English

Arkivi Qendror i Filmit, paraqet dokumentarë të Vitori Çelit dhe Xhanfize Kekos

Tiranë, 21 mars, NOA - Arkivi Qendror i Filmit, gjatë datave 23 dhe 25 mars, do të paraqesë dokumentarë të Vitori Çelit dhe Xhanfize Kekos.

Konkretisht, AQF bën me dije për agjencinë e Lajmeve NOA se do të paraqesë 3 filma dokumentarë nga krijimtaria e regjisores Vitori Çeli: “Banorë të rinj buzë Jonit” (1976), “Asdreni” (1976), “Prite, prite Skënderbenë” (1983) ku ka bashkëpunuar me skenaristët Vllasova Musta e Kolec Traboini dhe montazhieret Dallëndyshe Baboci, Eli Coja e Nazmije Sula.

Vitori Celi, regjisore e filmit dokumentar dhe regjisore montazhi, lindi në Nju Jork më 24 maj 1928. Bëri një kurs në Moskë ku u specializua në dublimin e filmave. Filloi punë në Kinostudio që më themelimin e saj më 1952. Ishte regjisorja e parë e dublazhit dhe montazhit dhe si e tillë punoi në filmat e parë artistikë të prodhuar nga Kinostudio. Përveç tyre, realizoi edhe rreth 36 filma kronikalë e dokumentarë. Ndërkaq, homazh do kryhet edhe për kineasten e shquar, regjisoren e filmit artistik, Artisten e Popullit Xhanfise Keko, e cila sigurisht s’mund të lihej jashtë kur flitet për gratë kineaste.

Për të, do të shfaqen filmat: “A..B...C..ZH” (1971) dhe "Tingujt dhe fëmijët (1970) ku regjisorja Keko ka bashkëpunuar me skenaristët Peçi Dado dhe montazhieren Manushaqe Halili.

Xhanfise Keko, regjisore e filmit artistik dhe dokumentar regjisore montazhi, lindi në Gjirokastër më 27 janar 1928. Kreu një kurs 2-vjeçar në Moskë për montazh pranë Studios Qendrore të filmit dokumentar. Filloi punë në Kinostudio që me themelimin e saj në vitin 1952. Realizoi një sërë filmash dokumentarë, por doli në arenën e artit kryesisht nëpërmjet trajtimit emocional të temës së fëmijëve dhe botës së tyre nëpër filmat artistikë që mbeten edhe sot nga filmat më të dashur për shikuesit. Fituese e shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos me përfaqësimet në Festivalin e fëmijëve Giffoni, Itali.

n.e/NOA

KOMENTE