioni do shkonte nga Hungaria në Kabul. Ai ishte në panik.
“Kemi një problem,” ulëriti ai në telefon aq sa u dëgjua në të gjithë restorantin. “Avionin e kanë kapur në Kirgistan.”
Dërgesa, me sa duket ishte bërë peng i njër përplasje mes Xhorxh Bush dhe Vladimir Putin. Presidenti rus nuk donte që NATO të zgjerohej edhe në Kirgistan dhe qeveria kirgize kërkonte që amerikanët të paguanin më shumë qera në mënyrë që të përdornin aeroportet e tyre si linja kyçe për furnizimin e nevojshëm për luftën në Afganistan. Aleatët e Putinit në KGB-në e Kirgistanit po e mbanin peng aeroplanin- dhe Packouz do gjobitej me 300 mijë dollarë çdo ditë përsa kohë ai do rrinte aty. Fjalët për këtë gjë mbërritën në Uashington dhe Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts u nis menjëherë për në Kirgistan për të ulur tensionet në rritje.
Packouz ishte i tronditur. “Ishte surreale,” kujton ai. “Isha duke u marrë me çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe nuk ia kisha idenë fare se çfarë ndodhte në ato anë të botës. Por isha një lojtar kyç në luftën e Afganistanit- dhe nëse dërgesa nuk shkonte në kabul, e gjithë strategjia e luftës në këtë vend do të dështonte. Po më shkatërronte një gjë e tillë. Nuk ia kisha idenë se çfarë ishin këto forca të errëta dhe për çfarë motivi i bënin këto. Por duhej të bëja bashkë pisllëkun tim dhe të bëhesha një tregtar armësh.”
I ulur në restorant, Packouz u përpoq të pastronte kokën nga mendimet, kapi celularin me dy duar dhe bërtiti: “U thuaj atyre të KGB në Kirgistan se se ai municion duhet të shkojë në Afganistan”. “Kjo kontratë është pjesë e një misioni vital në luftën globale kundër terrorizmit. U thuaj atyre se nëse tallin leshtë me ne, po tallen me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”
Packouz dhe Diveroli kishin zgjedhur momentin e duhur për të hyrë në biznesin e armëve. Për luftën në Afganistan e në Irak, Bush kishte vendosur që të vinte gjithçka në dispozicion. Sapo ai mori detyrën, kontratat private ushtarake u rritën nga 145 miliard dollarë në vitin 2001 në 390 miliard në vitin 2008. Po përse një çit personash të rinj e të papërvojë do hynin në aksion? Mbi të gjitha, dy miqtë po bënin atë që bëjnë të gjithë në biznesin e armëve- shumë, shumë, shumë para.
“Do bëja miliona,” thotë Packouz. “Nuk kisha në plan të punoja gjithë jetën si tregtar armësh- doja të bëja para për të nisur karrierën time në muzikë. Madje kurrë nuk kam pasur një armë në jetën time. Por ishte emocionuese që të ishe në një biznes që vendos fatet e kombeve. Askush tjetër i moshës tonë nuk po tregtonte armë në nivel ndërkombëtar.”
Packouz dhe Diveroli u takuan në sinagogën më të madhe në Miami Beach. Packouz ishte katër vjet më i madh se Diveroli, një djalosh i thatë. Diveroli ishte klouni i klasës, një djalosh mbipeshë me një gojë të madhe, që nuk ia kishte idenë çfarë ishte frika. Pas shkollës, ata vijonin të dilnin bashkë në plazh me miqtë e tyre, luanin në kitarë, thithnin marihuanë e zhyteshin në pishinat e hoteleve me pesë yje. Prindërit e Packouz ishin aq të shqetësuar nga përdorimi i drogës sa e dërguar në një shkollë në Izral që trajtonte fëmijët me probleme me drogën. Duket se ishte një vend shumë i mirë për t’u bërë dru. “Merrja acid nga Deti i Vdekur,” thotë Packouz. “Pta një eksperiencë transhendentale.”
Pas kthimit në shtëpi, Packouz kaloi dy semestre në Universitetin e Floridas. Për mungesë parash, ai studoi masazh, që dukej në rrugë më e mirë për të bërë para. Netëve, ai ulej me miqtë e shkollës duke u bërë dru e duke ëndërruar se si do bëhej një yll i muzikës pop. Ai madje shkroi edhe disa balada, por ishte tepër e vështirë që të hyjë në biznesin e muzikës. Me kokën e rruar dhe me sytë blu, Packouz ishte i zgjuar dhe ambicioz në mënyrën e tij, por nuk ia kishte idenë se ç’duhej të bënte me jetën.
Kurse Efraim Diveroli në kontrast e dinte shumë mirë se çfarë donte të bëhej: një trafikant armësh. Ishte në biznesin e familjes. Babai e xhaxhai i tij kishin shitur pajisje ushtarake për policinë. Pasi u përjashtua nga shkolla kur ishte në klasë të nëntë, ai u dërgua në Los Anxhelos për të punuar për dajën e tij. Menjëherë ia mori dorën punës së armëve. Kur ishte 16 vjeç ai udhëtonte në mbarë vendin duke shitur armë. I dashuronte atë- i shiste, qëllonte me to dhe fliste pa fund për to- mbi të gjitha vdiste për intrigat e industrisë së armëve dhe amoralitetin e ashpër të saj. Kur ishte 18 vjeç, pas një sherri me dajën e tij për para, Diveroli u kthye në Miami, duke marrë përsipër kompaninë e të atit: AEY.
Plani i biznesit që kishte ai ishte i thjeshtë, por brilant. Shumë kompani rriten duke shitur tek sa më shumë klientë. Por Diveroli e kuptoi se ai do kishte sukses duke pasur vetëm një klient: ushtrinë amerikane. Asnjë agjenci qeveritare nuk shet dhe blen më shumë gjëra se Departamenti i Mbrojtjes: gjithçka, që nga avionët e deri tek letrat. Sipas ligjit, çdo blerje në Pentagon duhet të jetë e hapur për ofertat publike. Dhe nën administratën e Bushit, bizneset e vogla si AEY kishin të garantuar një pjesë në marrëveshjet e armëve. Diveroli nuk ishte e nevojshme që të kishte një produkt për të ofruar. Ai thjesht do ndërmjetësonte marrëveshjet, do gjente çmimet më të ulëta dhe do të nxirrte jashtë lufte konkurrentët. Gjithçka duhej të bënte ishte që të fitonte një thërrmijë nga miliardat që jep Pentagoni për armë çdo vite dhe ai do ishte milioner. Por Diveroli kërkonte më shumë se kaq: ambicia e tij ishte që të bëhej tregtari më i madh i armëve në botë- një Adnan Khashoggi i ri, një Viktor Bout adoleshent.
Për të hyrë në lojë Diveroli e dinte që duhej të merrej me kriminelë lufte, trafikantë, mercenarë, diplomatë të shitur e me njerëz që kanë armët gati për gjithçka. Tregu gjigant ishte hapur pas Luftës së Ftohtë. Për dekada të tëra, armët ishin grumbulluar në Ballkan dhe në Europën Lindore për tu përgatitur ndaj kërcënimit që vinte nga Perëndimi, por tani tregtarët e armëve po shisnin gjithçka për ofertuesin më të lartë. Pentagoni kishte nevojë për akses në këto tregje të reja për të armatosur policinë e ushtrinë në Irak e Afganistan. Por problemi është se nuk mund të hynte në këtë botën të nëndheshme vetë. Duheshin disa masha për të bërë këtë punë të pisët- kompani si AEY. Rezultati ishte një erë e re paligjshmëria. Sipas një raporti të Amnesty International “Dhjetëra miliona fishekë nga Ballkani dërgoheshin në mënyrë klandestine në Irak nga një rrjet sekserësh privatë nën mbikëqyrjen e Departamentit të Mbrojtjes”.
Ky ishte ai tregu gri kur Diveroli kërkonte të penetronte. Ndërsa ishte akoma adoleshent, ai mori me qera një dhomë në një shtëpi në pronësi të një familje hispanike në Miami dhe nisi punën me një laptop. Konkurrentët e tij ishin emra të mëdhenj si Lockheed dhe BAE Systems. Ata kanë departamente të tëra që punojnë për të shitur armë tek Pentagoni, por Diveroli kishte avantazhet e tij: ofertat e ulëta, oreksin për rrezik dhe ambicien e fortë.
Që në fillim ai u specializua për kontrata të vogla si helmeta e municion për forcat speciale. Ishin kontrata të vogla, por i duheshin atij për të krijuar një performancë- shumë e nevojshme për Pentagonin në rast se do jepte një kontratë më të madhe. Diveroli mori financime nga një mormon me emrin Ralf Merrill, një prodhues armësh nga Utah, që kishte punuar për babain e tij. Pa kaluar shumë kohë, Diveroli po fitonte kontrata me Pentagonin.
Ashtu si të gjithë djemtë e tjerë që thithnin bashkë hashash, edhe Packouz e dinte që Diveroli ishte bërë tregtar armësh. Diveroli vdiste që të tregonte se sa shumë para po bënte dhe thashethemet u përhapën shumë shpejt për kontratat e majme që po fitonte.
Një mbrëmje, Diveroli e mori Packouz në Mercedesin e tij dhe të dy i nisën për një festë të shfrenuar. Diveroli ishte i lumtur me kontratën që sapo kishte lidhur prej 15 milion dollarësh për të shitur armë të vjetra ruse për Pentagonin, që do dërgoheshin për ushtrinë irakiane. Ai e mbushi Packouzin me përralla për mënyrën se si e kishte fituar kontratën, sa para kishte bërë dhe sa shumë do të bënte.
“Plako, kam aq shumë punë sa kam nevojë për një partner,” tha Diveroli. “Është një biznes i madh, por kam nevojë për një djalë që të vijë bashkë me mua dhe të bëjmë para bashkë.”
Packouz u intrigua. Vetë po merrej me disa biznese online. Merrte materiale tekstile nga Pakistani dhe i shiste për infermieret në Miami. Shuma që bënte ishte e vogël- një ose dy mijë dollarë- por eksperienca i kishte hapur oreksin.
“Sa pare ke bërë plako,” e pyeti Packouz.
“Tmerrësisht shumë,” i tha Diveroli.
“Sa?”
“Ky është një informacion konfidencial,” tha Diveroli.
“Plako, nëse do largoheshe nga vendi nesër, sa do mund të merrje me vete?”
“Cash?”
“Të thata”
Diveroli hapi krahun dhe u kthye me shikim nga Packouz. “Plako, do të të tregoj,” tha ai. “Por vetëm për të të inspiruar”. Bëri një pauzë dhe më pas tha: “Kam 1.8 milionë dollarë në cash”.
Packouz shikonte si i shastisur. Ai priste që Diveroli të thoshte nja 100 mijë dollarë, ndoshta më shumë. Por rreth 2 milionë dollarë?
“Plako,” vetëm kaq mundi të thoshte Packouz.
Packouz nisi që të punojë me Diverolin në nëntor të vitit 2005. Titulli i tij ishte financier ekzekutiv. Ai do të paguhej tërësisht në bazë të komisioneve. Ata punonin në një apartament 1 plus 1, marrë me qera nga Diveroli në Miami Beach. Uleshin përballë njëri- tjetrit në tavolinë në dhomën e ndenjies, ndërsa ishin të rrethuar nga kontrata federale dhe një mal me hashash. Shumë shpejt ranë në një rutinë: zgjoheshin, visheshin, vinin në punë dhe nisin tregtinë.
Packouz po merrte mësime të rralla. Ai shihte se si Diveroli fitoi një kontratë të majme për të furnizuar më armë ushtrinë kolumbiane, por nuk ishte i kënaqur- ai kërkonte gjithmonë e më shumë. Në një rast ai bindi Pentagonin që të dërgonte helmeta të një cilësie të dobët kineze për ushtrinë irakene. Mbi të gjitha, ai nuk është se po blinte armë dhe helmeta për ushtarët amerikanë. Ata që do i merrnin ato ishin të huaj e askush nuk kishte ndërmend t’i binte pas kësaj pune.
Blerësit e Pentagonit ishin ushtarake më pak ose aspak dije nga fusha e biznesit dhe Diveroli dinte shumë mirë si të fitonte mbi ta me një përzierje të sharmit, patriotizmit e madje edhe të një kulture ushtarake. Në raste të veçanta hiqej edhe si kolonel apo gjeneral.
“Kur përpiqej të fitonte një kontratë, ishte totalisht bindës. Por nëse po e humbiste kontratën, zëri niste e i dridhej. Thoshte se po shkatërronin një biznes të vogël, edhe pse kishte miliona në bankë. Thoshte se nëse marrëveshja dështonte, ai do të falimentonte. Do humbiste shtëpinë. Gruaja e fëmijët do mbeteshin pa bukë. Gati sa nuk ia niste të qante. Nuk e di nëse ishte psikike apo aktrim, por ai absolutisht e besonte atë që thoshte.”
Mbi të gjitha Diveroli kujdesej për frazën fundore. “Efraimi ishte republikan për shkak se ata kishin nisur më shumë luftëra,” thotë Packouz. “Kur Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun, ai ishte i lumtur. Më tha: “A mendoj se Bush po bën gjënë e duhur duke pushtuar Irakun? Jo. Por jam jashtëzakonisht i lumtur”. Ai shpresonte që të pushtoheshin sa më shumë vende për shkak se do bënte biznes të mirë.”
Atë pranverë, kur protestat masive shpërthyen në Nepal, Diveroli në mënyrë të shfrenuar nisi që të mblidhe armë për t’ia shitur mbretit të Nepalit për të mposhtur rebelimin- armë të rënda, helikopterë, municione. “Efraimi e quajti “Projekti për të shpëtuar Mbretin”, por nuk i plaste fare për mbretin,” thotë Packouz. “Paraja ishte ajo që i interesonte- as sporti dhe as politika. Do bënte gjithçka për para.”
Diveroli ishte bërë mjeshtër i kontratave. Nuk lexonte kurrë një libër a një revistë, nuk shkonte kurrë në kinema, gjithçka bënte ishte se zhytej në dokumenta të qeverisë e shikonte për një rrugë, për një kënd.
“Imazhi që kishte Efraimi për veten ishte ai i një tregtari modern i vdekjes,” thotë Packouz. Ai ishte gati të shkonte dhëmb për dhëmb me ushtarakë, gangsterë të Europës Lindore, drejtues të kompanive më të mëdha në botë. Nuk e çantë kokën fare. Do përplasej me ta e do fitonte. Po e ndiqja në hapat e tij. Më tha se do bëhesha milioner brenda tre vitesh. Ma garantoi një gjë të tillë.”
Fillimisht Packouz nisi të bënte vetë kontratat e para. U fiksua në një kontratë prej 8 milionë dollarësh për të furnizuar me fuoristrada Pakistanin, por humbi. Më pas fitoi një kontratë për të furnizuar me karburant një bazë ushtarake në SHBA.
Njëherë në javë dilnin në klubet e natës. Në karioke Packouz këndonte muzikë të ndjeshme, kurse Diveroli lëshohej në balada force dhe himne. Mes këngëve ata merrnin ndonjë dozë kokainë. Packouz ishte i turpshëm me vajzat, por Diveroli ishte krejt i drejtpërdrejtë, madje ndonjëherë i gjuante vajzat në sy të të dashurve të tyre.
Në disa raste kontratat nuk shkonin siç duhej siç ndodhi edhe me furnizimin me pistoleta Bereta për ushtrinë irakiane.
Halla e Diverolit u bashkua me ta, duke i ndihmuar në çështje administrative. Ajo nuk e aprovonte përdorimin e drogës nga ana e tyre, dhe në një rast ajo foli hapur në telefon sikur ata të mos ishin aty.
“Mbaji mend fjalët e mia,” i tha ajo mamasë së Diverolit në telefon, “Djali yt do përplaset dhe do të digjet.”
“Qepe,” i tha Diveroli. “Ti nuk e di se çfarë po flet. Unë kam bërë miliona vitin që shkoi.”
“Do përplasesh e do digjesh, mbaji mend fjalët e mia,” i tha sërish halla.
Në qershor, shtatë muaj pasi Packouz nisi punën në AEY, ai bashkë me Diverolin udhëtuan për në Paris për të marrë pjesë në Eurosatory, panairin më të madh në botë për armët. Një hapësirë e pamasë ishte mbushur me instrumentet e fundit të vdekjes- tanke, robotë, aeroplanë pa pilotë- shërbehej shampanjë dhe kaviar për disa nga zyrtarët politikë e ushtarakë më të fuqishëm në planet. Packouz e Diveroli ishin më të rinjtë aty, por përpiqeshin të dukeshin si ata, kishin veshur kostume dhe kishin vënë kravata. “Prit sa të arrij në kulmin tim,” kishte thënë Diveroli. “Ky mut panair do jetë pronë e imja.”
Në panair ata u takuan me Hajnrish Tomet, një tregtar zviceran armësh me pamje si të një aktori filmash. Ishte i gjatë, biond, me sy blu dhe mjaft sharmant. Fliste shumë mirë anglisht me një theks të lehtë gjerman dhe shtonte “OK” në fillim e në fund të çdo fjalë. Dukej se kishte lidhje gjithandej, në Rusi, Bullgari, Hungari. Ai përdori kontaktet e tij në Shqipëri për t’i siguruar Diverolit një çmim të mirë për municion kinez për trajnimin e forcave speciale amerikane në Gjermani- një marrëveshje që teknikisht ishte ilegale për shkak të embargos amerikane kundër armëve kineze, e vendosur pas masakrës në Sheshin Tiananmen në vitin 1989.
“Tomet mund të gjente antiplumba, mitraloza, raketa- gjithçka,” kujton Packouz. “Ai ishte një nga ndërmjetësit më të mirë në këtë biznes, një Zot Lufte i vërtetë.”
Ashtu si Diveroli, edhe Tomet kishte qenë në këtë biznes që kur ishte adoleshent, dhe e dalloi shumë shpejt se dy të rinjtë mund t’i duheshin. Tomet ishte cilësuar nga Amnesty International si dhunues i sanksioneve të SHBA për shkak se kishte dërguar armë në Zimbabve. Ai ai gjithashtu shte nën hetim nga SHBA për shkak se kishte dërguar armë nga Serbia për në Irak, ndaj ishte vendosur në listën e vëzhgimit nga Departamentit të Shtetit. Nisur nga fakti se ai kishte pengesa për të shitur armë direkt për SHBA-në, synonte të përdorte AEY, çka do i mundësonte një akses të lehtë tek kontratat e Pentagonit.
Me Tometin në krahun e tyre, Diveroli dhe Packouz shumë shpejt e gjetën atë që po kërkonin. Më 28 korrik 2008, u publikua një dokument prej 44 faqesh në sitin ku bëheshin aplikimet për kontrata ushtarake. Dokumenti ishte pjesë e një aksioni gjysëm sekret të administratës Bush për ushtrinë e Afganistanit. Ishte një mënyrë për të dhënë fonde pa lejen e Kongresit. Nuk pati asnjë deklaratë për publikun e asnjë debat. Paratë ishin të vlefshme për dy vjet, ndaj duheshin shpenzuar sa më shpejt. Ndryshe nga të gjitha kontratat federale, nuk kishte kufizime për dollarët, kompanitë mund të ofronin aq sa donin.
Nisur nga shifrat, dukej se bëhej fjalë për jashtëzakonisht shumë para. Ushtria kërkonte të blinte një gamë të gjerë armësh që nga fishekët për kallashnikov e deri tek raketat kundër-ajrore. Sasia ishte gjigante- bëhej fjalë për mjaftueshëm municion sa për të krijuar një ushtri- dhe e gjithë kontrata do të shkonte për një ofertues të vetëm. Diveroli e lexoi njoftimin i eksituar. Mori në telefon Packouz që po udhëtonte në autostradë. “Kam gjetur kontratën perfekte për ne,” tha Diveroli. “Është gjigante- shumë- shumë më shumë se ajo që kemi bërë deri më tani”.
Të dy u takuan në apartament për të thithur ca hashash e për të diskutuar strategjinë. Që të plotësoje këtë kontratë duhej të blije me miliona dollarë armatim në bllokun lindor për tu përdorur nga afganët. Për shkak se këto armë shiteshin në tregun e zi- një vend i populluar nga shumë trafikantë- Pentagoni nuk mund të dilte të blinte vetë armatimin, për shkak se do shkaktonte një katastrofë në marrëdhëniet me publikun. Kushdo që do e fitonte kontratën do shërbente në një farë mënyrë për të pastruar armë për Pentagonin.
Normalisht, një kompani e vogël si AEY nuk do kishte pikë shansi në një kontratë kaq të madhe. Por Diveroli e Packouz kishin tre avantazhe. Së pari, administrata e Bushit kishte nisur iniciativën e biznesit të vogël në Pentagon, së dyti tregtarët e rinj kishin bërë atë lloj tregtie deri më tani që i interesonte Pentagonit dhe së treti në kishte asnjë specifikim në kontratë, por thuhej se municioni duhet të jetë “i shërbyeshëm, pa ndonjë specifikim”. Siç e interpretuan Diveroli dhe Packouz, kjo do të thoshte se Pentagonit nuk i bëhej fare vonë nëse dërgohej municion për ibret, për sa kohë fisheku dilte nga arma.
Për dy miqtë, ishte një shans për të hyrë në një botë që zakonisht është e rezervuar për kontraktorë të mëdhenj me lobistë të njohur. “E dija që ishte goditja e madhe,” kujton Packouz. “DO na duhej të konkurronim me djemtë e mëdhenj. Mendoja se e kishim një shans. Nëse do punonim shumë. Nëse do kishim fat.”
Të bësh një ofertë për kontratat e mbrojtjes është një biznes spekulativ- kërkon punë, kohë e nuk ka një vend të dytë. Diveroli vendosi se ishte koha që Packouz të merrte një rol më të madh.
“Nuk kam kohë për të sistemuar të gjithë këto gjëra,” i tha Packouz. “Por kam kontaktet e duhura për ty për të nisur. Futu në internet dhe gjej çmimet për gjithçka dhe për nënën e tyre. Çdo burim që do më sjellësh në tavolinë, do bëjë që të marrësh 25 përqind të fitimit.”
Ky ishte shansi i madh për Packouz. Atë natë u fut online dhe po kërkonte për çdo prodhues armësh në Europën Lindore. Dërgoi e-maile dhe fakse dhe telefonoi te gjithsecili. Telefoni nuk punonte mirë dhe ndonjëherë e ngrinte zërin. Kur dikush nuk fliste anglisht duheshin minuta të tërë për të gjetur dikë që fliste disa fjalë. “Da, da” i thonin ata Packouz. “Ti blen, ti blen”. Kur ia doli që të merrej vesh me ta, ai u tregoi se si duhej të funksiononin gjërat. “Duhet të duken mirë, të mos jenë në kuti të ndryshkura ose të ekspozuara ndaj elementëve.”
Për gjashtë javë, Packouz punoi çdo natë, duke fjetur në divanin e Diverolit e duke mbijetuar vetëm me hashash e adrenalinë. Ai siguroi stoqe të tëra me municion nga Europa Lindore me çmim të mirë. Në të njëjtën kohë, Hajnrish Tomet kishte siguruar një sasi shumë të madhe municioni përmes lidhjeve të tij në Shqipëri. Ndërsa dita e ofertës po afrohej, Diveroli ishte në agoni. Pinte hashash, një re i rrinte mbi kokë dhe shpesh shante.
“Efraimi kishte një dilemë nëse duhej të kërkonte 9 apo 10 përqind fitim për çmimet,” kujton Packouz. “Diferenca ishte më shumë se 3 milion dollarë cash, që ishte shumë e madhe- por me çdo marzh fitimi, ne sërish do merrnim më shumë se 30 milion dollarë. Ai mendonte se dikush tjetër nga ofertuesit mund të kërkonte nëntë përqind fitim. Ndoshta duhej të kërkonim tetë?”
Momentin e fundit, Diveroli vendosi për 9 përqind. Në formular formoi shifrën 298 milion dollarë. Ishte një veprim me mend. Edhe dhjetë minuta kishin mbetur përpara se të mbylleshin aplikimet. Të dy hipën në makinën e Diverolit dhe u nisën drejt postës.
Pentagoni është një burokraci që lëviz ngadalë, një vend ku letrat të marrin shpirtin. Por për shkak se tenderi për Afganistanin ishte një “pseudo rast”, ishte i destinuar për të lëvizur shpejt. Në mbrëmjen e 26 janarit 2007, Packouz po parkonte makinën e tij të vjetër Mazda, kur e mori në telefon Diveroli.
“Kam lajme të mira dhe lajme të këqija,” tha Diveroli.
“Cili është lajmi i mirë?” pyeti Packouz.
“Dërgesa jonë e parë është 600 mijë dollarë.”
“Dmth e fituam kontratën?” pyeti mosbesues Packouz.
“Që çke me të”, tha Diveroli.
Dy miqtë, që sapo kishin nisur të njëzetat, ishin përgjegjës tani për një nga elementët kryesorë të politikës së jashtme të administratës së Bush. Festuan në një restorant italian, pa harruar kokainën, që e kalonin poshtë tavolinës dhe bënin sikur po fshinin hundët.
“Unë dhe ti shoku,” thoshte Diveroli. “Unë e ti do e marrim përsipër këtë industri. Dua ta shoh AEY si një kompani me 10 miliard dollarë në pak vite. Ata trashaluqët me takimet e tyre të bordit nuk ia kanë idenë se çfarë po i godet.”
Pavarësisht atmosferës festive, ata e dinin se puna e tyre sapo kishte nisur. Duhej të merreshin me auditin e shtetit, të punësonin një llogaritar që të kujdesej për sistemin e letrave dhe taksave. Pak javës pasi kishin fituar kontratën, ata u thirrën në një takim nga zyrtrët e blerjes në Rock Island.
Diveroli i kërkoi Ralf Meril, prodhuesit të armëve nga Utah, që të vinte. Një biznesmen me eksperiencë rreth të 60-ave, Merril kishte ofruar mbështetjen e nevojshme financiare për kontratën.
Takimi me zyrtarët e ushtrisë ishte një formalitet. Diveroli u dha atyre gjithçka duhej, burimet nga do vinte municioni, certifikatat fundore, eksperiencën e AEY. Ata nuk pyetën për moshën e tij. “Ishim shumë bindës” thotë Packouz. “Mendoj se kurrë nuk u kishte ndodhur në ushtri që të bënin marrëveshje me dy persona që sapo kishin mbushur njëzet vjeç.”
Në të vërtetë, Pentagoni kishte arsye të forta që të mos e linte AEY as të konkurronte. Kompania ishte vendosur në listën e vëzhgimit nga Departamenti i Shtetit për shkak se kishte importuar armë zjarri ilegale. Por Pentagoni nuk e pa listën. Ata injoruan faktin që AEY kishte pasur probleme me kontratat e mëparshme. Fillimisht në zyrën e kontratave, AEY cilësohëj si “e pakënaqshme”, më pas u ngrit në “mirë” e më pas në “shkëlqyeshëm”.
Kishte vetëm një arsye për këtë rritje meteorike: Diveroli i kishte lënë shumë mbrapa ofertuesit e tjerë. Në biseda private, zyrtarët u thanë se oferta e tyre ishte 50 milion dollarë më pak se ndjekësi më afërt. Të paktën në një rast taksapaguesit po merrnin një marrëveshje të mirë për mbrojtjen.
Dërgesa e parë duhej të ishte rreth 600 mijë dollarë, granata dhe municion- një test që duhej kaluar. Në rast të kundërt, do u hiqej e gjithë kontrata prej 298 milion dollarë.
Pas darkës festive, ata u nisën për tek Audi i ri i Diverolit. Ndërsa ky i fundit po merrte ca kokainë, iu drejtuar Packouz me një paralajmërim që të kishte kujdes me granatat: “Ia kemi hequr pantallonat kurvës, por nuk e kemi palluar ende.”
Por nuk kishte qenë nevoja që të shqetësoheshin. Sapo kishin nisur punën për dërgesën e parë, kur mbërriti kërkesa për një dërgesë të dytë. Kësaj here bëhej fjalë për 49 milion dollarë municion- përfshi 100 milion fishekë kallashnikovi dhe më shumë se 1 milion granada për raketahedhës. Nuk kishte më pyetje. Pentagoni ishte i lumtur që ia dha kontratën një kompanie të vogël që plotësonte kuotën e vendosur nga presidenti Bush për iniciativën e biznesit të vogël.
Packouz llogariti se edhe me marzhin më të vogël të fitimit, ata sërish do fusnin në xhep 6 milion dollarë. Por nuk ishte i sigurt nëse AEY do ishte në gjendje të bënte dërgimin. Diveroli ishte nisur për rrugë duke udhëtuar në Ukrainë, Mal të Zi dhe Çeki në kërkim të furnizuesve. Kështu që Packouz duhej të merrej vetë me kontratën- një punë që çdo kontraktor me eksperiencës do ia kishte ngarkuar dhjetëra punonjësve full- time.
Në shkurt të vitit 2007, Packouz shkoi në Abu Dabi në Ekspozitën Ndërkombëtare të Mbrojtjes për të kërkuar për furnizues. “Ishte e çuditshme. Isha një kalama, por isha ndoshta tregtar single më i madh i armëve në botë. Dukej sikur Diveroli më kishte futur në një film,” kujton Packouz.
Në Abu Dabi, Packouz shpresonte të gjente një furnizues të vetëm që të plotësonte të gjitha kërkesat e AEY. Kandidati më i dukshëm ishte Rosoboron Export, një kompani zyrtare për të gjitha armët ruse. Ajo kishte trashëguar perandorinë e armëve të Rusisë dhe tani menaxhohej nga një rrjet oligarkësh pranë Vladimir Putin. Ishte aq e madhe si kompani sa mund të plotësonte kërkesat e Packouz me një ndalesë të vetme.
Por kishte një kleçkë, një lloj perversiteti të përbashkët në botën e trafikut të armëve: Rosoboron ishte ndaluar nga Departamenti i Shtetit për shkak se i kishte shitur material nuklear Iranit. Qeveria amerikane kërkonte armatim rus, por jo nga rusët. AEY nuk mund të bënte tregti me firmën ruse, të paktën jo legalisht. Por për tregtarët e armëve kjo është një pengesë që kalohet.
Packouz kaloi disa ditë deri sa siguroi një takim me zëvendësdrejtorin e kompanisë ruse. Ai dukej si një ish- spiun i KGB-së, ishte i shëndoshë, rreth të gjashtëdhjetave dhe mbante syze. Ndërsa Packouz fliste, ai hidhte sytë vërdallë për tu siguruar që nuk i shihte kush. Packouz i tregoi listën e municioneve që kërkonte dhe sasitë. Zëvendësdrejtori ngriti një vetull, i habitur nga shkalla e këtij operacioni.
“Kemi shumë interes për të bërë biznes bashkë,” tha ai me një theks rus. “Ti e di që ne jemi e vetmja kompani që ofrojmë gjithçka.”
“E di,” tha Packouz, “ndaj dua të bëjmë biznes bashkë”.
“Por sic e di, Departamenti i Shtetit na ka futur në listën e zezë. Nuk e kuptoj qeverinë tuaj. Një muaj është OK për të bërë tregti,më pas jo. Nuk është e ndershme, është shumë politike.”
“E di që nuk mund të bëjmë biznes direkt,” i tha Packouz, duke i thënë se kishte mënyra të tjera për ta bërë këtë indirekt.
“Do flas me njerëzit e mi,” i tha zëvendësdrejtori duke marrë një nga kartat e biznesit të Packouz.
Ishte hera e fundit që Packouz dëgjonte për rusin. Disa javë më vonë, ndërsa po rregullonte rrugët e dërgesave, Packouz u informua se AEY nuk do kishte të drejtë të fluturonte mbi Turkmenistan, një ish- satelit sovjetik, për të shkuar në Afganistan. “Ishte e qartë se Putini po kruhej direkt me ne,” thotë Packouz.
Packouz arriti të siguronte një leje fluturimi përmes një linje ukrainase- por episodi tregoi edhe njëherë se sa pak kuptonte ai nga kjo punë. “Ishte një lojë shumë e thellë, nuk e dija ç’po ndodhte.”
Kur rregulloi fluturimin për në Kabul, i ra telefoni. Kërkohej më shumë municion. Sa më i lirë, aq më mirë. Sa më pak të kushtonte, aq më shumë fusnin në xhep ata. Nuk kërkohej cilësi, madje Packouz e shkruajti këtë në një email që i dërgoi një furnizuesi.
Packouz u ul në divan në apartamentin e Diverolit dhe nisi të merrte në telefon ambasadat amerikane në vendet me “stan”. E trashte zërin dhe përpiqej të kishte një ton ushtarak. Bisedonte me ta, qeshte, dhe i pyeste se si shkonin gjërat në Kazakistan. “U thoja që isha pjesë e një procesi vital për ndërtimin e kombit në frontin qendror të luftës ndaj terrorit,” kujton Packouz. “Më pas u thoja se çfarë po dërgoja, të gjithë ishin gati për të ndihmuar.”
Nuk u desh shumë kohë që AEY ta rriste marzhin e fitimit nga 9 përqind në 25- mjaftueshëm sa për të dërguar në xhepat e të rinjve rreth 85 milion dollarë. Por edhe kjo shumë gjigante nuk e kënaqte Diverolin. Ai kërkonte më shumë kontrata nga Pentagoni.
Me biznesin në rritje, AEY mori me qera një hapësirë më të madhe e më të shtrenjtë në Miami Beach. Punësuan një menaxher e dy sekretare të reja që i gjetën në Craigslist. Diveroli solli dhe dy miq nga sinagoga, përfshi një djalë që fliste rrjedhshëm rusisht. “Gjërat po ecnin vetë”, kujton Packouz. “Por dërgonim sasi të qëndrueshme. Kishin furnizues në Hungari e Bullgari dhe në vend të tjera. Kisha rregulluar më në fund edhe lejet e fluturimit.”
Packouz duhej të paguhej, por ai ishte i bindur se do të bëhej shumë i pasur. E shiti makinën e tij Mazda e mori një Audi A4 të ri. Gjithashtu mori një apartament më pamje të mirë. Edhe Diveroli bëri të njëjtën gjë. Tani banonin në të njëjtin kompleks me Raulin, personin që u shiste drogën.
“Jashtë ballkonit tim kishte femra që bënin plazh topless. Ishin modele ose kozmetologe. Djemtë ishin avokatë ose biznesmenë. Ne u thoshim që ishim tregtarë armësh. “E keni parasysh luftën në Afganistan?, u thoshim, “Ne i dërgojmë të gjithë fishekët”. Ishte si parajsë. Dukej sikur ishim në majë të botës.”
Në mbrëmje shkonin në një fermë ku ndodhej një dyqan armësh dhe gjuanin me uzis dhe MP5. “të gjuash me një automatik të bënte të ndjehesh i fuqishëm”, kujton Packouz.
Copa më e madhe në kontratë, në terma të sasisë ishte municioni për AK 47. Packouz kishte marrë sasi të mira nga furnizuesit në Hungari dhe Çeki. Por Diveroli insistonte se duhej përdorur tregtari zviceran i armëve, Hajnrish Tomet dhe kontaktet e tij në nivele të larta në Shqipëri. Kjo lëvizje do kishte kuptim. Shqiptarët nuk kërkonin një depozitë të madhe si pagesë fillestar, çka e bënte me të lehtë për AEY që të bënte kërkesa të mëdha. Dhe sigurisht që qeveria shqiptare do e përballonte këtë volum: liderët paranojakë komunistë ishin aq të bindur që do sulmoheshin nga fuqitë e huaja sa kishin transformuar vendin në një kosh të madh municionesh, me bunkerë të shpërndarë në të gjithë vendin. në fakt, municioni AK 47 ishte aq i shumtë, sa presidenti shqiptar kishte fluturuar së fundmi për në Bagdad duke ofruar për të dhuruar miliona fishekë për gjeneralin David Petraeus.
Struktura e blerjeve të AEY për municionet shqiptare ishte standarde për botën ilegale të armëve, ku e gjithë rëndësia është tek zhdukja e origjinës dhe përdoruesit përfundimtar. Ishte perfekte nga pikëpamja legale, por bëhej fjalë për një marrëveshje dyfishe. Një kompani me emrin Evdin, të cilën e kishte ngritur Thomet në Qipro, do e blinte municionin nga kompania shqiptare e eksportit të armëve. Evdin më pas do ia rishiste AEY. Kështu Tomet hynte si ndërmjetës dhe AEY e qeveria amerikane do izoloheshin nga çdo mëdyshje ligjore e morale se po bënin biznes me një vend tejet të korruptuar e të paparashikueshëm si Shqipëria.
Por kishte një problem: kur Diveroli bëri ofertën, nuk kishte përfshirë në të kostot e dërgimit, duke mos marrë parasysh kështu as kostot në rritje të karburantit. Ushtria i kishte dhënë atij leje të ripaketonte fishekët në kuti kartoni, por të bëje këtë gjë në një vend kaq jofunksional si Shqipëria nuk ishte e lehtë. Kështu që Diveroli dërgoi një nga miqtë e tij të sinagogës, Aleks Podrizki, në Tiranë për të parë detajet e përmbushjes së marrëveshjes.
Telashet u shfaqën menjëherë. Kur Podrizki mbërriti në Shqipëri, ai shkoi në një bunker ku mbaheshin municionet. Dukej se shqiptarët nuk kishin aspak kujdes për sigurinë. Kutitë e fishekëve i hapnin me sëpatë, pinin cigare në një dhomë të mbushur me barut. Municioni vetë ishte i vjetër disa dekada, por dukej se punonte. Vetëm se mbahej në kuti të ndryshkura ose në arka druri, duke mos respektuar asnjë protokoll për një material kaq të rrezikshëm. Mbi të gjitha, Podrizki vuri re se kontejnerët- të njohura me emrin kuti sardeleje- mbanin sipër shenja kineze. Podrizki mori në telefon Packouz në Miami.
“E kontrollova materialin dhe është në rregull,” i tha Podrizki. “Por plako, e di që ky është municion kinez?”
“Çfarë po thua?” i tha Packouz.
“Municioni është kinez.”
“Nga e di që është kinez?”
“Ka shenja kineze gjithandej mbi kuti.”
Zemra e Packouz u dridh. Nuk ishte puna vetëm tek fakti se kishte një embargo kundër shitjes së armëve të prodhuara në Kinë: kontrata afgane kishte të specifikuar se municioni kinez nuk lejohej. Mundet që AEY të argumentonte se municioni nuk e thyente embargon për shkak se ishte importuar në Shqipëri disa dekada përpara se të vendosej ajo, në kohën kur qeveria komuniste shqiptare ishte në aleancë me Maon. Madje kishte edhe një precedent për një argument të tillë: vetëm një vit më parë, ushtria ishte e kënaqur me municionin kinez që AEY kishte dërguar nga Shqipëria. Por kësaj here, kur Diveroli i shkroi zyrës së këshillave ligjore pranë Departamentit të Shtetit nëse mund të përdoret fishekët kineze të prodhuar përpara embargos, ai mori një përgjigje të prerë: jo pa një dekret presidencial.
Nisur nga afatet e kontratës, nuk kishte kohë për të gjetur një tjetër furnizues. Hungarezët mund të plotësonin gjysmën e marrëveshjes, por municioni nuk do ishte gati për tu dërguar deri në vjeshtë: çekët mund të plotësonin të gjithë kërkesën, por kërkonin 1 milion dollarë. Çdo vonesë do rrezikonte që kontrata të humbiste. “Ushtria po na bënte presion për municion,” thotë Packouz.
Kështu që dy miqtë zgjodhën një opsion të tretë. Si tregtarë armësh e dinin që shmangia e ligjit nuk ishte ndonjë skenar aq ekstrem- ishte rutina e të bërit biznes. Madje kishte edhe një term për një gjë të tillë: quhej gënjeshtër. Packouz i dërgoi një e-mail Podrizkit në Shqipëri dhe e mësoi se si fishekët duheshin ripaketuar për të shmangur shenjat kineze. Ishte koha për të mashtruar.
I vetëm në një qytet të huaj, Podrizki zgjodhi që të improvizojë. Mori një numërator telefonik dhe gjeti emrin e një prodhuesi kutish kartoni të quajtur Kosta Trebicka. Të dy u takuan në një lokal pranë Sky Toëer, në qendër të qytetit. Trebicka ishte në fund të të dyzetave, një njeri i ashpër, me duar me kallo nga puna. Ai i tha Podrizkit se mund ta furnizonte me kuti karton mjaftueshëm të forta sa për të mbajtur municionin, si dhe me forcë punëtore që mund të zhvendoste fishekët në kutitë e reja. Një javë më vonë, Podrizki mori në telefon Trebickën për ta pyetur nëse mund të punëosnte mjaftueshëm njerëz për të paketuar rreth 100 milion fishekë, duke i nxjerrë nga kutitë e hekurit e duke i vendosur në kuti kartoni. Trebicka mendoi se ishte një kërkesë shumë e çuditshme. Përse duhej të bëhej një gjë e tillë? Podrizki tha se qëllimi ishte që të lehtësohej ngarkesa dhe të kurseheshin para nga dërgesat. Pasi negocoi me Diverolin në Miami, Trebicka pranoi që të merrte përsipër punën për 280 mijë dollarë dhe punësoi një ekip për të bërë ripaketimin.
Ndërsa punonte në magazinë, Trebicka u bë akoma edhe më dyshues. I shqetësuar se po ndodhte diçka e ndyrë, ai mori në telefon ambasadën amerikane dhe u takua me atashenë ekonomik. Në në kafe tek kafene Chocolata, Trebicka i tha se municioni ishte i mbushur me shënime kineze. Ishte problem? Jo, aspak, i ishte përgjigjur zyrtari amerikan. Ambasada ishte përpjekur të gjente para për të demontuar municionet, kështu që dërgimi i fishekëve në Afganistan do u bënte një nder atyre. AEY dukej se ishte e pastër.
Por lakmia e mori në qafë Diverolin. Në një telefonatë nga Miami, ai i kërkoi Trebickës që të përdorte kontaktet e tij në qeverinë shqiptare për të zbuluar se sa paguante Tomet tek autoritetet shqiptare për municionin. AEY i jepte sekserit zviceran të armëve rreth katër cent për fishek dhe ia rishiste Pentagonit për 10 cent. Por Diveroli mendonte se Tomet po u rripte lëkurën.
Dhe duket se kishte të drejtë. Pak ditë më vonë, Trebicka raportoi se Tomet u paguante autoriteteve shqiptare vetëm 2 cent pr fishek- kjo do të thoshte se ai ia dyfishonte çmimin AEY vetëm pse shërbente si ndërmjetës. Diveroli u tërbua. Ai i kërkoi Trebickës që të takohej me kontaktet e tij në Shqipëri dhe të gjente një mënyrë për të nxjerrë Tometin jashtë kësaj marrëveshje.
Trebicka ishte i gatshëm për të ndihmuar. Shqiptarët, mendonte ai, do ishin të gëzuar nëse do bënin biznes direkt me AEY. Mbi të gjitha, duke i dhënë fund Tometit, do kishte më shumë para për të gjithë. Por kur Trebicka u takua me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ndërhyrja e tij dha efektin e kundërt: shqiptarët ia prenë menjëherë marrëveshjen atij, duke e informuar AEY se puna e ripaketimit do përfundohej nga një mik i djalit të kryeministrit. Ajo që nuk kishte llogaritur Trebicka ishte se Tomet po u paguante shqiptarëve një haraç të majmë. Të hiqje qafe Tometin ishte e pamundur për shkak se shqiptarët ishin paguar në të zezë.
Diveroli fluturoi për në Shqipëri dhe u përpoq të ndërhynte që Trebicka të mbante punën, por nuk kishte ndikim për të bërë një gjë të tillë. Trebicka kishte mbetur me ekipin e të punësuarve dhe me një magazinë plot me kuti kartoni, që po dilnin jashtë përdorimit. I zemëruar për këtë, ai mori në telefon Diverolin dhe e regjistroi në mënyrë sekrete bisedën, duke kërcënuar se do i tregonte CIA-s atë që dinte për marrëveshjen. “Nëse shqiptarët duan të punojnë akoma me mua, nuk do e hap gojkën,” premtoi ai. “Do bëj gjithçka më thua për të bërë.”
Diveroi sugjeroi që Trebicka të korruptonte Ylli Pinarin, kreun e agjencisë shqiptare për eksportin e armëve, që po ofronte municionin. “Përse nuk ia puth dhe njëherë prapanicën Pinarit,” tha Diveroli. “Merre në telefon. Lutju. Puthe. Dërgo ndonjë nga femrat e tua ta pallojë. Bëje të lumtur. Ndoshta mund të luajmë me frikërat e tij. Ose jepi pak para, futi diçka në xhep. Ai nuk do marrë shumë prej teje- 20 mijë dollarë.”
Kur Trebicka u ankua se po nxirrej me forcë jashtë marrëveshjes, Diveroli tha se nuk mund të bënte asgjë. Në palën shqiptare të kësaj marrëveshje ishin angazhuar aq shumë banditë, sa ishte bërë shumë e rrezikshme. “Ka shkuar lart, tek kryeministri e djali i tij,” tha Diveroli. “Kjo mafia është shumë e fortë për mua, nuk mund ta luftoj. Është shumë e madhe. Kafshët po dalin jashtë kontrollit.”
Me gjërat në ajër në Shqipëri, Packouz nisi të ndjejë presionin. Ai ishte i stresuar, punonte gjithë ditën, negocionte blerje muli-milinash dhe kujdesej për transportin. Dukej sikur AEY ishte në rrethim nga të gjitha anët. Kështu që kur aeroplani me 5 milion fishekë u ngrit më në fund nga Hungaria drejt Kabulit, mori frymë i lehtësuar. Më pas aeroplani u kap papritur në Kirgistan- dhe Packouz u detyrua të hynte në aksion edhe njëherë, duke punuar me telefonët për javë në mënyrë që municioni të lirohej. Për fat, AEY kishte miq në nivele të larta. Kur Packouz kontaktoi me ambasadën amerikane në Kirgistan, atasheu ushtarak menjëherë i shkroi qeverisë së Kirgistanit, duke i shpjeguar se përse kjo ngarkesë ishte e nevojshme në mënyrë urgjente për luftën ndaj terrorizmit në Afganistan. Dy javë më vonë, Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, udhëtoi në Kirgistan në një mision për të siguruar që ngarkesat të kalonin përmes aeroportit atje. Pas presionit të zyrtarëve më të lartë amerikanë, municioni u lirua.
“Nuk e zbulova kurrë se çfarë ndodhi apo pse u kap aeroplani,” thotë Packouz. “Kështu ishin gatuar gjërat në tregtinë ndërkombëtarë të armëve, politika dhe industria e mbrojtjes ishin të ndërthurura në mënyrë ekstreme- nuk mund të bësh biznes me njërën pa u marrë me tjetrën. Fati yt varet nga mekanizmat politikë pas skenës. Madje nuk e di as në krahun e kujt je- kë po ndihmon e kë po lëndon.”
Me lirimin e aeroplanit dhe me linjën e furnizimit nga Shqipëria të siguruar, Packouz dhe Diveroli mendua se më në fund kishin gjithçka nën kontroll. Aeroplanët e mallrave po ngriheshin gjithandej nga aeroportet në Europën Lindore. Zyrtarët ushtarakë që merrnin municionin në Kabul e dinin që ishte kinez: çdo fishek ka stampën e prodhuesit, siç e di mirë çdo ushtar. Por dërgesat miratoheshin në mënyrë rutinë, dhe nuk kishte asnjë ankesë nga afganët për cilësinë e fishekëve. Municioni funksiononte dhe kjo kishte rëndësi. Miliona dollarë transferoheshin nga Pentagoni në llogaritë e AEY dhe kontrata prej 300 milion dollarë po ecte pa probleme. Diveroli ishte i pasur. Packouz do të bëhej i pasur. Ia kishin dalë.
Por nuk u desh shumë që suksesi të kthehej në sherr mes dy miqve. Packouz ishte i tejlodhur dhe punonte nga 18 orë në ditë për të gjurmuar furnizuesit. Nisi të vinte më vonë në punë dhe të largohej më herët. Diveroli, që i detyrohej atij komisionet e duhej të plotësonte një cek për partnerin e tij, nisi të nxirrte vickla për orët e punës.
“Efraimi nisi të më shihte me një sy ndryshe,” thotë Packouz. “E dija çfarë kishte në mendje. Kishte miliona e miliona në bankë, por ishte i detyruar të më jepte një pjesë të mirë mua. Nuk donte të m’i jepte. Kështu ishte gatuar.
Një ditë, Diveroli e bëri lëvizjen e tij. Ai synonte të rinegocionte marrëveshjen. Packouz e dinte që ishte në pozicion të vështirë. Paratë që vinin nga Pentagoni shkonin direkt në llogaritë e AEY. Packouz nuk kishte një marrëveshje të shkruar me Diverolin, vetëm një pakt verbal. Një tundje duarsh mbetet thjesht një tundje duarsh.
Në përpjekje për të mbrojtur interesat e tij, Packouz kërkoi një takim me avokatët. Përpara takimit, dy miqtë këmbyen disa fjalë shpejt.
“Dëgjo plako, nëse ma fut mua, do të ta fus ty,” paralajmëroi Packouz.
“Kujt i plasi,” tha Diveroli.
“Do plasë lufta,” tha Packouz. Dhe luajti kartën vendimtare. “Besoj nuk ke dëshirë që zyra e taksave të vijë të kontrollojë.”
Fytyra e Diverolit u bë e bardhë.
“Qetësohu,” tha Diveroli. “Mos e përmend më atë gjë. Mund të gjejmë një marrëveshje.”
“I di të gjithë kontaktet e tua dhe mund tu dërgoj atyre dokumentat aktuale që tregojnë se çfarë ka paguar qeveria,” tha Packouz. “Do e humbasësh krejt marzhin e fitimit.”
“Merret me qetësi,” i tha Diveroli.
“Ne të dy e dimë që ke dërguar gjëra kineze,” tha Packouz.
U arrit një marrëveshje dhe Packouz mori atë pjesë të komisionit që i ishte premtuar. Ai madje e dinte që kishte diçka më të vlefshme se paratë: ai dinte si të bënte biznes me qeverinë. Për të konkurruar me ish- partnerin e tij, ai hapi një biznes të tijin, Dynacore Industries, duke pretenduar në faqen e tij se “stafi” i tij kishte punuar me Departamentin e Shtetit, Pentagonin dhe ushtritë në Irak e Afganistan. “Ndonjëherë duhet të mashtrosh derisa t’ia dalësh,” thotë Packouz. “Njerëzit nuk bëjnë biznes me ty nëse nuk ke eksperiencës, por si mund të kesh eksperiencë kur ata nuk bëjnë biznes me ty? Gjithkush ka gënjyer disa herë.” Duke menduar se Diveroli mund të vendoste se ishte më e lehtë ta vrisje, sesa ta paguaje, Packouz bleu një pistoletë për garanci.
Por doli që Packouz kishte gjëra të tjera për tu shqetësuar. Fitorja e kontratës për Afganistanin kishte krijuar shumë armiq për AEY në industri. Një tregtar amerikan armësh ishte ankuar tek Departamenti i Shtetit, duke pretenduar se AEY po blinte fishekë kallashnikovi kinez për t’i dërguar në ushtrinë e Irakut. Akuzat ishin false, por provokuan një hetim kriminal nga Pentagoni. Më 23 gusht 2007, ditën kur Packouz do të nënshkruante marrëveshjen me Diverolin- agjentët federalë mësynë zyrat e AEY në Miami Beach. Gjithkush u urdhërua që të largohej menjëherë nga kompjuterat dhe agjentët sekuestruan dokumentat dhe hard- drive-t e kompanisë.
Aksioni i drejtoi direkt agjentët tek e-mailet në lidhje me shenjat kineze në municionin e marrë në Shqipëri dhe komplotin për t’i ripaketuar. “E-mailet ishin tmerrësisht inkriminues- ata tregonin qartë gjithçka,” thotë Packouz. “E dija që kur ato i panë që ishim në telashe. Ishim treguar budallenj. Nëse nuk do ishin e-mailet, do kishim mohuar gjithçka. Por kishte emra dhe data. Ishin të pamohueshëm. E kuptova se do më kapnin sido që të shkonte puna, ndaj u dorëzova. Kur agjentët erdhën në zyrën e avokatit tim, po talleshin me faktin që kishin parë gjithë e-mailet dhe shënimet. Po qeshnin.”
Për të shmangur dënimin, Packouz pranoi të bashkëpunonte, ashtu si Aleks Podrizki. Por Diveroli vazhdoi të bëjë dërgesa të municionit kinez në Afganistan dhe ushtria e pranonte atë. Por tani, megjithë ripaketimin, gjërat po bëheshin më problematike. Disa nga kutitë ishin të mbushura me termite, dhe municioni ishte dëmtuar nga uji. E informuar nga një avokat i Kosta Trebickës, që kishte nisur një kryqëzatë kundër korrupsionit në Shqipëri, gazetar New York Times shkroi një artikull në faqen e parë në mars të vitit 2008 me titullin ‘Furnizuesi nën hetim për armët e afganëve”.
Përpara se gazeta të botonte shkrimin, Packouz nuk besonte se do të akuzohej për dërgimin e municioneve kineze të para- embargos. Por pasi doli shkrimi, ai dhe Podrizki u përballën me 71 akuza për mashtrim. Duke u përballur me prova të pakundërshtueshme, ata e shpallën veten fajtorë. Prodhuesi i armëve nga Utah, Ralf Merrill, tha se nuk ishte fajtor dhe u dënua në dhjetor. Hajnrish Tomet thjesht u zhduk: sipas thashethemeve ai është parë së fundmi diku në Bosnje.
Pasi shpërtheu historia, Kosta Trebicka udhëtoi për në SHBA për të folur me hetuesit dhe prokurorët federalë. Por shumë shpejt u terrorizua nga fakti se qeveria amerikane mund të ngrinte akuzë edhe ndaj tij. Por në Shqipëri ai ishte bërë dëshmitar kryesor në një rast që kishte në shënjestër banditë dhe gangsterë me lidhje me kryeministrin. Një pasdite në shtatorin e vitit 2008, Trebicka u vra në një “aksident” misterioz, kur makina e tij u rrëzua në një vend të rrafshët jashtë Tiranës. U gjet i gjallë nga fshatarët, por ekipi mjekësor dhe policia erdhi shumë vonë. Një nga zytarët e parë në skenë ishte në fakt ish- truproja e kryeministrit shqiptar. “Nëse ishte aksident,” thotë Erion Veliaj, një aktivist shqiptar që ka punuar me Trebickën, “ishte shumë i çuditshëm”.
Me gjithë këtë kaos, Diveroli dhe Packouz kishin bërë biznes në shuma të mëdha me ushtrinë amerikane. AEY kishte bërë 85 dërgesa municionesh në Afganistan me një vlerë mbi 66 milion dollarë, dhe kishte marrë kërkesa për 100 milion dollarë të tjera. Por kjo fiasko përfshin më shumë se dy djelmosha që thithin hashash. “Kontrata e AEY mund të shihet si një rast studimor në atë çfarë është gabim me procesin e prokurimit,” konkludohet në një hetim të Komitetit të Kongresit për Mbiqkqyrjen dhe Reformat e Qeverisë. Administrata e Bush synoi të shtynte përpara luftërat në Afganistan e Irak duke futur edhe kompani si AEY në botën ilegale të trafikut të armëve- por kur gjërat u bënë të pista, qeveria reagoi me indinjatën e duhur.
Në janar Packouz u dënua me 7 muaj arrest shtëpia pasi doli përpara një gjykate federale në Miami dhe shprehu keqardhje për turpin, stresin dhe dhimbjet e zemrës që kishte shkaktuar. Por keqardhja e tij është politike: ai beson se bashkë me Diverolin u bënë koka turku, u hetuan jo për faktin se kishin shkelur ligjin, por sepse kishin turpëruar administratën e Bushit. Askush nga qeveria nuk është akuzuar për këtë çështje, edhe pse zyrtarët në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit e dinin mirë se AEY po dërgonte municion kinez në Afganistan.
“Ishim kontraktorët favoritë për ushtrinë kur morëm marrëveshjen- ishin djemtë model për iniciativën e biznesit të vogël të presidentit Bush,” thotë Packouz. “Do i kishim kursyer qeverisë të paktën 50 milion dollarë. Po jetonim ëndrrën amerikane, derisa u kthye në makth.”
Në janar, i veshur me një kostum të kuqërremtë, Diveroli doli përpara gjykatësit Joan Lenard për të marrë verdiktin në gjykatën e re e plot shkëlqim të Miamit. Gjykata ishte e mbushur me miq dhe të afërm, por ata nuk i dhanë mbështetjen që priste. “Efraimi duhet të shkojë në burg,” i tha një rabin gjykatësit. Madje edhe nëna e Diverolit u pajtua me këtë. “E di që do më urresh për këtë,” tha ajo duke iu drejtuar të birit direkt, “por duhet të shkosh në burg.” Diverolit iu prenë krahët.
Diveroli e përshkroi më pas pendesën e tij përpara gjykatësit. Kur rojët e burgut më panë dosjen, tha ai, u habitën që një perosn kaq i ri kishte fituar një kontratë kaq të madhe ushtarake. “Nuk kam përgjigje,” tha Diveroli përpara gjykatës. “Kam pasur kaq shumë eksperienca në jetën time të shkurtër. Kam bërë më shumë sesa njerëzit mund të ëndërrojnë. Por do i kisha bërë ndryshe. Të gjithë kohërat e mira dhe fama në industri nuk mund ta zhbëjnë dëmin.
Gjykatësi Lenard e pa Diverolin: “Nëse nuk ishte kaq e mahnitshme, ti mund të qeshje,” tha Lenard. Dhe e dënoi atë me katër vjet burg.