English

Berisha-Pacolli: Vullnet për ndërtimin e veprave të mëdha në infrastrukturë

Tiranë, 21 mars 2011, NOA – Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli u prit sot në vizitën e tij të parë në Shqipëri si President i Kosovës edhe nga kryeministri Sali Berisha. Zyra e shtypit e qeverisë zbardhi para pak minutash detaje nga ky takim. Pas përshëndetjes për marrjen e detyrës së presidentit të Kosovës, Presidenti Pacolli i shprehu kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, dhe energjitë e tij të pashtershme në mbështetje të Kosovës e çështjes kombëtare.

Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore, të gjithanshme, midis dy vendeve e popujve dhe angazhimi i të dy vendeve për të ndërtuar bashkëpunimin më të ngushtë në të ardhmen, duke e shndërruar kështu faktorin shqiptar në shembull të marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Pacolli vlerësuan se bashkëpunimi është në shërbim të interesit më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, paqes, stabilitetit e miqësisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor e më gjerë, si dhe ecjes përpara me shpejtësi drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian dhe në komunitetin euroatlantik.

Bashkëbiseduesit shprehën angazhimin e të dy vendeve për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Në këtë kontekst ata theksuan se duhet përgatitur një kuadër lehtësues ligjor, veçanërisht sa i përket atij të bashkëpunimit në fushën ekonomike, bujqësore, investimeve të gjithanshme, si dhe infrastrukturave të rëndësishme që do lidhin dy vendet dhe mbarë rajonin.

Në këtë kontekst Berisha e Pacolli rikonfirmuan vullnetin për ndërtimin e një sërë veprash infrastrukturore, që do të lidhin dy vendet dhe do të forcojnë shkëmbimet midis qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, përfundimin e rrugës së kombit dhe akset e tjera rrugore që lidhin dy vendet, nevojën për lidhje hekurudhore, si dhe fillimin e punimeve brenda të këtij viti të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë - Prishtinë.

Presidenti Pacolli vlerësoi edhe reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, të cilat sipas Presidentit të Kosovës kanë transformuar vendin dhe kanë bërë të mundur ecjen e tij përpara në drejtim të integrimit euroatlantik, sikurse finalizimi i integrimit në NATO dhe rruga drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Heqja e vizave për qytetaret shqiptarë është një mrekulli e vërtetë për të cilën shqiptarët do t’ju jenë përherë mirënjohës ju, zoti Kryeministër, dhe reformave të qeveria tuaj”, u shpreh Presidenti Pacolli.

Po kështu gjatë takimit u diskutua edhe për situatën politike në rajon, ku presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli dhe kryeministri Sali Berisha konfirmuan rëndësinë për vazhdimin e dialogut për të gjitha çështjet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, një dialog që do t’i shërbejë lehtësimit të jetës së përditshme të qytetarëve të Serbisë e Kosovës.

Sipas dy politikanëve të lartë Republika e Kosovës është shndërruar tashmë në një faktor real stabiliteti, paqeje e miqësie në rajon.

mit/NOA

KOMENTE