Prishtinë, 21 mars, NOA - Në sallën e bibliotekës së Prishtinës, Pen Qendra e Kosovës dhe Pen Qendra e Shqipërisë zhvilluan takimin e tyre të parë të përbashkët duke diskutuar për sprovën e Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”.
Takimi u përshëndet nga presidentët e dy qendrave Basri Capriqi (Prishtinë) dhe Entela Kasi (Tiranë), ndërsa mbajtën referate të veçanta edhe emra të spikatur të kulturës si Xhevat Lloshi, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Çerciz Loloçi, etj.
Pas Prishtinës një tjetër veprimtari midis dy Pen Qendrave është planifikuar të kryhet në Vlorë ku shkrimtarë dhe intelektualë do të diskutojnë rreth identitetit kombëtar dhe sfidave të tij përballë proceseve globalizuese.
“Kadare e bëri shqipen gjuhë botërore”, tha mes të tjerash në këtë aktivitet, prof. Xhevat Lloshi, duke shtuar se pikërisht, pasi Ismail Kadareja u bë shkrimtar i dëgjuar, filluan të merren edhe me gjuhën e tij, ashtu siç ishin marrë më përpara me gjuhën e Naimit, të Fishtës, të Jakov Xoxës dhe të tjerëve.
n.e/NOA