English

BDSH: Platformë kundër diskriminimit të shqiptarëve

Shkup, (Maqedoni), 21 mars, NOA – Bashkimi Demokratik Shqiptar ka hartuar Platformën anti diskriminimi të shqiptarëve në Maqedoni, e cila u prezantua nga lideri i saj Bardhyl Mahmuti.

Nëpërmjet këtij dokumenti nxirren në sipërfaqe të dhëna por edhe siç theksohet "logjika e dyfishtë që shteti i Maqedonisë aplikon në raport me shqiptarët autokton".

"Mosrespektimi i Konventave ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave është edhe shteti i Maqedonisë, Mosrealizimi i Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund luftës dhe nuk ndërtoi paqen, Dhuna, terrori dhe diskriminimi i vazhdueshëm racial që shteti i Maqedonisë aplikon kundër shqiptarëve autokton, nga populli shqiptar i Maqedonisë krijuan popullin më të shtypur dhe më të diskriminuar në Evropë. Kjo politikë agresive dhe antishqiptare e institucioneve shtetërore të Maqedonisë është katalizator i konflikteve të reja në këtë shtet, si dhe bartë me vete rrezikun e destabilizimit të Evropës Juglindore", thuhet në pjesët e kësaj Platforme, duke nënvizuar se situata është tejet dramatike dhe bartë me vete rreziqe të mëdha.

Sipas Platformës së BDSH-së, kjo situatë kërkon që forcat politike kombëtare dhe ndërkombëtare të veprojnë me mençuri për të dëshmuar kapacitetet preventive të një konflikti me përmasa të paparashikuara.

"Çdo neglizhencë e kësaj situate na bën përgjegjës të gjithëve dhe secilin në përputhje me peshën e vet politike në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Për këtë arsye, dhe me qëllim që të ndërtohen raporte të reja paqësore në këtë pjesë të Evropës, BDSH në ditën ndërkombëtare të luftës për eliminimin e diskriminimit racial (21 mars) kërkon nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, nga intelektualët dhe personalitetet e jetës publike, nga rinia studentore në Maqedoni, nga institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, nga partitë politike që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë, nga Akademitë e shkencave të dy shteteve, nga institucionet shkencore, nga organizatat joqeveritare, nga intelektualët e pavarur, nga emigracioni, i cili i mbajti mbi supet e veta tri luftërat e fundit çlirimtare në hapësirat shqiptare, që të ngrenë zërin e protestës dhe të mbështesin kërkesën për një Konferencë të Re Ndërkombëtare e cila duhet t’i japë fund vuajtjeve dhe diskriminimit racial të shqiptarëve në Maqedoni!", thuhet në Platformën e BDSH-së.

NOA/INA

KOMENTE