English

Shoqatat Shqiptare në diasporë: Çështja Çame të zgjidhet në Tiranë

Çikago (SHBA), 20 mars, NOA - Shoqata Çamëria me seli në Çikago, të shtunën organizoi orën e kujtesës historike kombëtare për rolin e Diasporës në zgjidhjen e çështjes së dhimbshme kombëtare shqiptare çame.

Me këtë rast u shfaq dokumentari “Ëndrra e Çamërisë”, që shpalonte faqet e historisë ndër shekuj deri në ditët tona dhe kontributi i kombit tonë për ngritjen e shtetit shqiptar dhe grek. Dokumentari solli para të pranishmëve detaje tejet të dhimbshme të masakrës së Filatit dhe të Tivarit, ku mizoritë shoviniste greke dhe serbo-malazeze vranë dhe masakruan vetëm pse ishin shqiptar dhe në trojet e veta, raporton agjencia e lajmeve INA.

Pas shfaqjes së dokumentarit u hap një debat i gjerë për çështjen e Çamërisë dhe për Shqipërinë Etnike. Veprimtari çam, Sali Bulati foli gjerësisht për aspektet e shovinizmit grekofil që ndër vite me të gjitha masat represive, vrau dhe masakroi me qindra çamë madje me skenarët e marrëveshjeve të fshehta Greko-Turke ishin rasti i errët për orët e përgjakura. Po këtij veprimtari, Bulatit, grekofilët ia vranë shtatë anëtarët e familjes. Ndërkaq,për masakrën e Filatit dhe të Tivarit foli Rasim Bebo,veprimtar i dalluar çam dhe kronist i kohës shqiptare.

Në debat u vu në dukje roli i Diasporës Shqiptare në Amerikë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni.

Për situatën aktuale, Skënder Karaçica theksoi se këso kohe nuk është e qartë pse kaq ftohtë po qëndron subjekti politik shqiptar në Atdhe(Tiranë,Prishtinë,Shkup),kur e kur nga fqinjët tanë përditë po gjuhen gurë dhe po rrënohet e drejta natyrore dhe kushtetuese e rregullimit tonë të brendshëm.

“Përditë dëgjojmë zëra që vijnë nga qarqet shoviniste grekofile për gjoja ekzistimin, e popullit grek në Jug të Shqipërisë dhe apetitet tashmë të njohura të tyre. Për këto orë ogurzezë, për çudi, asnjë institucion yni nuk flet. Diaspora Shqiptare në Amerikë i bashkohet programit kombëtar të PDU-së dhe nismën e dy deputetëve çamë në Parlamentin Shqiptar që përmes një Rezolute çështja e Çamërisë duhet të zgjidhet në Tiranë”, theksoi zëshëm Karaçica.

KOMENTE