Tiranë, 21 mars 2011, NOA – “Frika për humbjen e zgjedhjeve vendore në të gjithë Shqipërinë e ka bërë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën të vënë në punë natë e ditë Al Kaponen e tyre, që kanë këtu në ministri për të bërë manipulime dhe maskarada me listat”. Kështu u prononcua sot në protestën e disa drejtuesve të minibashkive për parregullsitë në listat e zgjedhësve, deputeti socialist Namik Dokle.
Deputeti Dokle tha se “Berisha ka frikë për humbjen në të gjithë Shqipërinë, por sidomos frikë e madhe e ka zënë në Tiranë, sepse Partia Socialiste deri tani i ka djegur 3 ministra kandidatë dhe së shpejti edhe Luli do të shkojë bashkë me paraardhësit e tij”.
“Sali Berisha dhe Lulzim Basha e dinë dhe e njohin shumë mirë ligjin, por ata duan ta shkelin ligjin, sepse u ka hyrë lepuri në bark nga 8 maji. Sali Berisha dhe qeveria e tij e kusarëve dhe e vrasësve e di që më 8 maj do marrë dënimin e merituar nga vota e lirë e shqiptarëve”, nënvizoi deputeti i PS-së.
Dokle i referohet kohës së diktaturës kur thotë se “Al Kapone i Sali Berishës ka regjistruar në një dhomë e një kuzhinë, 6 kurora që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, që ata të votojnë, jetojnë diku tjetër, por në një dhomë e një kuzhinë u ka bërë adresën 6 kurorave. Merreni me mend se çfarë hajdutërie kërkojnë të realizojnë”, vijoi Dokle.
Ai iu referua listave të zgjedhësve kur akuzoi ministrin e Brendshëm Lulzim Basha se u ka dhënë urdhër të gjithë punonjësve të Ministrisë së Brendshme, të cilët banojnë jashtë Tiranës, që urgjentisht të bëjnë regjistrimin në Tiranë, vetëm për të shtuar ca vota.
Deputeti socialist i bëri me dije Bashës se “nuk mund të fitoni as Tiranën, as Shqipërinë me manipulime. Ka marrë fund koha e manipulimeve. Ka marrë fund që në 2009 dhe Partia Socialiste, opozita e bashkuar dhe populli shqiptar që do demokracinë, do votën e lirë, nuk lejon më manipulime”, theksoi Dokle.
Ai i bëri thirrje kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm të mos prekin votën e lirë, pasi në të kundërt do të përgjigjen përpara ligjit.
“Ne do qëndrojmë si gjithmonë në mbrojtje të lirisë, në mbrojtje të së drejtës, në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të Kodit Zgjedhor. Prandaj ngrihuni të gjithë për të mbrojtur votën e lirë, sepse kështu mbrojmë Shqipërinë Europiane”, tha Dokle.
mit/NOA