English

Kush ka frikë nga regjistrimi?

Regjistrimi i popullsisë do të na pajisë me një bazë të të dhënave që mbledhen në mënyrë vullnetare dhe mbi bazën e deklarimit të atyre që anketohen. Kosova me të do ta fitojë një fond të dhënash, që mund të shfrytëzohen për planifikime të ndryshme më reale në kohë dhe hapësirë.

Nga Shkëlzen Maliqi

Regjistrimi i popullsisë prej kohësh në Kosovë, e edhe në rajon, perceptohej si një ndërmarrje që ka pasoja të mëdha politike, ose edhe që është në thelb e “dëmshme” për kauzat e ndryshme kombëtare. Kjo edhe ka kushtëzuar që Kosova të mos ketë regjistrim valid të popullsisë që nga vitit 1981. Për disa, edhe regjistrimi i vitit 1981 nuk ka mundur të jetë krejtësisht në rregull, ngase është realizuar në kohën kur patën shpërthyer trazirat në Kosovës dhe ishte shpallur gjendja ejashtëzakonshme.

Për më shumë, demografët kosovarë shpesh janë shprehur me dyshime edhe për regjistrimet që janë bërë në kohën e Jugosllavisë - qoftë në kohë të Mbretërisë, kur me regjistrim nuk mblidheshin të dhënat për përkatësinë etnike, por vetëm atë fetare, qoftë ato të kohës së socializmit. Supozohej se pushtetet e ndryshme në Serbi manipulonin me shënimet e regjistrimeve për të treguar gjendjen demografike ndryshe seç ka qenë në realitet dhe kjo pastaj shfrytëzohej për instalimin e politikave diskriminuese ndaj shumicës shqiptare në Kosovë.

Manipulimet e pasqyrës demografike të Kosovës në të kaluarën sigurisht se kanë qenë ndihmesë politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve, si dhe disa etnive tjera, por nuk kanë mundur të ndikojnë në zhvillimet dhe strukturën reale demografike të Kosovës. Ndonëse Serbia që nga themelimi i Jugosllavisë përpiqej që me mjete të ndryshme ta “zvogëlojë” artificialisht numrin e shqiptarëve, kjo nuk ka mundur të ndryshojë realitetin. Madje, nuk kanë pasur sukses as përpjekjet e Serbisë për kolonizim masiv të Kosovës me serbë dhe malazezë, e as nxitja dhe marrëveshjet me Mbretin Zog dhe Kemal Ataturkun, për shpërnguljen e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Shqipëri dhe Turqi. Pas shtatë dekadash, sa ishte jetëzgjatja e Jugosllavisë, përqindja e shqiptarëve në Kosovë vetëm sa u rrit dhe e kishte kot Milosevici kur gjatë luftës së fundit, në një intervistë për New York Times pohonte se në Kosovë jetojnë vetëm 600 mijë shqiptarë. Kjo rrenë ishte kulmi i manipulimit të politikës serbe me strukturën demografike të Kosovës, që në të vërtetë e shprehte aspiratën e regjimit serb që nga Kosova të dëbojë më shumë se një milion shqiptarë, në mënyrë që numërimi i tyre të reduktohet në 600 mijë. Ky skenar edhe u realizua për disa muaj gjatë luftës, kur forcat serbe dëbuan rreth një milion shqiptarë, por pasi që intervenoi NATO, të dëbuarit u kthyen në Kosovë.

Kjo është, në pika të shkurtra, historia. Tani jemi para një regjistrimi që do të zhvillohet në kondita tjera dhe me standarde më të avancuara të kontrollit. Por, sërish kthehen dyshimet e vjetra. Në Kosovë, sidomos te komuniteti serb, ka shumë kundërshtime për pjesëmarrje në regjistrim. Beogradi sapo ua ka rekomanduar serbëve të Kosovës që ta bojkotojnë regjistrimin. Serbia, në të vërtetë, e ka shtyrë edhe regjistrimin në territorin e saj për në vjeshtë të këtij viti, me arsyetimin se nuk ka mjete për këtë projekt që ka kosto relativisht të lartë, por jo edhe të papërballueshme për një shtet, sado që është në krizë financiare. Nëse tani nuk ka mjete në buxhet për regjistrim, si do t’i gjejë në vjeshtë, pasi që edhe vjeshta i takon vitit të njëjtë buxhetor!? Me gjasa, argumenti për mungesën e buxhetit ka qenë vetëm arsyetim i frikës se regjistrimi do t’i zbardhë manipulimet e mëhershme me numrat e refugjatëve serbë dhe romë nga Kosova, që janë strehuar në Serbi. Po kështu, Serbia me këtë po i ik problemit të regjistrimit të serbëve në Kosovë, ku në të vërtetë nuk ka mundur t’i dërgojë regjistruesit e vet, sepse ata duhet të regjistrohen si banorë të Kosovës.

Edhe në Maqedoni regjistrimi i popullsisë është shtyrë, me gjasa po ashtu nga frika e autoriteteve, se do të zbulohen manipulimet e mëhershme me strukturën e popullsisë.

Në Kosovë një reagim i vonshëm i Akademisë së Shkencës dhe të Arteve, që po kështu ka dalë me nkërkesën që regjistrimi të shtyhet, ka qenë i motivuar me frikën se koncepti i regjistrimit i bazuar në “banorin rezident” do ta lë jashtë regjistrit diasporën e madhe Kosovare në Evropë dhe në Amerikë. Parimi i regjistrimit të “popullsisë rezidente” është bërë universal, pra vlen për të gjitha vendet që në të njëjtën kohë do të mbajnë regjistrimet dhe ky parim supozon se popullsia që ka migruar në vendet tjera të paktën një vit më parë, si dhe ata që nuk do të kthehen as pas një viti, nuk përfshihen në regjistrin e vendit nga i cili janë larguar, por do të regjistrohen si banorë rezidentë në ato vende ku jetojnë dhe punojnë aktualisht. Kështu, kosovarët që jetojnë në Zvicër, Gjermani etj. më shumë se një vit dhe ata që kanë shkuar atje dhe nuk do të kthehen deri në prill të vitit 2012, nuk regjistrohen në Kosovë, por në vendet ku jetojnë aktualisht. Vetëm se në Kosovë këta persona do të regjistrohen në një listë të veçantë, që do të pasqyron totalin e diasporës kosovare, që deri më sot ka qenë spekulim me vlerësime të ndryshme.

Frika e mosregjistrimit të diasporës nuk është e arsyeshme dhe nuk prodhon asnjë dëm për Kosovën dhe popullsinë. Thjesht, regjistrimi nuk ka asnjë pasojë të keqe, nuk do të thotë se diaspora do ta humb shtetësinë kosovare, ose se do të preken të drejtat dhe pronat e tyre. Regjistrimi i popullsisë do të na pajisë me një bazë të të dhënave që mblidhen në mënyrë vullnetare dhe mbi bazën e deklarimit të atyre që anketohen. Kosova me të do ta fitojë një fond të dhënash, që mund të shfrytëzohen për planifikime të ndryshme më reale në kohë dhe hapësirë.

Dëmtimi eventual nga bojkoti serb do të jetë minimal. Më lehtë bëhet projeksioni i popullsisë për një komunitet që përbën 5 deri 8 % të popullsisë, se sa i 100 %.

NOA/Ekspress

KOMENTE