English

METE, Naço: Kontroll shoqërive e stacioneve të tregtimit të hidrokarbureve

Tiranë, 21 mars 2011, NOA - Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço urdhëroi sot ngritjen e një grupi të përbashkët pune nga ana e Inspektoratit Qendror Teknik dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë për kontrollin e të gjitha shoqërive të tregtimit me shumicë e pakicë të hidrokarbureve.

Objekt i kontrollit do të jenë 44 shoqëritë e tregtimit me shumicë të karburanteve dhe lëndëve djegëse, si dhe të 909 stacionet e shitjes me pakicë të këtyre produkteve, me shtrirje në të gjithë vendin.

METE bën me dije se kontrollet do të kryhen gjatë një periudhe njëmujore ku do të respektohen me rigorozitet kërkesat e ligjit 8450 "për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, te gazit dhe nënprodukteve të tyre", si dhe të ligjit nr 9875, për metrologjinë.

Sipas METE-s kontrollet do të zhvillohen për të shmangur çdo abuzim në plotësimin e standardeve të cilësisë së karburanteve dhe lëndëve djegëse në funksion të mjedisit si dhe për sasinë e këtyre produkteve.

Sipas urdhrit të mësipërm të ministrit Naço, grupi i përbashkët i punës do të paraqesë çdo 10 ditë një raport me rezultatet e këtij kontrolli, mbi bazën e të cilit do merren masat përkatëse në funksion të përmirësimit të tregut të hidrokarbureve.

Kohët e fundit Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës u hoqi licencat e tregtimit dy shoqërive për mosplotësim të kushteve teknike, siç ishte rasti i dy kompanive Dhima sh.a dhe Edi Kompani sh.a.

Ndërkohë METE pezulloi për një periudhë 30 ditore liçencat e 7 shoqërive për mosplotësim të kushteve ligjore teknike në impiantet dhe instalimet e disa shoqërive.

METE bën me dije se është drejt përfundimit ushtrimi i kontrolleve nga ana e grupit të përbashkët të punës të dy institucioneve të specializuara të METE-s, përkatësisht Inspektoratit Qendror Teknik dhe Agjencisë Kombëtare te Burimeve Natyrore, për respektimin e plotë të kërkesave ligjore nga shoqëritë që operojnë në fushën e prodhimit të naftës bruto mbi bazën e marrëveshjeve hidrokarbure, për zbatimin e marrëveshjeve dhe moslejimin e tregtimit apo prodhimit të tyre jashtë destinacionit ligjor e teknik.

mit/NOA

KOMENTE