Prishtinë, 20 mars 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një deklarate për mediat është shprehur se mbështet sulmet e nisura mbi Libi.
Në deklaratë thuhet se, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet intervenimin ushtarak të forcave ajrore të disa nga shtetet e NATO-s mbi caqet ushtarake te diktatorit Gedaf në Libi, dhe këto sulme i konsideron si akte në dobi të paqes dhe sigurisë në rajonin e Mesdheut e më gjerë.
Sipas Thaçit, ndërhyrja mbi pozicionet e diktatorit Gedaf është akt human në mbrojtje të popullatës civile libiane, e cila kërkon largimin e diktatorit, liri, demokraci dhe prosperitet për popullin e Libisë.
“Kosova e ka të provuar rëndësinë e intervenimeve të natyrës së tillë në vitin 1999, kur Aleanca Veriatlantike me sukses udhëhoqi fushatën e bombardimeve kundër caqeve serbe, duke u përmbyllur me sukses çlirimi i Kosovës, por edhe rënia e diktatorit serb, Milosheviç”, vijon më tej qëndrimi i Kryeministrit Thaçi.
Ndër të tjera ai ka theksuar se, Qeveria e Kosovës solidarizohet me shtetet që mbështetin intervenimin ajror në Libi, përgëzon Këshillin e Sigurimit për dhënien e së drejtës për intervenim dhe konsideron se ky veprim është i drejtë, legjitim dhe i domosdoshëm.
Ndërkaq ai e mbyll deklaratën duke thënë se, Qeveria e Kosovës mbështet përpjekjet e popullit libian që të fitojë lirinë dhe të demokratizohet, duke u bërë vend i rëndësishëm i botës arabe dhe shembull i vlerave të demokracisë.
a.y/NOA