Serbia i ka humbur të gjitha betejat e mundshme ushtarake, politike, diplomatike, legale në konfrontimin me Kosovën, por tutje arrin t’i nxjerrë telashe Kosovës
Nga Blerim Shala
Pse po frikësoheni prej dialogut? Kjo pyetje rëndom nisë çdo bashkëbisedim të ditëve të fundit, të diplomatëve perëndimorë me politikanët dhe publicistët shqiptarë të Kosovës.
Nuk jeni frikësuar të negocioni me Serbinë në kohërat më të vështira, në vitet e luftës në Kosovë (1998, 1999), apo në vitet e definimit të statusit të Kosovës (2005, 2007), kur nuk keni qenë shtet, nuk keni pasë të thuash asnjërin prej mekanizmave politikë dhe diplomatikë që i keni tash e disa vjet. Pse atëherë tani i keni gjithë këto hezitime? Çka po ndodhë me ju: A është e tëra luftë për pushtet, një konfrontim ditor politik, apo njëmend ju duket që jeni të rrezikuar me fillimin e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit?
Kërkimi i përgjigjeve në të tëra këto pyetje të cilat qarkullojnë në të katër anët e Kosovës, qet në dritë një mori qëndrimesh dhe vlerësimesh të cilat flasin goxha qartë për një seri dështimesh vendore dhe ndërkombëtare të tri viteve të fundit, të cilat kanë bërë që Kosova si shtet, të jetë në masë të madhe e hutuar, e paorganizuar, e papërgatitur për këto bisedime, të cilat herë reduktohen në teknike, apo, në temat që mëtojnë të përmirësojnë jetën e njerëzve, e herë lartësohen në shkallën ku del që prej fatit të tyre varet anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe në Bashkimin Evropian.
Kosovarët i druajnë apo i tuten këtyre bisedimeve, sepse të panjohurat që përcjellin, së paku këtë fazën fillestare të tyre, janë të shumta, ndërsa të njohurat e pakta janë kërcënuese dhe problematike. Ne mund të themi ditë e natë që veriu i Kosovës nuk do të jetë fare çështje që do të diskutohet midis Prishtinës dhe Beogradit, por duhet ta dimë qysh tani që veriu do të trajtohet në këtë dialog. E panjohura e madhe që shfaqet këtu është kjo: Si do të arrijmë ta integrojmë në plotëni këtë pjesë të Kosovës, brenda një periudhe kohore që matet me pak vjet, kur kemi bërë fare pak prej vitit 2008 (shpallja e pavarësisë) e këndej?
Këtu del në shesh dështimi i madh vendor dhe ndërkombëtarë, i cili, zaten, është burimi kryesor i këtyre bisedimeve. Le të paramendojmë: sikur Kosova ta kishte të siguruar sovranitetin mbi këtë pjesë të territorit të vet, a thua do të kishte njëmend bisedime të këtilla? Apo, çfarë karakteri do të kishin atëherë këto biseda?
EULEX-i, natyrisht, ka hisen e vet të dështimit për veriun e Kosovës. Është Mision i Rendit dhe Ligjit, dhe atje, në Veri, nuk ka as rend, as ligj. E panjohura tjetër për ne, dhe e njohura a e ditura tjetër për Beogradin lidhet me relacionet e Kosovës dhe të Serbisë me Brukselin (BE-në). Ne, me gjasë, së paku si qëndrojnë punët tani, nuk do ta marrim së shpejti as “Strategjinë për liberalizimin e vizave”, e cila sipas Kryeministrit Thaçi dhe Ministrit Rexhepi (të Punëve të Brendshme), duhej të mbërrinte në Prishtinë qysh në gjysmën e shtatorit të vitit të shkuar. Me këtë dinamikë rreth liberalizimit të vizave, mund të parashikohet që kosovarët do të mund të udhëtojnë vetëm me pasaporta në Evropë, në variantin më të mirë, me 1 janar 2014. Pastaj, nuk e dimë fare se si do të zhvillohen marrëdhëniet Prishtinë-Bruksel tash e tutje, ose, si do të konkretizohet dhe sendërtohet perspektiva evropiane e Kosovës.
Beogradi i ka të gjitha shumë më të qarta, për këtë shkak, Serbia ia ka vënë vetes për detyrë që jo më larg se në vjeshtën e këtij viti të marrë statusin e shtetit kandidat për inkuadrim në BE. Dhe njëkohësisht, së paku edhe disa vjet, Beogradi do të pretendojë që nuk ka hequr dorë prej Kosovës.
Dobrica Qosiq, shkrimtari dhe politikani që njihet edhe si “baba i kombit serb”, pos tjerash, mbahet në mend me atë qëndrimin e tij që “serbët kanë humbur në paqe, atë që e kanë fituar në luftë…”. Në rastin e Kosovës, Beogradi po arrin të mëkëmbet, edhe pse ka humbur në luftë (në vitin 1999), ka humbur në paqe dhe në negociatat e prira prej Presidentit Ahtisaari (në vitet 2005, 2007), më në fund, ka dështuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), më 22 korrik të vitit 2010. Serbia i ka humbur të gjitha betejat e mundshme ushtarake, politike, diplomatike, legale dhe tutje arrin t’i nxjerrë telashe Kosovës.
Sikur BE-ja ta miratonte, në gushtin e vitit të kaluar, Draft-Rezolutën e Zonjës Ashton, që pritej t’i dërgohej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për miratim, atëherë, gjithçka do të ishte ndryshe, kur flitet për dialogun e Kosovës dhe Serbisë. Atëherë, njëmend bisedimet do të zhvilloheshin në kuadër të rrugëtimit të Prishtinës dhe Beogradit drejt Brukselit, për vendosjen e fqinjësisë së mirë midis dy shteteve.
Por, dështimi i përbashkët i Prishtinës dhe Brukselit, bëri që me 9 shtator, 2010, në New York, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pothuaj të shlyhet verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe me këtë, të ngecë procesi i njohjes së shtetit të Kosovës dhe të ri-nisë iluzioni që Prishtina dhe Beogradi mund të merren vesh për gjërat dhe temat për të cilat kurrë në të kaluarën nuk janë pajtuar.
Dhe kështu me radhë. Të tilla fakte dhe argumente pse kosovarët shqetësohen prej këtij dialogu të ri me Beogradin, ka sa të duash. E shumë prej tyre lidhen me mungesën e një konsensusi themelor në politikën kosovare për këtë proces, për natyrën e dialogut, për synimet e Kosovës, për dobinë dhe dëmin e tij. Në mungesë të një përpjekjeje minimale të autoriteteve institucionale për të ndërtuar këtë konsensus politik, nuk është për tu habitur që kjo temë pastaj trajtohet mbarë e mbrapsht, mirë e keq në politikën dhe shoqërinë kosovare. Kështu, si po duket, do të jetë edhe tash e tutje. Nuk ka fare shenja të mira që diçka mund të kthehet mbarë këtu.
* Autori është nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Marrë nga gazeta “Express”